E Diel, 1 Nëntor 2026

MSH, vrull ankesash nga drejtoritë e spitaleve të rretheve



Emanuela Sako
Mungesat e theksuara në spitalet e rretheve po verifikohen nga Ministria e Shëndetësisë, e cila çdo ditë pret relacione të detajuara nga drejtoritë e spitaleve rajonale. Për zgjidhjen e mungesave në medikamente, aparatura dhe specialistë, Ministria e Shëndetësisë ka ngritur një grup pune, ëë ka kontakte direkte me rrethet, duke mundësuar plotësimin e kushteve më emergjente. Drejtori i Planifikimit të Politikave Spitalore në Ministrinë e Shëndetësisë, Arian Harxhi, shprehet se Ministria shqyrton dhe furnizon spitalet në mënyrë të vazhdueshme për problemet emergjente që ka. Ankesat e drejtorive të spitaleve rajonale janë për mungesat e barnave dhe të aparaturave, por një çështje tjetër që kërkon më shumë kohë dhe një strategji të detajuar është mungesa e mjekëve specialistë.
Situata
Situata në spitalet e rretheve aktualisht është e vështirë për shkak të krizës së shfaqur në gjithë sistemin shëndetësor gjatë gjithë këtij viti. Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë një nismë për hapjen e një shkolle njëvjeçare ku do të përgatiten menaxherë apo kontrollorë për t’u marrë me procedurat e tenderave që do të kryhen. Këta mund të jenë mjekë apo ekonomistë, të cilët do të bëjnë bilancet për mënyrën e shpërndarjes së medikamenteve. Njëkohësisht, detyra e tyre do të jetë verifikimi i shkeljeve që mund të bëhen me tenderat, si dhe do të bëhet vlerësimi i firmave që do të ofrohen për tendera për medikamente të veçanta. Shkolla 1-vjeçare që pritet të hapet brenda vitit tjetër, do të jetë pranë QSUT-së. Tashmë spitalet po koordinojë punën me njëri-tjetrin për plotësimin e mungesave, si dhe raportojnë vazhdimisht pranë Ministrisë së Shëndetësisë për problemet që kanë. Drejtori Harxhi shprehet se Ministria po merret edhe me procedurat e tenderimit të barnave dhe më pas do të nisë shpërndarja. Për zgjidhjen e kësaj situate, qeveria vendosi të shtyjë procedurat e tenderimit, ku pritet që së shpejti të vendoset një afat përfundimtar për shpërndarjen. Situata në spitalet rajonale në rrethe të ndryshme të vendit shfaqet tepër e vështirë. Njëkohësisht, ministria po angazhohet për të zgjidhur mungesën e theksuar të mjekëve, e cila është pjesë e draftit që po hartohet nga specialistët për plotësimin e nevojave që kanë spitalet për mjekë. Autoritetet shëndetësore kanë përcaktuar se cilët janë spitalet më problematike të vendit, duke cilësuar dhe shërbimet që nuk kryhen në këto spitale. Spitalet me mungesa më të dukshme të mjekëve janë një pjesë e madhe e spitaleve në Veri të vendit, si në Kukës, Tropojë, Dibër etj. Probleme të mungesës së mjekëve janë evidentuar edhe në jug të vendit, ku mund të përmenden Spitali Rajonal i Tepelenës, i Gjirokastrës, Sarandës etj. Shërbimet shëndetësore mbulohen në spitalet e rretheve të mëdha, ku mund të përmendet Tirana, Fieri, Durrësi, Elbasani, si dhe të gjitha ata spitale që kanë numër më të lartë popullsie dhe janë më afër kryeqytetit.
Spitalet
Ministria e Shëndetësisë do të përgatisë bazën ligjore për ta bërë më konkrete këtë nismë, e cila vitet e fundit është shfaqur tepër e domosdoshme. Burime nga Ministria e Shëndetësisë sqarojnë se në këtë nismë konkrete do të përcaktohet mënyra e mbulimit me mjekë të spitaleve të rretheve. Një element i rëndësishëm do të jetë edhe paga me të cilën do të vlerësohen mjekët që do të shkojnë në zonat e thella. Po kështu, do të vendoset edhe një mënyrë detyruese për mjekët që nuk dëshirojnë të punojnë në këto spitale. Specialistët e Shëndetësisë do të hartojnë bazën ligjore dhe masat konkrete për nxitjen e mjekëve për të punuar edhe në spitalet e largëta të vendit. Duket se mënyra kryesore e nxitjes për të punuar në këto zona do të jetë vlerësimi nëpërmjet shumës që do të marrë një mjek në fund të muajit, e cila për këtë kategori mjekësh do të ketë rritje.

Qytetarët tani mund të denoncojnë për efektet anësore të barnave

Kushdo ka mundësinë që të ankohet për barnat që shfaqin efekte anësore pranë autoriteteve shëndetësore. Kështu, të gjithë qytetarët, mjekët, ambulancat dhe spitalet mund të raportojnë efektet anësore të barnave mjekësore që përdorin pranë Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave. Kjo mënyrë e re shërben për të shmangur rastet e abuzimeve me barnat që tregtohen në farmaci dhe efektet anësore që shkaktojnë ato në organizmin e njeriut. Gjithçka bëhet në kuadër të hedhjes së hapave të parë në fushën e farmakovigjilencës, e cila kërkohet të bëhet një qendër e veçantë, posaçërisht për të pritur ankesat dhe për të kryer verifikimin e barnave të papërdorshme. Për të shmangur efektet anësore të barnave, QKKB-ja ka vënë në dispozicion të një numër telefoni, 2376-045 dhe adresën e e-mail-it informacion@qkkb.gov.al. Kjo mënyrë e re do të mundësojë raportimin e të gjitha efekteve anësore të barnave, si dhe veprimin e tyre pas periudhës së regjistrimit. Specialistët bëjnë të ditur se kjo nismë është marrë duke pasur parasysh nevojën e implementimit të kësaj fushe në vendin tonë, në përputhje edhe me direktivat e fundit të Bashkimit Europian dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Krijimi i një qendre farmakovigjilence në Shqipëri do të ndihmonte në vlerësimin dhe parandalimin e efekteve anësore dhe të të gjitha problemeve të tjera që lidhen me konsumimin e barnave. Specialistët e konsiderojnë tepër të rëndësishme ngritjen e kësaj qendre dhe nisjen e punës për të pritur ankesat e qytetarëve dhe kryerjen e verifikimeve të barnave në bazë të ankesave që do të vijnë. Farmakovigjilenca është një shkencë relativisht e re, e cila ka ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës, duke qenë se barnat radhiten si një ndër 10 shkaqet kryesore që sjellin si pasojë vdekjen. Një qendër e tillë në vendin tonë është e domosdoshme për të shmangur rastet e abuzimeve dhe rrezikun ndaj jetës së pacientëve.

9 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›