E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika e sulmeve personale: dëshpëruese!

Interviste me ambasadorin gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt
Nuk është asnjëherë e lehtë të marrësh një takim me ambasadorin gjerman në Tiranë Bernd Borchardt. Si pak diplomatët të tjerë të akredituar në vendin tonë, ai ka një ditë të mbushur me impenjime dhe aktivitet. Megjithatë, për kënaqësinë tonë, ai i ka pranuar të gjitha ftesat e revistës MAPO për shkrime dhe intervista. Në këtë numër, e pyetëm zotin Borchardt lidhur me disa prej zhvillimeve kryesore politike në vend dhe rolin e Gjermanisë dhe të BE-së në zgjidhjen e krizës aktuale në Shqipëri. “Pas pranimit të vendit tuaj në NATO, prisja që koha e toneve të hidhura në përballjet politike, e gjuhës së ashpër, e fyerjeve personale dhe kërcënimeve politike në politikë, tashmë të kishte marrë fund. Por fatkeqësisht jam gabuar”, shprehet ai.

Zoti ambasador, viti 2009 po i afrohet fundit. Çka sjellë ky vit në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë?
Marëdhëniet dypalëshe gjermano-shqiptare kanë pësuar një zhvillim të mëtejshëm shumë pozitiv gjatë vitit 2009: Ajo qö spikat veçanërisht është që qysh nga fundi i vitit 2008 kemi mundur të vëmë në dispozicion rreth 130 milion euro për bashkëpunimin me Shqipërinë. Gjatë vitit 2007 ishin vetëm rreth 20 milion euro për një vit. Në këtë mënyrë volumi i mbështetjes gjermane për Shqipërinë pothuaj është trefishuar në një hark kohor prej afërsisht 2 vitesh. Veç kësaj, ne mundëm të rrisnim ofertat tona për bursat, duke e çuar numrin në pothuaj 100, çka nënkupton një dyfishim të ofertës sonë në këtë fushë. Të gjitha këto i shërbejnë një qëllimi kryesor: të bëjmë Shqipërinë të gatshme për integrimin në BE.
Në fushën e kulturës ne organizuam sërish një “Tetor Gjerman” të suksesshëm, në kuadër të të cilit mundëm të shkëmbenim mendime me shumë shqiptarë, në lidhje me eksperiencën në rënien e komunizmit, që për ne, në mënyrë simbolike, lidhet me rënien e Murit të Berlinit 20 vjet më parë. Gjithashtu festuam 60 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës Federale të Gjermanisë, e cila vendosi gurin e themelit për një periudhë unike lirie dhe stabiliteti në histori.
Edhe në fushën e ekonomisë deri tani jam shumë pozitiv: Disa projekte të mëdha investimi gjermane, të nisura pjesërisht para vitit 2009, u realizuan këtë vit: Blerja e Profarmës nga kompania gjermane Dermapharm, ndërtimi i nisur i një qendre të madhe biznesi dhe logjistike, në me një volum investimi prej 140 milion eurosh nga grupi gjerman Lindner zonën e Rinasit, zgjerimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, të ndërtuar dhe drejtuar nga firma gjermane Hochtief, hyrja në treg e rrjeteve gjermane të supermarketeve në Shqipëri si Rossmann dhe Praktiker, marrja në ngarkim e procesit të ngarkim-shkarkimit në portin e Durrësit nga firma gjermane EMS Shipping etj. Stabiliteti politik në vend është një parakusht kyç në garën për investime të huaja. Vetëm para pak ditësh, nga fusha e biznesit m’u drejtuan me preokupim disa pyetje. Shpresoj, që së shpejti të mund t’u jap kompanive gjermane lajme më të mira mbi zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri.

Zoti ambasador, opozita e majtë po e bojkoton Kuvendin që nga muaji shtator. Një marrëveshje mes zotit Berisha dhe Rama duket e largët dhe e pamundur në këto kushte. Si mund të zgjidhet, sipas jush, kjo krizë?
Edhe unë jam i shqetësuar në lidhje me zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri. Zgjidhja është në dorën e politikanëve shqiptarë. Pas pranimit të vendit tuaj në NATO, prisja që koha e toneve të hidhura në përballjet politike, e gjuhës së ashpër, e fyerjeve personale dhe kërcënimeve politike në politikë, tashmë të kishte marrë fund. Por fatkeqësisht jam gabuar. Tanimë të dy kampet më të mëdha politike në Shqipëri duhet të gjejnë një zgjidhje. Para pak ditësh ministrat e jashtëm të BE-së -- të gjithë së bashku-- i kërkuan partive politike në Shqipëri të zhvillojnë një dialog politik konstruktiv, edhe në parlament. Në një dialog politik konstruktiv nuk ka vend për sulme ndaj individëve ose kërcënime dhune dykuptimëshe. Veç kësaj, më lejoni të sjell në kujtesë që Bashkimi Evropian në vitin 1993 ka përcaktuar të ashtuquajturat “Kritere të Kopenhagenit” si një parakusht për një pranim në BE. Stabiliteti politik dhe pjekuria demokratike bëjnë pjesë ndër kushtet veçanërisht të rëndësishme.

