Një mision i pamundur
Lorenc Vangjeli
“Shqipëria është në ngërç, koha për të pasur zgjidhje të krizës po mbaron”, kumtet e diplomatëve perëndimorë sa venë dhe bëhen më të forta. Qeveria pranon dhe ekzistencën e krizës ekonomike, kurse zëvendëskryeministri i saj flet për dialog. Llogaritë e reja të papritura të Ilir Metës për të iniciuar dialog mes palëve dhe tentativa për barazlargim nga PD e PS në një përpjekje për mbijetesë, në fillim si me ndrojtje, tani dhe më shpesh. Madje edhe në takim me ambasadorin e një vendi të largët si Japonia, Ilir Meta, zëvendëskryeministër, ka ndryshuar tonin e zërit. Edhe kumtet që kërkon të japë. I konsideruar deri më tani si çelësi i artë i qeverisjes “Berisha 2”, zëvendësi i Berishës ka nisur të përdorë gjithmonë e më shpesh fjalën “dialog” kur flet për Berishën dhe Ramën. Një dialog që sipas tij do të mundë të zgjidhë ngërçin politik mes palëve dhe do të afrojë dobi për proceset integruese të vendit. Duke kërkuar kështu të jetë kulm i një trekëndëshi të nesërm politik. Sidomos tani kur politika shqiptare ngjan si një segment, skajet e të cilit shtyhen gjithmonë e më tej njëri-tjetrit.
Në vështrim të parë ngjan se një gjë e tillë është një ripërsëritje e sinjaleve gjithmonë e më domethënëse e më ngulmuese të faktorit ndërkombëtar për nevojën që palët të gjejnë një zgjidhje për situatën e krijuar me mungesën e opozitës në Kuvend që me nisjen e legjislaturës së re dhe sidomos, me shtimin e intensitetit të protestave të saj. Molla e sherrit, rezultati i kontestuar i zgjedhjeve të 28 qershorit, tashmë është shndërruar përfundimisht në mollë të helmuar që mbi të gjitha i ka mbetur në fyt qeverisjes së re në veçanti e gjithë shoqërisë në përgjithësi.
A ka krizë?
Shqipëria përfundimisht mund të konsiderohet një vend në krizë. Pas qetësisë mendjemadhe që “fali” anëtarësimi i vendit në NATO, një proces i deklasifikuar elektoral si i qershorit, nuk mund të mos sillte fillimisht shenjat e para të krizës politike dhe më pas rëndimin e saj gati deri në pikën e moskthimit. Kriza politike sot është në momentin e saj të vlimit dhe gjithçka është më tepër se e turbullt. Ngushëllimi i vetëm filozofik që vjen nga Kina e largët: “Turbullo që të kullohet” (!) është mjaft larg për kushtet shqiptare kur turbullirat janë vetëm një shkëndijë e rastit për të ndezur si rregull zjarre, ndoshta edhe të pakontrollueshmë më. Nga cilado palë. Hijet e zeza të dimrit të vitit ‘96 po bëhen gjithmonë e më të afërta. Me ndryshimin e vetëm, në formën e vrazhdë dhe agresive që shfaqi ai dimër, por natyrisht me një kosto ku e ku më të madhe nga pikëpamja ekonomike, financiare dhe kostoja politike për vendin.
Nëse në fillim të protestave të opozitës ishin shumë më të shumtë skeptikët që mendonin se ato do të shuheshin shpejt, sot, edhe më optimistët nuk mund të parashikonin se qëndresa dhe gjuha e forcës së opozitës do ta vinte në këto vështirësi serioze qeverisjen që si tipar kryesor të saj, mishëruar te Berisha, ka pikërisht forcën.
Vështirësitë qëndrojnë jo vetëm në pikëpamjen e procesit legjislativ dhe në reformat që kërkojnë shumicë të cilësuar, por në demonstrimin faktik me gisht që tundet përpara hundës, të pamjes më të frikshme të krizës politike. Aksioni i shumicës në pushtet, që erdhi menjëherë mbas protestës së 20 nëntorit, të opozitës dhe që dëshmoi realisht mbështetjen e saj në publik, bëri që Berisha të përdorte monedhën më të gabuar për të marrë shpagim e për të kërkuar revansh.
