E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një mesazh mafioz për të gjithë ata që kërkojnë pronat e tyre

Nëse ka një lëmsh të frikshëm në Shqipëri, krijuar nga ligjet e çuditshme dhe nga korrupsioni galopant, ai është lëmshi i pronave. Përgjegjësi kryesor për këtë lëmsh është kryeministri aktual.

Vrasja e fundit në Vlorë ka nxjerrë në pah në mënyrë makabre këtë problem.

Për shumë njerëz, Arjan Konomi është një emër i njohur. Ai është djali i xhaxhait të gjykatësit të vrarë. Arjani, një gazetar i njohur në vend, ka rrëfyer në dy të përditshme përjetimet e tij për vdekjen e djalit të xhaxhait, me të cilin ishte një mik i afërt. Ai ka thënë se ky ishte një sinjal mafioz për ata që kërkojnë një pronë.

Vrasja e kushëririt tim nuk ka argumente, vetëm dënim maksimal për fajtorin ose fajtorët. Vrasja është bërë për të treguar forcën. Forcën jo ndaj personit, por ndaj Gjyqësorit, por edhe ndaj shtetit. Dhe e gjitha kjo, në formë shoë, në mes të bulevardit, në mes të qarkullimit, pranë stacioneve televizive lokale dhe korrespondentëve të medias kombëtare. Në vrasje makabre dhe e tipit mafioz që ngjarja të filmohej sa më shpejt dhe të dokumentohej, në mënyrë që të ngjallte edhe tmerre të tjera ndaj atyre njerëzve që kanë një pozicion, një pushtet, por edhe ndaj atyre që kërkojnë një pronë, ka thënë ai për të përditshmen Panorama.

Unë nuk kam asnjë informacion dhe nuk jam unë personi që mund të bëj ndonjë vlerësim të fakteve. Por ajo që mund të them është se në të dyja rastet është goditje ndaj shtetit dhe Drejtësisë. Edhe nëse është rasti i pronës, shembulli kur kjo i ndodh një gjykatësi të Republikës, imagjino se çmund ti ndodhë një qytetari të thjeshtë. Nga ata qytetarë që jemi mësuar të shohim me shumicë duke kërkuar të drejtën e tyre të pronës nëpër dyert e gjykatave. Dhe në këtë rast, ky është një leksion për të gjithë ka vijuar më tej Konomi.

Ndërkohë, në një opinion të shkurtër tek e përditshmja Shekulli, ai ka thënë se Skerdi kishte fituar një gjyq shumë të madh pronash.

Pak ditë më parë Skerdi ishte me pushime, shkonte peshkonte natën, banesa e tij është këtu në një lagje periferike, me oborr, që mund të ndodhte shumë më thjeshtë, nëse ishte një hakmarrje e rëndomtë, apo thjesht një larje hesapesh. Ky është një gjë shumë e organizuar, është një sinjal për të gjithë sistemin e drejtësisë ne jemi më të fortë se ju, jemi më të fortë se shteti.

Ndaj edhe të gjithë institucionet e shtetit duhet patjetër që të gjejnë se kush janë shkaktarët e këtij krimi makabër dhe të paprecedent në historinë tonë. Sa për motivin, di që ai ka pasur një gjyq shumë të madh, të cilin e ka fituar në Gjykatën e Lartë, para disa javësh.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›