E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besdia e mushkonjave shkakton edhe sëmundje

Sëmundjet dhe shqetësimet që shkaktohen nga insektet, rreziku prej të cilave është më i madh gjatë stinës së verës, përbëjnë një problem të rëndësishëm për shëndetin publik. Insektet ndikojnë tek njerëzit jo vetëm me bezdisjen dhe shqetësimet që ato mund të japin, por edhe me rolin e tyre në transmetimin e sëmundjeve të rëndësishme. Sipas specialistëve të shëndetit publik, insektet që shqetësojnë më shumë njerëzit gjatë sezonit veror janë mushkonjat. Ndaj, mjekët dermatologë këshillojnë njerëzit të mbrohen sa më shumë nga mushkonjat, sepse ato janë shkaktare të infeksioneve të lëkurës. Kujdes duhet të tregohet edhe nga insektet e tjera, pasi jo vetëm mushkonja sjell infeksione të tilla. Për të evituar futjen e mushkonjave në mjediset e brendshme, njerëzit duhet të vendosin rrjeta në dritare dhe dyer nëpër banesa, hotele, mjedise publike, shkolla, kopështe, çerdhe, spitale, institucione publike, etj. Sipas specialistëve, reduktimi i aktivitetit në mjediset e jashtme, sidomos për fëmijët, në orët e pikut të aktivitetit të mushkonjave, mëngjes dhe mbrëmje, mund të ndihmojë gjithashtu në shmangien e pickimeve. Por, specialistët vënë theksin tek eliminimi i ujrave të ndenjura në banesa, bodrume dhe përreth tyre, por dhe i pjatave e vazove të luleve, ndërsa është i nevojshëm pastrimi i shpeshtë i pusetave dhe i zonave të shkarkimit të ujrave të tyre. Shatërvanët dhe akuariumet dekorative në mjediset publike dhe shtëpiake duhet të mbahen të pastra, pohojnë specialistët. Sipas tyre, kujdes duhet të tregohet në eliminimin e pellgjeve e gropave me ujë, që krijohen gjatë punimeve të ndërtimit të godinave në zonat urbane, ose trajtimi i tyre me larvicid, nga ana e firmave të ndërtimit.          

Të dhëna për mushkonjat

Mushkonjat janë insekte fluturuese me dy krahë, që përfshijnë rreth 2.000 lloje në të gjithë globin. Ato gjenden që nga zonat e ulëta deri në majat e larta të maleve, kanë krahë të gjatë, të hollë e me degëzime të larmishme. Mushkonjat, kur pickojnë, injektojnë pak nga lëngu i gjendrave të pështymës në plagën që hapin. Disa prej mushkonjave janë në gjendje të injektojnë mikroorganizma infektues dhe të transmetojnë sëmundje të ndryshme si malarien, Chikungunjen, ethet e Verdha, ethet Dengue, filariozën, ethet e Nilit Perëndimor, etj. Mushkonja e zakonshme e shtëpisë është Culex pipiens. Në Shqipëri ndodhen 12 lloje të gjinisë Culex. Llojet që transmetojnë malarien i përkasin gjinisë Anopheles, e cila në Shqipëri përfaqësohet nga 11 lloje dhe gjinia tjetër Aedes përfaqësohet me 12 lloje, ku bën pjesë edhe mushkonja aziatike tigër, Aedes (Oclerotatus) albopictus. Mushkonja tigër ka hyrë në vendin tonë që prej vitit 1979 me anë të anijeve, të cilat sillnin mallra nga Kina. Sot mushkonja tigër është përhapur, veçanërisht, përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit. Kjo mushkonjë ka shkaktuar këto vitet e fundit (2006 - 2007) shpërthime të Chikungunjës në Itali dhe rreziku i shfaqjes së kësaj sëmundje ekziston edhe në vendin tonë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›