E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Burgu i Illinoisit, Guantanamo i ri

Një burg i sigurisë së lartë në Illinois, për momentin tërësisht bosh mund të jetë Guantanamo i re. Administrata "Obama", që po lëviz me hapa gjigantë drejt mbylljes përfundimtare të burgut famëkeq në Kubë, me dëshirën e Presidentit Xhorxh Bush, ku mendohet se mbahen të dyshuarit për terrorizëm, po mendon një tjetër mundësi, atë të blerjes së "Thomson Correctional Center", një burg shtetëror i sigurisë së lartë që gjendet në një zonë rurale, shumë pak të banuar, rreth 20 kilometra në perëndim të Çikagos. I ndërtuar në vitin 2001, me një kosto prej 145 milionë dollarësh, për burgosjen e kriminelëve më të rrezikshëm, administrimi i burgut mendohet se është shumë i shtrenjtë për bilancin jo të mirë të Illinoisit dhe për momentin zëre se nuk përdoret fare. Ai ka 144 të burgosur nga 1600 qeli të disponueshme. Sipas burimeve të administratës "Obama", të cituara nga "Los Angeles Times", në një nga seksionet e burgut gjigant mund të transferohen disa nga të burgosurit e Guantanamos, që aktualisht janë 215. Por, vetëm një numër i limituar, thonë burimet, duke saktësuar se po vlerësohet mundësia që të kthehet në diçka më tepër se një burg i sigurisë së lartë. Para se të marrin një vendim, grupi i avokatëve që po merret me mbylljen e Guantanamos duhet të ndeshet me një pengesë të fortë: të gjejë mënyrën që të bindë Kongresin të ndryshojë ligjin i cili ndalon që të burgosurit të transferohen në tokën amerikane, përveçse për procese gjyqësore. Ditë më parë, Departamenti i Drejtësisë ka deklaruar se ka ndërmend të gjykojë në Nju Jork të dënuarit për sulmet e 11 shtatorit, mes të cilëve Khaled Sheik Mohammad, i cilësuar si truri i atij atentati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›