Vrasja e gjyqtarit, dominon pista e Gjirit të Lalëzit
Berisha shmang vizitën në ceremoni, ndërsa Topalli flet ashpër
Në Vlorë u përcoll në banesën e fundit gjyqtari Skerdilajd Konomi, vrarë më një atentat mafioz një ditë më parë. Në ceremoninë e varrimit mungoi kryeministri Berisha, ndërsa media e afërt me të thuajse e injoroi ngjarjen. Por brenda shumicës pati zëra që bënë kontrast, sidomos deklarata e fortë e zonjës Topalli, e cila u shpreh se ishte e tmerruar nga ajo që ndodhi.
Grupi hetimor është i rezervuar në deklarata publike për pistën e hetimit, por po përqendrohet në pistën e konfliktit të pronësisë në Gjirin e Lalëzit. Babi i viktimës është trashëgimtar i një prone të madhe në Gjirin e Lalëzit dhe viktima ishte duke u marrë intensivisht me hipotekimin e saj pasi ka fituar një gjyq në Gjykatë të Lartë. Studioja e avokatisë e palës kundërshtare është një studio e njohur afër pushtetit, dhe kjo i ka bëre delikate hetimet dhe deklarimet rreth tyre.
Nga ana tjetër policia po heton dhe për pista të tjera të mundshme të konflikteve të pronave në Vlorë, por kjo është në plan të dytë.
Atentati duket i menduar mirë, pasi i janë shfryrë gomat e makinës atij dhe e kanë detyruar të përdorë makinën e gruas që është lehtësisht e hapshme si makinë e tipit të vjetër.
Media afër qeverisë, dhe sidomos ABC News, kanë shmangur thuajse fare lajmin për varrimin e tij dhe deklaratat rreth ngjarjes. Po ashtu gazetat afër qeverisë kanë shmangur lajmin nga faqet e para.