Një milion dollarë nga "thesari" i Madoff
Një milion dollarë. Kjo ka qenë vlera e thesarit të Bernard Madoff, i akuzuar për një nga mashtrimet më të mëdha të të gjitha kohërave. Rreth 20 objekte të personalizuara që i përkisnin financierit amerikan janë shitur në Nju Jork në ankand. Vlera e të gjitha objekteve të shitura ka kapur shifrën e 1 milion dollarëve, rreth katër herë më shumë se sa ishte parashikuar në fillim. Vetëm një xhuboks i skuadrës së bejsbollit "Neë York Mets" që mbante emrin e tij, u shit 14.500 dollarë. Një shumë marramendëse kjo, duke qenë se shifra fillestare ishte parashikuar vetëm 500 dollarë. Një bllok letre u shit rreth 2500 dollarë, ndërsa vathët me diamante "Cartier" që i përkisnin Ruth Madoff, gruas së financierit u shitën për 70 mijë dollarë. Mes objekteve të shitura ishte edhe koleksioni i mrekullueshëm i orëve, një prej dobësive të Madoff: rreth 40 të tilla si burrash ashtu dhe grash, mes të cilave 17 "Rolex", "Demars Piguet", "Frank Muller" dhe "Jaeger-Le Coultre", u shitën për një vlerë prej 65 mijë dollarësh. Në ankand pati edhe nga ata që paguan 2200 dollarë për një portofol "Mont Blanc" me inicialet "BM", shumë ndryshe parashikimeve të qeverisë që kishte fiksuar çmimin nga 70 deri në 100 dollarë. Rreth 942.650 dollarët e mbledhur nga shitja e objekteve në ankand duhet të jenë të destinuar për të dëmshpërblyer të paktën disa nga mijëra investitorët që mbetën viktimë e mashtrimit kolosal të bërë prej tij. Madoff, që mashtroi prej disa dhjetëvjeçarësh investitorët përmes një skeme të quajtur "Ponzi", u dënua në qershor me 150 vjet burg. 71-vjeçari po e vuan dënimin e tij në një burg në Karolinën e Veriut. Gruaja e tij nuk u përfshi në këtë çështje.