INSTAT kundërshton ministrin e Financave, “rritja ekonomike jo 16%”
“Shifra 16 për qind e nxjerrë nga FMN-ja është ende në përllogaritje e sipër dhe jo përfundimtare”. Ka qenë ky deklarimi zyrtar i bërë dje nga INSTAT-i duke kundërshtuar kështu deklaratën e ministrit të Financave, Ridvan Bode, bërë vetëm një ditë më parë. Instituti i Statistikave nuk mbështet deklaratën e ministrit të Financave, Ridvan Bode, për një rritje ekonomike 16 për qind, bazuar në përllogaritjet e ekspertit të FMN-së pranë INSTAT-it. Burime zyrtare në këtë institucion shpjegojnë se vlerësimet që po bëhen nga eksperti janë “eksperimentale” dhe kurrsesi nuk mund të konsiderohen përfundimtare. Kjo dhe për faktin se ato mund të rrëzohen apo të ndryshojnë, në varësi të përllogaritjeve të mëtejshme që do të bëhen. INSTAT-i shpjegon gjithashtu se, “nuk mund të nxirren të dhëna për rritjen ekonomike për periudha 3-6 mujore, siç pretendon qeveria”.
Ushqimet e skaduara rishiten, IKU-ja u vendos subjekteve 3,8 milionë lekë gjoba
Inspektorati i Kontrollit Ushqimor ka kryer në shkallë vendi 6470 kontrolle të niveleve të ndryshme në subjektet prodhuese e tregtuese me shumicë dhe ka bllokuar mbi 251 tonë produkte ushqimore të skaduara, me një vlerë të përgjithshme prej 28 milionë lekësh. Gjatë kësaj periudhe, kontrollorët kanë ndëshkuar me masë administrative 48 prodhues dhe importues të prodhimeve ushqimore në rrethet Lushnjë, Tiranë, Fier, Vlorë, të cilët tregtonin mallra që nuk plotësonin standardet për konsum ose u kish kaluar me kohë afati i përdorimit. Vlera e gjobave të derdhura në arkën e shtetit nga Inspektoriati për 9-mujorin e vitit 2008 rezulton mbi 3.8 milionë lekë, njoftuan burime zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Ujësjellës-kanalizime, 2.5 miliardë lekë do të investohen në vitin 2009
Qeveria shqiptare parashikon të shpenzojë rreth 2.5 miliardë lekë për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve gjatë vitit 2009. Në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2009 në këtë sektor parashikohet të financohen një numër i konsiderueshëm projektesh, me shtrirje pothuaj në të gjithë vendin. Sipas specialistëve të këtij sektori, gjatë vitit 2009 synohet përmirësimi rrënjësor i furnizimit me ujë në zonat turistike e rurale të vendit sipas standardeve të përparuara, si dhe ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza për qendrat rurale. Ndërsa 1 miliard lekë parashikohen për grantin konkurrues që do të shpërndahet për këtë sektor në vitin 2009.
Ministri Ruli: “Raporti i KE-së tregoi progres në ekonomi”
Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, shpjegoi në mënyrë të hollësishme raportin e Komisionit Europian për progresin që ka bërë Shqipëria në sektorin e ekonomisë. Sipas tij, progresi në fushën e ekonomisë është evident, kryesisht për periudhën 2007-2008. Progres ka në sektorin energjetik, në fushën e privatizimit, evidentohet progresi në përmirësimin e klimës së biznesit, sidomos të biznesit të orientuar drejt eksportit. Gjithashtu, progres ka pasur në mbikëqyrjen e tregut dhe mbrojtjes së konsumatorit. Gjithashtu, Ruli tha se Shqipëria duhet të bëjë më shumë progres, në të gjithë sektorët, objektivat janë shumë ambicioze, por kërkojnë më shumë fonde nga shteti, më shumë burime njerëzore por mbi të gjitha vullnet.
Çmimet e karburanteve, ministri i Ekonomisë në mbrojtje të importuesve
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, ka komentuar dje situatën në tregun e karburanteve. Sipas tij, “rënia e çmimeve nuk është reflektuar në vendin tonë, pasi importuesit rëndohen nga kostot e transportit dhe nuk kanë mundësi financiare për të siguruar rezerva për një kohë të gjatë”. Në këtë mënyrë, ministri Ruli ka marrë në mbrojtje importuesit e karburanteve për çmimet e larta në treg. Që prej fundit të muajit korrik, kur nafta arriti në bursa rekordin historik të 145 dollarëve për fuçi, çmimet kanë rënë me më shumë se 84 dollarë. Ndërkohë që në tregun tonë të karburanteve rënia ka qenë me vetëm 30 lekë për litër. Aktualisht, në pikat tona të karburanteve, nafta D2 shitet me 133 lekë për litër, nafta e cilësisë së parë ose ndryshe eurodizel me 138 lekë për litër, ndërsa benzina me 140 lekë për litër.
“Blue Med”, marrëveshje për uljen e biletave të avionëve
Pakti që u firmos në Romë, i quajtur “Blue Med”, është një marrëveshje ndërajonale për lehtësimin e trafikut ajror në rajon dhe synon të ndikojë në uljen e kostove për operatorët e fluturimeve. Ajo rrjedhimisht do të çojë në uljen e biletave për turistët me destinacion Shqipërinë, Greqinë, Qipron, Maltën, Egjiptin, Tunizinë dhe Jordaninë. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe komisionieri i BE-së për Transportet, Antonio Tajani. Vitin e kaluar Bashkimi Europian nënshkroi një protokoll me vendet e Evropës Juglindore, por në rastin e Shqipërisë nuk është bërë asgjë për reduktimin e çmimit të biletave. Sipas marrëveshjes “Blue Med”, agjencia italiane “ENAV” do të koordinojë trafikun e linjave ajrore.
9 Nentor 2008