E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrihet në mes të Kamzës vajza që denoncoi për ngacmim seksual kryetarin e Bashkisë, Xhelal Mziu

Vajza që denoncoi ngacmimet seksuale të kryetarit të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, është dhunuar në orët e para të ditës së djeshme nga njerëz që janë identifikuar si punonjës të policisë bashkiake. Vajza e re, ish-punonjëse e bashkisë, ka pohuar se njerëzit që e kanë dhunuar i kanë thënë: Ke të fala nga Xhelal Mziu, dhe më pas kanë goditur edhe të dashurin e saj.

Sipas vajzës, ngjarja ka ndodhur menjëherë sapo është larguar Xhelal Mziu nga lokali ku ndodhej edhe ajo. Vajza ka identifikuar si autorë të dhunimit të saj efektivin e policisë Bashkiake Shefqet Baja, për të cilin edhe ka bërë denoncim në polici. Ai që ka pësuar më shumë dëmtime është i dashuri i vajzës, i cili ka përfunduar në spital me katër të qepura në kokë dhe fytyrë. Në po iknim me makinë kur më është afruar Baja duke më thënë se kisha të fala nga kryetari dhe se ky ishe minimum që do të pësonim,- thotë 32 vjeçari. Ai tregon se me punonjësit e Policisë Bashkiake të Kamzës nuk ka pasur më parë asnjë konflikt dhe se ngjarja e djeshme nuk ishte gjë tjetër veçse kryerja e një porosie nga Mziu.

Rrëfimi i vajzës: Si na rrahën njerëzit e kryetarit të bashkisë

Katër muaj më parë vajza e re denoncoi sms-të erotike të shefit të saj, kryebashkiakut Xhelal Mziu

Pasi denoncova Xhelal Mziun jeta më është bërë një ferr i vërtetë. Dje më dhunuan fizikisht së bashku me të fejuarin

Në maj të këtij viti një punonjëse e Bashkisë së Kamzës ka denoncuar ngacmimet seksuale të shefit të saj, kryetarit Xhelal Mziu. Për të provuar akuzën e saj vajza ka publikuar edhe disa nga mesazhet telefonike që Mziu i kishte dërguar në celular. Ndaj Xhelal Mziut nuk është marrë asnjë masë, por që nga ajo kohë vajza ka përjetuar presione të shumta psikologjike, të cilat përfunduan dje me rrahjen e saj dhe të fejuarit. Teksa ndodhet në spital me fustanin ende me gjak, ajo tregon ngjarjen për Shekullin.

Mund të na tregoni se çfarë ndodhi?

Ishte mëngjes herët dhe isha nisur në punë. Po rikthehesha pas lejes dhe para se të shkoja në zyrë u ula së bashku me të fejuarin tim të pija kafe në një lokal në qendër të Kamëz, pranë bashkisë. Kur u ulën aty pamë që ndodhej edhe kryetari Xhelal Mziu ndërsa në hyrje të lokalit ishin punonjës së policisë bashkiake. Kryetari u ngrit menjëherë dhe në dalje u rrahu shpatullat policëve të Bashkisë. Pasi pimë kafenë dolëm nga lokali dhe menjëherë u përballëm me efektivat e policisë bashkiake, të cilët na sulmuan duke thënë fjalë fyese ndaj meje. Në këtë moment, që mos të krijohej ndonjë incident, kam marrë të fejuarin tim dhe shkuam në makinë, por ishte e pamundur që të largoheshim.

Pse?

Sepse njeri prej këtyre policëve erdhi në makinë dhe i thirri të fejuarit tim me emër. Fillimisht Zeni kujtoi se donte të bisedonte me të, por ai nxorri pistoletën dhe tha: Do ju vras. Ai na tha keni të fala nga kryeri i bashkisë së Kamzës  dhe i gjuajti Zenit në pjesën e pasme të kokës dhe në fytyrë me anën e pasme të pistoletës. Zeni ishte në timon dhe nuk mundi të reagonte. Unë i lutesha që të mos i gjuante pasi dukej sikur do e vriste. Pothuajse e gjithë makina u mbush me gjak.

Kush është ky polic bashkiak?

Ai quhet Shefqet Baja. Ai është bashkëfshatari i të fejuarit tim. Nuk menduam se do të bënte një veprim të tillë ndaj nesh dhe aq më pak të na çonte të falat edhe nga kryetari i Bashkisë.

Çfarë ndodhi më pas?

Nuk e di se çfarë mund të ndodhë me jetën time. Jam tepër e rrezikuar. Jeta më është bërë një ferr. Gjithkund përflitem ndërkohë që asnjë prej institucioneve shtetërore nuk e ka vënë ujin në zjarr. Në punë, edhe pse zyrtarisht nuk është ma marrë asnjë vendim ndaj meje më janë krijuar incidente të ndryshme si e si të largohem që këtu?

Cilat janë këto incident?

Po ja një ditë më mbyllej dera, më pas njerëz të ndryshëm më çonin fjalë që do më ndodhë kjo apo ajo. Se do më pritej fyti me tela me gjemba e ndërsa asnjë prej kolegëve të mi nuk më fliste më nga frika e kryetarit. Ndërkohë që pas një arsye, dhe kur Kryetari nuk kishte ende të drejtën e firmës, sepse nuk ishte certifikuar nga gjykata më vjen një shkresë ku mua më bëhej vërejtje për pushim nga puna.

Ju keni vazhduar normalisht punë?

Kam qenë me leje të zakonshme dhe më pas ka pasur probleme shëndetësore. Nuk kam mundur që të shkoj në punë. Të jem e sinqertë, kam pritur që gjërat të qetësohen në një farë mënyrë dhe unë të vazhdoj normalisht jetën time. Por me këtë që ndodhi dje në mes të qytetit unë nuk di më se sa e sigurt është jeta ime. Unë nuk kam asnjë konflikt tjetër. Nuk kam bërë asgjë që të meritoj këtë diskriminim, fyerje apo rrahje në mes të qytetit.

SHEKULLI

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›