E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ohri i rrëmben Strugës netët poetike



Një vendim i komentuar si politik ka bërë që Mbrëmjet Strugane të Poezisë (MSP) të shpërngulen nga qyteti i Strugës drejt atij të Ohrit, ku edhe pjesa dërrmuese e popullsisë është maqedonase. Kështu ka vendosur shumica e anëtarëve të Këshillit Drejtues të MSP-së, të cilët vendimin në fjalë e kanë arsyetuar me prezantimin sa më të denjë të Ohrit si qytet turistik dhe qytetin e kulturës maqedonase. Megjithatë, vendimi që është mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës, është kundërshtuar nga qytetarët struganë, sipas të cilëve shpërngulja e Mbrëmjeve Strugane të Poezisë nënkupton edhe shkatërrimin e këtij evenimenti kulturor. “Për ne struganët, është i papranueshëm fakti që evenimenti i Mbrëmjeve Strugane të Poezisë do të zhvillohet edhe në Ohër, konkretisht në 'Gjirin e eshtrave'. Me këtë vendim, Strugës i mbetet vetëm hapja dhe mbyllja protokollare e evenimentit, ndërsa ngjarja kryesore, do të zhvillohet në qytetin fqinj”, thotë përfaqësuesi i shoqatës “Struga jonë”, Mirço Milevski. Sipas këtij të fundit, anëtarët e Këshillit Drejtues të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë duhet të reformojnë evenimentin dhe të ndryshojnë thelbin e jo të merren me vendin ku zhvillohet festivali. “Krenaria ndërkombëtare e struganëve janë vëllezërit Miladinovci dhe evenimenti i poezive, ndërsa tani, dikush dëshiron të na humbë identitetin tonë nëpërmjet këtyre shpërnguljeve të tmerrshme" shton ai. Sipas gazetës “Koha” të Maqedonisë, ky veprim ka një konotacion të qartë politik dhe nuk dëmton vetëm kulturën dhe reputacionin e struganëve, por edhe ekonominë e qytetit, hotelet, baret dhe restorantet, të cilat gjatë zhvillmit të festivalit kanë fitime të konsiderueshme. Këshilli Drejtues i këtij evenimenti është i sigurt se edhe viteve tjera, Mbrëmjet Strugane të Poezisë do të transferohen në Ohër. “Festivali nuk transferohet komplet nga Struga, por ngjarje të tij do të zhvillohen edhe në Ohër. Me shpërnguljen e një pjese të programit në Ohër, ne vetëm e promovojmë këtë qytet si pjesë të kulturës dhe të traditës maqedonase, duke e ndihmuar kështu edhe turizmin në Liqenin e mrekullueshëm të Ohrit”, ka sqaruar vendimin për shpërngulje poeti, antar i Këshillit Drejtues të MSP-së, Sllave Gjorko - Dimoski. Megjithatë, nuk është aspak normale që një traditë gati gjysmë shekullore të ndryshojë në një mënyrë të tillë.

20 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›