Acarimi i toneve të tij në nivele që mund të arrihen vetëm nga Berisha, trashëgimia aspak e lumtur që kryeministri ka në këtë pikë solli krejt të kundërtën e asaj që shpresohej: acarimin edhe më të fortë të opozitës dhe sidomos u bë një element i qartë koagulimi i saj. Gabimi ishte strategjik, sepse edhe shumica hyri në ujërat ku lundron opozita, kur në të vërtetë asaj i duhet më shumë se kurrë qetësia për të qeverisur.
Por deri këtu kjo është një histori e njohur në Shqipërinë politike që normalisht nuk ka dalë kurrë nga kriza politike në këto 20 vjet postpluralizëm. Kryesisht për shkak të të njëjtëve aktorë dhe fajtorë. Qershia e hidhur mbi tortën, gjithashtu të hidhur të kësaj kohe, është sidomos kriza politike. Kjo është teza që opozita ka kohë që po e përdor – vendi është edhe në krizë ekonomike – por që tani, po arrin të pranohet deri dhe publikisht, ndonëse me doreza nga vetë kryeministri. Shtyrja e pagimit të rrogave të buxhetorëve është vetëm shenja e dukshme e një sërë sinjalesh që do të tronditnin cilindo ekonomist mesatar. Ato nisin që me borxhet e mëdha që ka shteti ndaj biznesit privat, klima e rënduar e goditjes selektive të biznesit e deri me aftësinë gjithmonë e më të reduktuar që ka shteti për të trajtuar borxhet e tij, qoftë të brendshme, qoftë të jashtme.
Kriza ekonomike që fundosi botën gjatë këtij viti dhe që u tha se i kaloi anash Shqipërinë, tani duket se do ta godasë atë dukshëm dhe në mënyrë direkte. Shto këtu dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike, baza sociale e shoqërisë së goditur prej saj zgjerohet në mënyrë të frikshme. Pothuaj automatikisht ajo përkthehet me më shumë kontingjent të gatshëm për t´u rreshtuar në krah të opozitës në aksionin e saj politik. Në situata të tilla, e vetmja valvul shkarkimi e tensionit “ekonomik” – dhe kjo është aksiomë e pandryshueshme – është valvula e sigurisë politike. Pra, një zgjidhje politike, e cila as më shumë dhe as më pak, është një tjetër avantazh për opozitën. Koha punon për të! Dhe Meta, përballë Berishës që ka hyrë në epilogun e karrierës së tij, ndonëse nuk e pranon, është duke menduar për të nesërmen e karrierës së tij dhe të vetë LSI-së.
Po pse Meta?