Qeveritë e Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë deri më sot presion mbi opozitën që t’i japë fund bojkotit dhe të kthehet në parlament. A mendoni se duhen veprime dhe hapa konkrete edhe nga ana e qeverisë në këtë aspekt? Cila do të ishte, sipa sjush, një sjellje korrekte e qeverisë në kushtet aktuale?
Një vullnet më i qartë dhe i dukshëm politik nga ana e të gjithë aktorëve politikë më duket i nevojshëm për të zgjidhur problemet në vendin tuaj. Ultimatumet me siguri nuk ndihmojnë, sikurse dhe sulmet personale. Në çdo vend, një përgjegjësi e veçantë për stabilitetin dhe zhvillimin e një vendi, bie mbi qeverinë. Nëse qeveria bën një hap të qartë, të dallueshëm për të gjithë dhe të kuptueshëm ndaj opozitës, atëherë kjo e fundit do ta ketë më të vështirë të kundërshtojë.

Fjalimi i kyeministrit në 26 nëntor në Parlament përmbante elemente që kishin të bënim me jetën private të zotit Rama. Cili është mendimi juaj për këtë fjalë të zoti Berisha?
Nuk do të komentoj këtu një fjalim veçantë, por do të doja të përsërisja, që më vjen shumë keq, që në vend të një dialogu konstruktiv politik, kërcënimet politike dhe sulmet personale aktualisht po luajnë një rol kaq të fortë në procesin politik në Shqipëri. Është krejt normale që opozita dhe maxhoranca të mos bien dakord, por debati politik duhet të kufizohet në çështje thelbësore.

Nëse kriza politike vjen e bëhet më e rëndë dhe komplekse në muajt e ardhshëm, sa do të prekte kjo perspektivën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian dhe procesin e liberalizimit të vizave?
Vendimin e ardhshëm të rëndësishëm, lidhur me çështjen e integrimit të Shqipërisë në BE, Këshilli do të duhet ta marrë, nëse Komisioni Europian do të ketë paraqitur rekomandimin e tij. Kjo, sipas gjasave, do të ndodhë në vitin 2010. Presidenca jonë aktuale e BE-së ka deklaruar, se diversiteti i mendimeve në politikë është normal, por duhet të zgjidhet përmes dialogut. Kjo është mënyra sipas së cilës funksionon BE-ja dhe kjo është rruga që duhet të ndjekë politika shqiptare, nëse Shqipëria do të integrohet në BE. I këtij mendimi jam dhe unë.
Sapo përmenda, se me çfarë shumash të mëdha e mbështet Gjermania afrimin e Shqipërisë me BE-në. Kjo thekson angazhimin e madh të qeverisë federale për Shqipërinë. Nga ana tjetër qyterarët në Gjermani dhe në vendet e tjera të BE-së duhet të binden, që Shqipëria i përmbush parakushtet për hapa të mëtejshme. Për këtë edhe Parlamenti Gjerman, i cili ndjek me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, duhet të pozicionohet. Në këtë pikë, Shqipëria duhet të kontribuojë përmes lajmeve pozitive nga vendi juaj, për të bindur deputetët dhe qytetarët.
Aktualisht në Shqipëri ndodhet një mision vlerësimi në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Në fillim të vitit 2010 Bashkimi Evropian do të dërgojë në Shqipëri një tjetër mision vlerësimi, i cili do të verifikojë nëse Shqipëria i përmbush kushtet për një liberalizim vizash. Gjermania e mbështet liberalizimin e vizave për Shqipërinë, sapo të jenë përmbushur kushtet e përcaktuara nga BE-ja. Vetëm në vitin 2009 Gjermania ka vënë në dispozicion më shumë se 1 milion euro për të mbështetur Shqipërinë në përmbushjen e kushteve për heqjen e regjimit të vizave, sie lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve të qënieve njerëzore dhe lëndëve narkotike, pastrimit të parave dhe përmirësimit të menaxhimit të kufijëve. Për fat të keq kohët e fundit nuk ka patur vetëm lajme të mira lidhur me përmbushjen e kushteve: Transparency International ka konstatuar në fushën e korrupsionit një përkeqësim të gjendjes në Shqipëri, Bashkimi Evropian konstatonte në raportin e progresit, se përpjekjet e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave ende janë në një fazë fillestare dhe duhet të intensifikohen. Liberalizimi i vizave nuk lidhet drejpërdrejt me politikën e brendshme shqiptare. Ne nuk duam “t'i shtojmë” kushte të tjera udhërrëfyesit. Por natyrisht që destabiliteti apo rreziku i emigrimit mund të ndikojnë vendimin.

Raporte të ndryshme të institucioneve ndërkombëtare kanë treguar se fundi se korrupsioni mbetet njëri ndër fenomenet negative kryesore në Shqipëri. Dy anëtarë të qeverisë po mbrohen nga imuniteti i tyre, përballë akuzash të ngritura nga drejtësia lidhur më dy skandale të mëdha. Si e komentoni këtë situatë konkrete?
Raporti i Progresit të Komisionit Evropian, i publikuar në tetor 2009, jep për këtë një përgjigje të qartë: korrupsioni vazhdon të mbetet një problem i rëndë për Shqipërinë. Nevojitet një metodë sistematike dhe strategjike për të vepruar ndaj korrupsionit dhe kulturës së mosndëshkimit. Shqipëria duhet të vendosë një politikë bindëse për dënimet dhe sanksionet e tjera në rastet e korrupsionit, veçanërisht ndaj rasteve të korrupsionit në nivelet e larta.
Përsa i përket dy rasteve që ju përmendni dhe rëndësia politike e të cilave për mua është e qartë, mirëpres me interes vendime të pavarura të prokurorisë. Sinjale të qarta në luftën kundër korrupsionit dhe për forcimin e institucioneve të pavarura të shtetit ligjor, e mbështesin Shqipërinë në arritjen e objektivave tona të përbashkëta: plotësimin sa më të shpejtë të kritereve për liberalizimin e vizave si dhe integrimin e Shqipërisë në strukturat e BE-së.

21 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›