Serbisë nuk i kërkohet njohja e Kosovës, për integrim në BE

“Kurrë nuk kemi kërkuar njohjen e Kosovës, si një kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE. Megjithatë, ajo që ne presim është zgjidhje e problemeve për hir të normalizimit të marrëdhënieve. Nga përvoja jonë e dimë se ka hapësirë të madhe manovruese për ta bërë këtë gjë”, ka thënë për gazetën “Blic” Wolfram Mass, ambasador i Gjermanisë në Beograd. Mass ka thënë se edhe qëllimi i vizitës së kancelares gjermane, Angela Merkel, në Beograd është që të shohë se sa larg ka ecur Serbia në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës dhe nëse çdo gjë, po ecën si duhet në atë rrugë. Sipas tij, një kandidat potencial për anëtarësim në BE duhet të sigurojë stabilitet politik të shtetit, sundim të ligjit, sistem adekuat legjislativ dhe ligjor, sikur edhe marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal.
Kur përmenden bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore si kriter për progres në raport me anëtarësimin në BE, Mass thotë se e ka fjalën për Kosovën.
“Nuk kemi thënë në mënyrë specifike se si ajo marrëdhënie mes Beogradit dhe Prishtinës do të arrihet. Sa i përket Gjermanisë, ne e kemi njohur Kosovën si një shtet të pavarur. Ministri jonë i jashtëm, Guido Westerwellen, e theksoi vitin e kaluar në Beograd dhe tani në Prishtinë, para dhjetë ditësh, se kufijtë në këtë rajon janë përfundimtarë sa na përket neve”, tha Mass.
“Gjermania Perëndimore kurrë nuk e ka njohur Republikën Demokratike të Gjermanisë. Por ne i kemi respektuar kufijtë dhe kemi gjetur mundësi për të arritur marrëveshje në pothuajse të gjitha sferat, duke ua bërë kështu të mundur qytetarëve që të kenë një jetë normale. Nuk na takon neve të vendosim se çfarë mundësish do të gjejnë Prishtina dhe Beogradi në normalizim të marrëdhënieve mes tyre”, tha ai.
I pyetur nëse marrëdhëniet e dikurshme mes dy Gjermanive mund të përdoren si model për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Mass tha se këtë pyetje i duhet shtruar autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd, por në rastin e Gjermanisë Perëndimore dhe asaj Lindore “ia kemi arritur të gjejmë zgjidhje praktike për të gjitha problemet dhe për këtë na janë dashur 20 vjet”.
I pyetur nëse Gjermania e përkrah përpjekjen e Qeverisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin e vet në veri, Mass u përgjigj me kundërpyetje: “Do të shtroj kundërpyetje në lidhje me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, të cilës pala serbe i referohet vazhdimisht. Sipas asaj rezolute, është e qartë se Kosova është një zonë doganore. Ku është atëherë problemi?”