E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Beqajn, objektivi është vendi i katërt

 

OERD ULQINI

Hungaria është një rival direkt për vendin e katërt në grup, ndaj nga ky këndvështrim, veç tre-pikëshit, çdo rezultat tjetër do të ishte zhgënjyes. "Nuk duhet të kujtojmë ndeshjen e shkuar me Hungarinë. Ajo është një kapitull i mbyllur. Tani e kemi rastin në Tiranë, dhe për mua është ndeshja më e rëndësishme e këtyre eliminatoreve", është shprehur portieri i Kombëtares sonë, Arjan Beqaj, në një konferencë për shtyp, dje nga rezidenca e kuqezinjve. Portieri që luan në Qipro tek Anorthosis Famagusta, ka përçuar tek publiku doza të larta optimizmi në prag të ndeshjes me Hungarinë. "Kjo është një ndeshje, e cila duhet fituar me çdo kusht", shtoi 33-vjeçari.
Presioni
Në këto 90 minuta është e qartë se kuqezinjtë do të luajnë vetëm për të fituar. Por sipas Beqajt, "ultimatumi" për të fituar ushtron trysni tek lojtarët për marrjen e rezultatit. Gardiani i portës tregohet realist, teksa shprehet: "Me skuadrat e nivelit të njëjtë, Shqipëria has vështirësi serioze. Në momentet më kyçe të eliminatoreve, pikërisht atëherë kur ne duhet të kontrollojmë lojën, vihemi nën presion. Nuk ndodh kështu kur përballë kemi skuadra shumë të forta. Atëherë luajmë më mirë, pasi jo vetëm që nuk vihemi nën trysni, por edhe i presim në mbrojtje kundërshtarët, duke i goditur me kundërsulm".
Objektivi
Kundërshtari i radhës, Hungaria, duket i fortë. Këtë fakt e miraton portieri kuqezi. Por sipas tij, tifozët duhet të tregohen realistë për mundësitë e kësaj skuadre. "Objektivi ynë kryesor është arritja e vendit të katërt, pra e thënë ndryshe lënia poshtë nesh e Hungarisë", deklaroi Beqaj. Për këtë të fundit, ëndrra për ta parë Shqipërinë në arenën e ndonjë Botërori, apo Evropiani të futbollit, kërkon kohë dhe mund të arrihet vetëm gradualisht, duke u ngjitur fillimisht në vazon e katërt, të tretë e më pas në dy të parat. "Ndeshja me Maltën na goditi rëndë dhe ne nuk mund t'ia bëjmë qefin kot njerëzve, se do të shkojmë në Botëror", argumentoi kosovari i kuqezinjve. Nisur nga këto gjykime, portieri mendon se Hungaria është ndeshja kyçe për renditjen e Shqipërisë në vendin e katërt në grup. Në rast humbjeje apo barazimi, shpresa për ta lënë pas atë do të shuhej plotësisht.
E ardhmja
"Në Ballkan, njerëzit e duan suksesin e madh brenda një kohe të shkurtër. Gjërat vijnë gradualisht, ndaj duhet të tregohemi të matur. Kombëtarja është në rrugë të mirë dhe në ngjitje të vazhdueshme, por për të arritur në Botërorin e 'Afrika 2010' është thuajse e pamundur. Skuadra të tjera të grupit si Danimarka, Portugalia apo Suedia do të shkojnë në Afrikë. Nëse ngjisim vazot, atëherë mund të shpresojmë për Botërorin e vitit 2014", u shpreh Arjan Beqaj për të ardhmen e përfaqësueses. Këto fjalë janë thuajse të njëjta me ato që ish-trajneri i Kombëtares, Oto Bariç, kishte deklaruar në prag të ndeshjes Shqipëri-Holandë. "Plaku i mençur" i futbollit e kishte kuptuar se rruga e Shqipërisë në Botëror do të kalonte vetëm përmes etapave. Ndoshta është thjesht rastësi, por gjykimi i kroatit është i njëjtë me atë të portierit Arjan Beqaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›