Sistemi i referimit, tashmë me detyrim te mjeku i familjes
Sipas drejtuesve të poliklinikave, futja e spitaleve në skemën e sigurimeve do të detyrojë pacientët të zbatojnë sistemin e referimit
Projektligji
Futja e spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore nuk do të lejojë më pacientë që të mos zbatojnë sistemin e referimit, në të kundërt, nuk do të marrin shërbim ose do t’u duhet ta paguajnë shumë shtrenjtë atë. Kjo do të thotë se spitalet nuk do të luajnë më rolin e poliklinikave të lagjes, por mjeku i familjes do kthehet në hallkën më të rëndësishme të sistemit. Kështu drejtuesit e poliklinikave por edhe profesorët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”m pohojnë për gazetën “Shekulli” se futjen e spitaleve në skemën e sigurime shëndetësorem e shohin si një hap shumë pozitiv që do të frenojë anomalitë dhe do të nxisë zbatimin e sistemit të referimit.
Sistemi i referimit
Për të bërë një vizitë në spital apo për të marrë ndonjë shërbim tjetër si analizë apo ekzaminim, më parë duhet të kalosh sistemin e refermit, në të kundërt askush nuk do të përfitojë asgjë. Këtë do ta sjellë vetë sistemi shëndetësor, pasi spitalet nuk do të ofrojnë më shërbim, si deri më sot, njësoj si për ata që paguajnë sigurimet shëndetësore, ashtu edhe për ata që nuk paguajnë. Kështu, shefja e Poliklinikës nr. 4, Ermira Tomorri, shpejgoi se pacienti, fillimisht, duhet të paraqitet tek mjeku i familjes, ku ka edhe kartelën e hapur. Më pas, mjeku i familjes, nëse nuk është në gjendje t’i vendosë diagnozën, e drejton pacientin drejt specialistëve të poliklinkës së specialiteteve dhe ky i fundit, gjithashtu, nëse është në gjendje t’i vendosë diagnozën, i rekomandon pacientit t’u drejtohet specialistëve të spitaleve. “Pra, nëse nuk zbatohet skema mjek-familje-mjek, specialist i poliklinkve- mjek specialist i spitaleve, do të vazhdojë të jetë anomali, duke sjellë që spitalet të kthehen në ambulanca lagjeje, siç funksionojnë deri më sot dhe poliklinikat të mos kenë punë, pasi pacientët nuk i frekuentojnë”, - pohon Ermira Tomorri. Ndërkohë, edhe shefi i Poliklinikës Qëndrore të Specialiteteve, Përparim Laziraj, pohon se futja e spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore, do të disiplinojë pacientët dhe do t’i detyrojë ata të zbatojnë sistemin e referimit. Sipas tij, fakti që sigurimet do të futen në lojë edhe në spitale, pacientët nuk do të jenë në gjendje të paguajnë çmimet e spitalit, nëse nuk do të zbatojnë sistemin e referimit, pasi vetëm kështu atyre do t’u njihen sigurimet që paguajnë. “Fundja nuk është aspak e nevojshme që për një shërbim elemenetar, pacientët të shkojnë në spital, ndërkohë që ata mund ta marrin shumë mirë këtë shërbim edhe pranë poliklinikave të lagjeve të tyre”, - pohon Laziraj.
