E Diel, 1 Nëntor 2026

Një muaj nga bllokimi i importit të mallrave nga Serbia

Një muaj më parë, më 20 korrik, qeveria e Kosovës vendosi të ndalojë importimin e mallrave nga Serbia si një kundërpërgjigje ndaj ndalimit që ajo u kishte bërë mallrave nga Kosova pas shpalljes së pavarësisë së kësaj te fundit.Vendimi pasoi anulimin e raundit të gjashtë të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ku ishte planifikuar të debatohej çështja e vulave doganore të Kosovës që nuk njihen nga Serbia.Kështu raporton “Zëri i Amerikës”.

Pak muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina vendosën të mos lejojnë eksportimin e mallrave të Kosovës, pavarësisht marrëveshjes për tregti të lirë ne vendet e Evropës qendrore të njohur si CEFTA.

Një muaj pas vendimit të qeverisë së Kosovës, ekspertët e ekonomisë thonë se vendimi është arsyetuar tërësisht. Kryetari i Odës ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu në një bisedë për “Zërin e Amerikës” tha se masat e ndërsjellta tashmë po japin frytet e tyre.

Gërxhaliu deklaron se ndalimi i importeve nga Serbia nuk ka krijuar boshllëk në tregun e Kosovës. Shtetet e rajonit janë vënë në përpjekje për të fituar tregun dhe për të zëvendësuar importet nga Serbia që në vitin 2010 kishin arritur në rreth 320 milion euro.

“Vendet kyçe që e kanë bërë zëvendësimin, janë vendet evropiane. Është në rend të parë Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe Turqia, por edhe vendet tjera që vërtet e kanë gjetur këtë boshllëk që të plotësojnë prodhimet e veta dhe në qoftë se kishte për tu bërë një analizë e asaj se kush humb, atëherë me siguri ekonomia serbe do të jetë ajo e cila ka pësuar më së shumti. Duhet të kuptohet edhe një qasje psikologjike e konsumatorit, kur një treg humbet njëherë është shumë vështirë të kthehet dhe jam i mendimit se me këto procese politike dhe me këtë dozë të radikalizmit serb ndaj Kosovës, atëherë ekonomia serbe me të vërtetë ka humbur në këtë drejtim dhe do të jetë shumë e vështirë që të kthehet”, tha më tej ai.

Në mesin e vendeve që kanë parë një mundësi për të rritur eksportet e mallrave në Kosovë është edhe Kroacia. Diskutimi i këtyre mundësive pritet të jetë pjesë e vizitës që javën e ardhshme pritet të zhvillojë në Kosovë kryeministrja kroate Jadranka Kosor, vizitë kjo e cila nuk po shihet me sy të mirë nga Serbia, e cila e ka dënuar veprimin e autoriteteve të Prishtinës.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›