E Shtunë, 31 Tetor 2026

Është bërë një "rregull" për të inkurajuar korrupsionin?

Gjatë dy ditëve të fundit, 28-29 tetor, m'u desh të udhëtoja disa herë në ditë me autobuzat e linjës "Unaza" në Tiranë dhe më bëri përshtypje fakti që, në të gjitha rastet, pa asnjë përjashtim, fatorinot ndonëse mbanin në dorë bllokun e biletave, merrnin 30 lekët, dhe pa asnjë mëdyshje, nuk jepnin biletë. Kur njërit i kërkova billetën, m'u përgjigj: "Po zotni, merre, unë jam tolerant !".

Nuk e di nga kush administrohet kjo linjë, ndoshta nga parku i Bashkisë, sepse privati nuk mund t'a lejojë këtë gjendje, por më çudit fakti sesi është e mundur që gjithë autobusët (të paktën unë ndërrova disa prej tyre), veprojnë njëlloj: nuk presin biletë. Pra, e kanë vjedhjen të "ligjëruar" dhe, logjika e pranon se janë ortake me dikë që administron !

Por edhe këta "administratorë" si është e mundur që justifikojnë lëvizjen e autobusëve, konsumin e karburantit, të gomave, të pagave me një xhiro që, në këto rrethana, duhet të jetë minimale, aq sa venë "dorën në zemër " fatorinot dhe ata që janë pas tyre.

Me një korrupsion të tillë, është e natyrshme, që as mund të bëhet fjalë për përmirësimin e shërbimit urban, për vendosjen e kondicionerëve apo për investime për mjete të reja e të përshtatshme, si kudo në botë.

Por, më bëri përshtypje edhe fakti që, qytetarët paguajnë në heshtje fatorinon dhe askush nuk kërkon biletën. Përse ky indiferentizëm vallë ? Siç duket është bërë një "rregull" për të inkurajuar korrupsionin!

Mendoj se një situatë e tillë nuk është aspak normale, njëkohësisht, nuk është aspak e vështirë për të mënjanuar këtë fenomen të shëmtuar. Shpresojmë që organet përgjegjëse të zgjohen nga gjumi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›