E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stefan Rohner, me biçikletë nga Spanja në Tiranë

 

E braktisi studion, kavaletën e portretin. Jeta e vërtetë ishte në rrugë. Kishte material pafund për të fiksuar e për t'ia treguar botës. Qysh kur zbuloi fotografinë, Stefan Rohner, i bie botës kryq e tërthor. Me aparatin fotografik në dorë, ai mundohet të fiksojë ç'të mundë. Për të çdo çast është i ri dhe i pakthyeshëm. Kjo filozofi e ka bërë Stefan Rohner, një nga fotografët më të njohur në botë. Fotografitë e tij, të realizuara në të gjithë botën, janë ndër më të vizituarat e të vlerësuarat. Ka realizuar kolazhe të tëra fotografish në Indi, Marok, Lituani... Ndërsa nisma e fundit është një udhëtim me biçikletë nëpër Mesdhe. Prej datës 1 gusht është nisur nga Spanja, ku ai tanimë jeton, për të kaluar nëpër Francë, Itali e për të përfunduar në Shqipëri, ku do të realizojë serinë e radhës. Në javën e parë të shtatorit, ai do të drejtojë një workshop për studentët e Shkollës së Fotografisë "Projekt 5.6", ndërsa do të ketë edhe një prezantim për publikun shqiptar. "Shkolla e fotografisë më ftoi për një seminar në Tiranë dhe unë vendosa të shkoj atje me biçikletë", - thotë Rohner, ndërsa saktëson se janë plot 2300 kilometra për të përshkuar nga Barcelona në Tiranë. Ai premton se gjatë rrugës do të shkarkojë në internet fotografitë më të fundit të realizuara gjatë udhëtimit. Stefan Rohner e ka nisur rrugën e tij të artit si piktor, por e "braktisi" atë për fotografinë, e cila në të vërtetë e bëri të njohur në të gjithë botën. "Piktura ishte një lloj çlirimi për mua. Tepër vetjake. Aty nuk ka të tjerë të përfshirë. Ishte diçka që vinte nga brenda meje dhe kërkonte të dilte jashtë. Piktura është një proces filozofik, që vazhdon deri në fund të punës. Disa piktura nuk përfundojnë kurrë, pasi idetë dhe ndjenjat tuaja ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme", thotë fotografi për një media të huaj.
"Ndërsa fotografia është ndryshe. E takova atë në një moment të veçantë të jetës sime, kur unë isha gati të "dilja" nga vetja ime dhe të hyja në një komunikim më të thellë me të tjera qenie njerëzore. Është si një binar me dy drejtime, nga unë tek ai që fotografohet dhe nga ai tek unë. Për mua fotografia është më e "thjeshtë". Është më pak abstrakte. Kur ju fotografoni një njeri me aparatin tuaj, në shumicën e herëve, krijoni një riprodhim imazhi, ndërsa në pikturë je i ndikuar më së shumti nga ndjenjat e tuaja, apo këndvështrimi yt", thotë ai, ndërsa përpiqet të shpjegojë arsyen pse kaloi nga telajoja, tek kamera. Kur nisi të merrej seriozisht me fotografinë, ai iu referua mjeshtërve më të mëdhenj të fotografisë. Studioi veprat e tyre, duke u përpjekur të gjejë çelësin e suksesit të tyre. Pasi kishte blerë shumë libra e aparate fotografikë, ai doli në rrugë për të kapur jetën e përditshme dhe momente të rëndësishme, duke lënë mënjanë portretin. Për të rrugët kanë një material pa fund. "Mund të takosh njerëz, të flasësh me ta, apo qoftë edhe të rendësh pa folur, duke kapur emocione. Nuk ka asnjëherë përsëritje. Momenti është gjithnjë i ri", thotë ai. Fotografitë e tij janë të ndara në disa cikle. Janë fotografitë nga "jeta e përditshme", ku shfaqen njerëz të zakonshëm, anonimë, në ambientin e tyre, duke ecur rrugës, duke punuar, duke pirë cigare, duke vrarë kohën, duke qeshur, duke u lutur, burra e gra që mbajnë në shpinë lodhjen e ditës. Janë ciklet e realizuara në vendet ku ai ka udhëtuar, si në Marok, Indi, apo Lituani, ku përmes fotografive zbulohen vende, njerëz, zakone. Janë edhe ciklet e portretit, ku gjen njerëz të së gjitha racave, që pozojnë përpara aparatit fotografik. Janë kryesisht fotografi bardhë e zi dhe më së shumti me karakter psikologjik. "Në botën tonë jemi të rrethuar nga imazhe luksoze, nga aktivitete sipërfaqësore në revista e televizione dhe besoj se nuk ka më nevojë për të prodhuar gjëra të tilla. Më pëlqen që të tregoj karaktere të forta, njerëz të mrekullueshëm", thotë Rohner, duke shpjeguar konceptin e punës së tij. "Shumica e njerëzve që pozojnë janë miq, fqinjë, njerëz normalë. Është e rëndësishme që modeli të ndihet komod. Duhet të ketë besim mes pozantit dhe fotografit. Fotografi duhet të ketë respekt për njeriun që ka përballë. Me disa njerëz të duhet shumë pak kohë, me të tjerë, është e nevojshme të komunikosh për një kohë të gjatë, për të vendosur një marrëdhënie besimi dhe qetësie", shton fotografi.                             al.mi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›