E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Një memorial për të rënët në Greqi"

Përfaqësuesit politikë dhe
shoqërorë të popullsisë
çame, konkretisht Partia për
Drejtësi dhe Integrim, Shoqata
"Çamëria" dhe Instituti i Studimeve
për Çamërinë, i kanë dorëzuar
një kërkesë zyrtare Ministrisë
së Jashtme, ku theksohet që
nëpërmjet rrugëve diplomatike
Tirana zyrtare të kërkojë ngritjen
e një varreze përkujtimore pranë
Urës së lumit Kalama, në Greqi,
ku prehen të rënët e pafajshëm,
që mbetën të vrarë gjatë gjenocidit
mbi popullatën çame. Skandali
i Kosinës dhe konflikti që ajo
shkaktoi, kur në maj 2006 u zhvarrosën
eshtrat e banorëve të
zonës, me pretekstin e gjetjes së
varreve të ushtarëve grekë, nuk e
kanë ndalur, siç shihet, projektin
e Athinës për të krijuar varreza
ushtarësh në disa lokalitete të
Jugut. Për këtë arsye, komuniteti
çam kërkon në mënyrë zyrtare që
qeveria "Berisha" t‘i paraqes
palës greke në mënyrë zyrtare dy
nga pikat e kërkuara nga çamët,
ku njëra është ndërtimi i një lapidari
në Paramithi të Greqisë dhe
ndërtimin e një varreze përkujtimore
për çamët, që u vranë gjatë
gjenocidit. Këtë zhvillime delikate
duket se s`do të jenë aspak
të lehta për diplomacinë shqiptare,
e cila ka dhënë shenja që
prej kohësh ndodhet nën ‘presionin‘
e qeverisë greke. Qeveria shqiptare
prej kohësh mban një linjë
të butë ndaj Athinës zyrtare, të
drejtuar nga qeveria e djathtë e
Karamanlis. Qeveria shqiptare ka
rënë dakord për marrëveshjen që
do të lejojë ngritjen e një varreze
greke në Shqipëri, çka solli mjaft
debate në opinion publik, dy vjet
më parë me incidentin e Kosinës.
Në incidentin e zhvarrimeve
abuzive të Kosinës u përfshi edhe
Kisha Ortodokse Autoqefale e
Shqipërisë, ku në vend të ushtarëve
grekë u zbuluan eshtra
fëmijësh. Pretendimet e qeverisë
greke janë që varrezat e ushtarëve
grekë të ndërtohen në Këlcyrë,
Ersekë, Çiflik të Korçës dhe
Bularat. Shoqëria "Çamëria", Instituti
i Studimeve për Çamërinë
dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim,
në letrën drejtuar Ministrisë
sonë të Jashtme, shprehin
bindjen se popujt i lidhin urat e
tyre të miqësisë, duke ndërtuar
së pari ‘Faljen‘, duke respektuar
ata që ranë për një kauzë të ndershme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›