Shefat e QSUT-së: Spitalet në kaos, sepse nuk janë në skemë
Nëse je i siguruar, merr ndihmë mjekësore të rimbursuar. Në fakt, kjo praktikë, e cila njihet dhe ka dhënë rezultat prej 150 vjetësh në vendet perëndimore, në vendin tonë, jo vetëm nuk zbatohet, por ka zhytur sistemin shëndetësor në kaos. Kështu janë shprehur shefat e shërbimeve në QSUT para pak kohësh për gazetën, të cilët theksojnë se duhet të ndryshohet ligji në mënyrë urgjente. “Fakti që spitalet nuk janë në skemën e sigurimeve shëndetësore, është handikapi më i madh që po i ndodh sistemit tonë shëndetësor dhe kjo është arsyeja kryesore që pacientët tanë nuk marrin shërbimin që meritojnë dhe spitalet janë në gjendje të mjerueshme”, - pohon shefi i shërbimit të Urologjisë pranë QSUT-së, Mustafa Xhani. Ndërsa shefi i shërbimit të Nefrologjisë, Nestor Thereska, thekson se të gjithë duhet të paguajnë sigurimet shëndetësore në mënyrë që të përfitojnë shërbim dhe përqindja e pagesës së këtyre sigurimeve të jetë më e lartë se shuma që paguhet tani. “Me këtë përqindje sigurimesh që derdhen aktualisht, nuk mund të mbahet as sistemi parësor dhe as sistemi spitalor. Ka ardhur koha për ata që nuk paguajnë sigurimet, të mos iu rimbursohen shërbimet shëndetësore, në të kundërt, kurrë nuk do të kemi një sistem shëndetësor të shëndoshë dhe në funksion të pacientëve”, - pohon Nestor Thereska. Sipas tij, sistemi aktual i marrjes së shërbimit në spitale funksionon njësoi si para viteve ’90 dhe kjo jo vetëm që nuk ka sjellë dobi për sistemin, por e ka zhytur atë në problematikë tepër të theksuar.
Profesorët, për spitalet në skemë
Mustafa Xhani
“Fakti që spitalet nuk janë në Skemën e Sigurimeve Shëndetësore, është handikapi më i madh që po i ndodh sistemit tonë shëndetësor dhe kjo është arsyeja kryesore që pacientët tanë nuk marrin shërbimin që meritojnë dhe spitalet janë në gjendje të mjerueshme”.
Nestor Thereska
“Me këtë përqindje sigurimesh që derdhen aktualisht, nuk mund të mbahet as sistemi parësor dhe as sistemi spitalor. Ka ardhur koha për ata që nuk paguajnë sigurimet, të mos iu rimbursohen shërbimet shëndetësore, në të kundërt, kurrë nuk do të kemi një sistem shëndetësor të shëndoshë dhe në funksion të pacientëve”.
Alketa Koroshi
“Nuk është logjike që të marrin të njëjtin shërbim, si ata që derdhin para çdo muaj për sigurimet shëndetësore, si ata që nuk paguajnë fare. Më pak se 30% e popullsisë paguan sigurime shëndetësore, në një kohë që të gjithë kërkojnë shërbim të rimbursuar”.
Arben Baboçi
“Kërkohet medoemos të bëhet një reformë, ku të futen Sigurimet Shëndetësore në spitale. Sigurisht që kjo nuk do ta zgjidhë situatën për 2-3 vjet, por do të fillojë të japë rezultate të paktën pas 5 vitesh”.
Propozimi, të rritet çmimi i ujit me 30 %
Rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe produketeve ushqimore pritet t’i shtohet edhe rritja e çmimit të ujit të pijshëm që vjen nëpër shtëpitë e qytetarëve. Kështu, burime pranë Drejtorisë së Ujësjellësit të Tiranës, pohojnë se i kanë propozuar Entit Kombëtar të Ujësjellësit, rritjen e ujit me 30 përqind më shumë nga çmimi aktual. Kjo, sipas tyre, për të përballuar investimet e mëdha që pritet të nisin në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve. Por, nga ana tjetër, qytetarët duket se do të jenë të detyruar të paguajnë çmime më të lartë për produktet që konsumojnë, ndonëse shërbimet që u ofrohen nuk janë korrekte, pasi edhe furnizimi me ujë të pijshëm nuk ofrohet 24 orë. Pos kësaj, në shumë raste, qytetarët janë ankuar edhe për ujin e ndotur që u ka ardhur në rrubinetët e shtëpisë dhe, sipas tyre, çmimi nuk e justifikon cilësinë.