E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjobë pleqve, mashtruan me pensionet

Historitë/ Gjykata: Përfitonin të holla nga gënjeshtra dhe falsifikimi
Dy të moshuar kanë përfituar pensione në mënyrë të paligjshme, duke falsifikuar moshën e hyrjes dhe daljes në pension. Si pasojë e këtyre mashtrimeve, ata janë dënuar nga Gjykata e Tiranës me gjobë, e cila shkon deri në 3 milionë lekë të vjetra. Të pandehurit kanë arritur të përfitojnë në mënyrë të padrejtë një pasuri të shtetit, duke përdorur gënjeshtrën, të pasqyruar në dokumente të falsifikuara. Z.C është denoncuar nga ISSH-ja, pasi nga hetimi i dosjes së pensionit me numër 333, janë gjetur parregullsi. Si prova në gjykatë janë paraqitur certifikata personale e të pandehurit Zylfi Cuko, e cila paraqet datëlindjen e këtij shtetasi më 26.11.1960. Në shqyrtim gjyqësor është administruar edhe një certifikatë tjetër personale e këtij shtetasi, e cila paraqet datëlindjen e këtij shtetasi më 26.11.1964. Sipas vendimit të gjykatës, Z.C ka rritur moshën me katër vjet. Në dosjen e pensionit vërehet se data e fillimit të punës për këtë shtetas është 2.11.1978. Nëse e krahasojmë këtë datë më datëlindjen e tij origjinale 26.11.1964 vërehet se ka filluar punë në moshën 13 vjeç e 11 muaj. Sipas gjykatës, ky fakt bie në kundërshtim të plotë me Kodin e Punës në fuqi të atëhershëm. I pandehuri është trajtuar në mënyrë të veçantë si punonjës miniere i nëntokës. Sipas gjykatës, i moshuari nuk i plotëson edhe vitet e punës për të marrë pension. “Në këto rrethana, i pandehuri Zylfi Cuko ka konsumuar plotësisht elementet e figurës së veprës penale të ‘mashtrimit’. I pandehuri ka vepruar me dashje të drejtpërdrejtë, kur ka paraqitur të dhëna të rreme, me qëllim plotësimin e moshës dhe përfitimin e padrejtë të pensionit”, deklaron gjykata, duke e dënuar përfundimisht me 200 mijë lekë gjobë, e cila duhet të paguhet brenda një viti.
Ndërkohë gjykata ka dënuar edhe të pandehurin G.L, për veprën penale të “mashtrimit”. Ai është trajtuar me pension pleqërie nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë. Nisur nga problemet e konstatuara në këtë drejtori është ushtruar një kontroll i përgjithshëm, duke përfshirë edhe dosjen e pensionit të të pandehurit. Nga verifikimi i akteve ka rezultuar se në vitin 1998, i pandehuri nuk e kishte mbushur moshën e parashikuar nga ligji, si një nga kriteret kryesore për të përfituar pension pleqërie. Ai ka paraqitur një certifikatë familjare dhe një certifikatë lindjeje, sipas së cilës G.L, figuronte i datëlindjes 2 mars 1938. Datëlindja e tij u ndryshua edhe në librezën e punës. Sipas gjykatës, të dyja këto dokumente përmbajnë të dhëna të rreme, pasi ai është i datëlindjes 20 maj 1952 dhe qëllimisht ka kërkuar të rrisë në mënyrë të kundërligjshme dhe me akte të falsifikuara moshën e tij. Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se i moshuari ka fituar padrejtësisht një pension mujor deri në momentin kur janë konstatuar parregullsitë dhe është ndërprerë edhe pagesa. Në gjykatë, ai ka pranuar se ka marrë pension, por ka shpjeguar se ai i ka dorëzuar të rregullta dokumentet dhe se kanë qenë persona të tjerë, të cilët ai nuk arrin t’i identifikojë, që i kanë plotësuar të gjitha procedurat.
Gjykata arrin në përfundimin se G.L, ka konsumuar veprën penale të vjedhjes me anë të mashtrimit, pasi me dashje ka marrë çdo muaj shuma në të holla, në formën e pensionit, në një kohë që nuk i plotësonte kriteret ligjore. “I pandehuri ka arritur të përfitojë në mënyrë të padrejtë një pasuri që nuk ishte e tij, duke përdorur gënjeshtrën të pasqyruar në dokumente të falsifikuara”, deklaron gjykata. Si përfundim, ai është dënuar me 2.7 milionë lekë të vjetra.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›