E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndregjoni: Topi do iniciojë dënimin e krimeve të komunizmit

• Presidenti Bamir Topi do të iniciojë procesin e dënimit të krimeve të komunizmit në vend.

 Këtë e bëri të ditur dje sekretari i Përgjithshëm i shoqatës së të përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni, pas një takimi të kësaj shoqate me kreun e shtetit. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, Ndregjoni bëri të ditur se shoqata e të përndjekurve i ka kërkuar kreut të shtetit të ndërhyjë me autoritetin e tij për nisjen e procesit të dëmshpërblimit të kësaj kategorie si dhe dënimin e krimeve të komunizmit. “Ne i kemi kërkuar Presidentit Topi që të ndërhyjë për t’i hapur rrugë nisjes së dëmshpërblimit të të përndjekurve si dhe të dënojë krimet e komunizmit. Nga ana e tij presidenti na premtoi se, do të ndërhyjë për këto dy çështje. Ai na garantoi se, do të zbatohet rezoluta e Këshillit të Evropës dhe do të iniciojë dënimin e krimeve të komunizmit. Për këtë do të ngrihet edhe instituti i dënimit të krimeve të komunizmit”, tha Ndregjoni për gazetën, në përfundim të këtij takimi. Ndërkohë një kërkesë tjetër e të përndjekurve në takimin me kreun e shtetit ka qenë edhe punësimi të tyre, sipas statusit që kanë, në institucionet shtetërore. Gjithashtu të përndjekurit kanë kërkuar që reforma zgjedhore të mos jetë monopol i dy partive të mëdha dhe të mos bëhen ish-pinjollë të komunizmit. Lidhur me përkrahjen e kësaj shtrese të shoqërisë, Presidenti Topi i ka garantuar se, nuk do të ketë asnjë neglizhencë nga klasa politike, aq më pak, sipas tij, nga e djathta e cila i është shumë borxhlie kësaj shtrese. Ndërkohë, sipas njoftimit të Presidencës: “Presidenti Topi, pasi i dëgjoi me shumë vëmendje shqetësimet e të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, u shpreh se shtresa e tyre meriton të integrohet plotësisht në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike, duke vënë në pah rëndësinë e ndërmarrjes së veprimeve dhe të masave konkrete në këtë drejtim”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›