Zëvendëskryeministri Meta i ka hyrë kësaj historie – promovimit të dialogut Berisha & Rama, edhe sepse nuk ka rrugë tjetër. Si ministër i Jashtëm ai është nga të parët që merr direkt kumtet e ndërkombëtarëve, të cilët, si kurrë ndonjëherë në historinë e viteve të postpluralizmit, ngjajnë të lodhur me sherret shqiptare dhe nuk po nxitojnë të bëjnë zjarrfikësin në një vend që ka demonstruar edhe aftësinë e padurueshme të vetëndezjes. Një “arbitër” ndërkombëtar do ta zhdramatizonte disi në formë situatën, do të mund të afronte një zgjidhje kompromisi, por që për momentin, sa kohë palët janë në pozita krejt të ndryshme, ngjan si një mision i dështuar pa filluar. Në këto kushte, Meta, si pakkush, bën llogaritë e tij. Ai po kërkon në mënyrë të përsëritur që ta shmangë emrin e tij nga binomi Berisha-Rama, sidomos për një arsye krejt praktike. Nëse vendi do të nxitojë drejt një zgjidhjeje politike – sidomos pa mundur të përfitojë liberalizimin e vizave – partia e tij do të mund të ishte në një situatë dramatike. Në pamundësi për të marrë vota të djathta dhe në vështirësi serioze për të marrë vota nga rezervuari i tij i majtë, Meta do të kishte të vështirë të mbijetonte në një sistem të nesërm që do të bëhej plotësisht bipolar. Në këtë mënyrë, me dy dyer blu e rozë që me të gjitha gjasat do t´i mbyllen të nesërmen, ai po tenton të mbajë hapur një portë të tretë: portën me mbishkrimin: “Jam faktor për zgjidhjen e krizës”! Kjo është zgjidhja e vetme e Metës, më e vështira e mundshme, por që ai duket se do ta provojë fatin në bastin më të rëndësishëm politik që ai duket se po ve për të ardhmen e tij politike. Për një “kapriçio” të fatit, duket se Meta që e nxori Berishën nga halli i numrave në verën e këtij viti, duket se mund të shndërrohet në një nga pikat që mund të ndryshojnë fatin e qeverisjes në vend.
“Çdo takim mes Berishës dhe Ramës është pozitiv për të bashkëpunuar në këtë proces të rëndësishëm. Unë jam i hapur në çdo moment dhe theksoj se edhe maxhoranca është e hapur për të bashkëpunuar me opozitën", - është shprehur Meta, që ka lënë pas tani gjuhën apo heshtjen e dikurshme prej skifteri në përplasjen PD-PS dhe ka zgjedhur kostumin e diplomatit përtej veshjeve tradicionale PD-PS.
Ka dhe një arsye praktike që e bën Metën të nxitojë në këtë rrugë, që nuk është e re për të, pikërisht se është më e vështira dhe me më shumë të panjohura se kurrë. Pragmatist në thelb, ai me siguri di shumë më shumë sesa thuhet me gjysmë zëri në publik për mungesën e kontrollit të tij të plotë mbi katër mandatet e arta të LSI-së që i dhanë Berishës pushtetin në vend të pensionit. Largimi qoftë dhe i votës së vetme të deputetit-ministër Prifti nga ombrella e tij, do ta komplikonte në mënyrë të pakthyeshme raportin e shifrave në aleancën e tij me Berishën. Dhe do ta bënte të nesërmen e tij gjithashtu të komplikuar. Zëvendëskryeministri Meta dhe deklarimet e tij të fundit janë shenja më e qartë se situata po shkon në pikën e moskthimit; kur për të afruar një minimum qetësie në vend, vendi ka nevojë për një transfuzion të plotë zgjidhjeje politike. Meta instinktivisht e ka kuptuar i pari një gjë të tillë nga maxhoranca ku ai është i domosdoshëm, por dhe i huaj! Edhe nga opozita e sotme, shtëpinë e tij të dikurshme ku sërish e trajtojnë si të huaj. Kjo është dhe arsyeja se pse, përtej deklarimeve të tij, ngjan tashmë dukshëm se ai ka nisur një mision të pamundur. Të paktën në dukje. Sepse siç do të shprehej një diplomat i huaj, i cituar nga media shqiptare: "Si një vend i pjekur, anëtar i NATO-s dhe aspirant për në BE, ne presim që Shqipëria ta zgjidhë vetë këtë ngërç, por, me sa po shohim, koha po mbaron”. Dhe pikërisht koha është ajo çfarë duhet të humbë të fundit sot Shqipëria. Po të lexohet drejt, një gjë të tillë thotë dhe Meta, që tani, siç ka bërë rëndom gjatë karrierës së tij, ka luftuar edhe kur e ka pasur kohën kundër! Sidomos kur numërimi mbrapsht ka filluar dhe pranvera mund të afrojë shumë surpriza të paparashikueshme në këtë dimër të egër që sa ka filluar seriozisht.
Marrë nga revista “MAPO”
21 Dhjetor 2009