Vranë gjatë lojës me tavëll, dënohen me 12 vjet burg
Vendimi
Gjykata e Tiranës ka dënuar me 12 vite burg Donald Pregapuca dhe Arben Basha, pasi kanë vrarë në një zënkë e sipër 23-vjeçarin Edvil Koçon. Sipas gjykatës, Pregapuca është dënuar me 10 vjet e 4 muaj heqje lirie, nën akuzën e vrasjes ma dashje ndërsa bashkëpunëtori i tij, Arben Basha është dënuar me dy vjet heqje lirie, nën akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe pengimit për të zbardhur të vërtetën, pasi ka dhënë dëshmi të rreme në polici e prokurori. Shkak i këtij krimi, që ka ndodhur në mesin e muajit korrik të vitit të kaluar, është bërë një sherr banal midis viktimës dhe autorit. Dy të rinjtë ishin duke luajtur me tavëll dhe gjatë kësaj kohe kanë shkëmbyer fjalë, duke tallur njëri-tjetrin. Mirëpo fjalët, që në fillim u dukën si humoristike, vazhduan më tej, duke e degjeneruar bisedën midis dy bashkëmoshatarëve në sharje dhe ofendime. Në kulmin e lojës së tyre, 22-vjeçari Donald Pregapuca ka nxjerrë armën që e kishte marrë nga Arbeni dhe në gjaknxehtësi e sipër ka qëlluar në drejtim të shokut të tij. Plumbi e ka kapur viktimën në kokë, çka ka sjellë vdekjen e menjëhershme të tij.
#