Ndihmë, është zhdukur i huaji im
Dje në mëngjes, ora duhet të ishte rreth shtatës, vendosa të blej një pushkë dhe të qëlloj disa zezakë. Por më parë doja të pija një lëng portokalli të freskët. Por veçse në kuzhinë portokallët kishin mbaruar. “Peru!”- bërtita. Por askush nuk u përgjigj. Kërkova kudo për shërbëtoren nga Peruja, madje edhe poshtë shkallës, aty ku i kishim caktuar të flinte. Por asgjë. Pyeta veten: Mos ndoshta Paola i dha një ditë pushimi, megjithëse i kishim dhënë një ditë vjet? Por jo, gruaja ime flinte ende. Kështu vendosa të marr mëngjesin te bar-kafeja aty pranë shtëpisë. Më pas thashë po shkoj të blej edhe pushkën. Dhe sepse tregu është te qoshja, po ble edhe portokallët.
Por te bar-kafeja më thanë se portokallët kishin mbaruar. Jashtë saj nuk kishte asnjë cigan. Epo thashë, me kaq pushime që u dhamë për festat, nuk do jenë kthyer akoma. Pastaj këta ciganët janë shumë të pasur. Por tani që do blej pushkën, mendova mund të qëlloj edhe disa prej tyre. Apo mund të qëlloj vetëm zezakët? Duhet të informohem pak. Kur dola në sheshin e tregut, shkova drejt tezgës ku ble gruaja ime. Por as tezga nuk ishte aty. As tregu. Shkova te gazetashitësi. E pyes: Më fal, tregu? E për çfarë e do? -mu përgjigj. Në këtë vend tashmë asgjë nuk funksionon. Imagjino, akoma po pres gazetat.-Epo mos ndoshta po i lexon transportuesi i tyre, bëra shaka. -Jo më thotë -transportuesi është rumun, lexon vetëm gazetat rumune. I drejtohem dyqanit të armëve. Por pronari në vend që ta hapte, po e mbyllte. çfarë dëshironi më tha? Një pushkë që të qëlloj zezakët -i thashë. Më tregoi vitrinat bosh. Kuptova dhe buzëqesha. Kur do vijnë armët e reja? Dëgjoni- më thotë. Natën ikën gjithë zezakët, kështu që për pasojë gjithë fabrikat e armëve u mbyllën. Pa zezakë, të qëllosh zezakët është një utopi. Ashtu si lëngu i portokallit- murmurita. Por duhet të informohem, ndoshta mundet që dikush të qëllojë mbi ciganët, rumunët, marokenët. Nuk e mësuat?- mu përgjigj. U zhdukën edhe ata. Gjynah -thashë unë. Gjynah -tha edhe ai.I mërzitur u drejtova për në shtëpi. Atëherë më zotëroi një parandjenjë e keqe. Nga celulari im i telefonova Panterës, një transeksualeje që kam qejf. Por numri më doli i panjohur. Ah, jo -thashë. Atëherë provova të marr Aliun, dilerin tim besnik. Por linja dilte e zënë. Vetëm në atë moment kuptova idenë e një fjalie të cilën e kisha lexuar vite më parë të shkruar në një mur: EMIGRANTë, JU LUTEM MOS Më LINI VETëM ME ITALIANëT!
(Fragment nga një artikull i shkrimtarit dhe gazetarit Giuseppe Culicchia, në gazetën “La Stampa”. Siç është bërë e njohur nga shtypi italian, disa ditë më parë, banorët e Rozarnos të Kalabrisë sulmuan me bekimin e mafies emigrantët, duke qëlluar disa prej tyre me armë) Përgatiti: Aleksandër Marku
#