E Diel, 1 Nëntor 2026

Një pension, heronjtë e sportit e meritojnë Ndër qindra apo mijëra figura të sportit në Shqipërinë e viteve të socializmit mund të bëhet një grup prej ndoshta 100 vetësh, që mund të jenë maja e cilësisë dhe për të cilët shoqëria, e sintetizuar

Bledar KUKA- Nuk është diçka e thjeshtë dhe shumëkush mund ta hedhë poshtë duke marrë shembull nga vendet e tjera ish-socialiste. Por kur mëson se një legjendë si Panajot Pano jeton me një pension prej 30 mijë lekësh në muaj (230 euro), nuk ka si të mos mendosh për të gjetur një rrugëzgjidhje. Për një njeri normal, 70-vjeçar, në kushtet e Shqipërisë, 30 000 lekë si pension nuk duken gjë e vogël, ndonëse shpesh fatura e energjisë arrin edhe 10 000 lekë, por Pano nuk është një qytetar kaq i thjeshtë dhe kaq normal.

Bëhet fjalë për futbollistin e shpallur si më të mirin në 60 vitet e fundit, edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), në përvjetorin e 50-të të UEFA-s. Bashkë me Panon janë edhe disa të tjerë emra si Fatmir Frashëri, Sabah Bizi, Mexhit Haxhiu apo ndonjë tjetër. Përtej futbollit, Agim Fagu, Gazmend Çaçi, Ela Tase, Shaban Uka, Mimoza Ibrahimi apo edhe figura të sporteve të tjerë, meritojnë të kesh një vëmendje më shumë.

Ndër qindra apo mijëra figura të sportit në Shqipërinë e viteve të socializmit mund të bëhet një grup prej ndoshta 100 vetësh, që mund të jenë maja e cilësisë dhe për të cilët shoqëria, e sintetizuar në organet shtetërore, mund të mendojë një shpërblim financiar, atë shpërblim që ata e humbën në vitet kur bënë sport.

Për këtë temë më ra mendja kur lexova “Heronjtë e Uritur të 1967”-ës që bënte fjalë për brezin e Dinamos së Zagrebit që fitoi Kupën UEFA (atëherë Kupën e Panaireve) më 1967 duke mundur në finale Lids Junajtid të Anglisë, 2-0 e 0-0. Sot e kësaj dite mbetet kupa dhe finalja e vetme evropiane nga një skuadër kroate futbolli.

“Heronjtë e Dinamos së 1967-ës janë kryesisht, të uritur, - shkruan gazetari i njohur i “Jutarnji Listit”, Tomisllav Zhidak, - dikush i shtyn ditët si pensionist, dikush tjetër ka një kafene e cila ecën “ashtu-ashtu” dhe në këtë gjendje në shoqatën “Dinamo-Qyteti i Zagrebit” lindi ideja për t’i siguruar atyre një pension.

Pagesat në ato vite as nuk mund të afrohen tek këto të sotmet kur Luka Modriç fiton në javë 40 000 euro, apo 270 000 kuna kroate siç e llogarit Zhidaku. Propozimi ishte për 5 000 kuna në muaj për secilin nga ai brez, që i bie jo më shumë se 700 euro dhe për të gjithë, “barra” arrin në 14 000 euro në muaj, apo 168 000 euro në vit. Bëhet fjalë për shpenzim fare të vogël në një qytet si Zagrebi që ka një buxhet vjetor prej mbi 1 miliardë eurosh (8 miliardë kuna për vitin 2009), madje disi i zvogëluar në krahasim me vitet e kaluara, për shkak të krizës ekonomike.

Tirana nuk i ka mundësitë e Zagrebit, kjo është e qartë dhe nëse shikon buxhetin e Bashkisë për vitin 2009, me një vlerë prej 7.64 miliardë lekësh (më pak se 60 milionë euro). Por në një nismë për yjet sportivë e Shqipërisë në vitet 1945-1990 mund të ndërfuten edhe fondet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve apo fondet e bashkive të qyteteve të tjerë si Shkodra, Vlora, Durrësi, Elbasani apo Korça.

“Është diçka shumë e mirë të sensibilizohet opinioni dhe organet përkatëse, - thotë Kreshnik Tartari, ish-trajneri i Dinamos-legjendë të volejbollit të femrave, - vajza si Ela (Tase) apo Moza (Ibrahimi) e shkrinë jetën e tyre të sportit pa fituar ndonjë gjë dhe ju dha mundësia të dilnin jashtë kur ishin thuajse në fund të karrierës”. Bashkë me Ilir Cirinakun, të dy rrinë ulur në shkallët e ftohta të tribunës A të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, duke ndjekur një gjysmëfinale të kupës së Shqipërisë.

Më 1991, ndërsa Shqipëria merrte pjesë në Lojrat Mesdhetare në Athinë, Tartari kujton sesi vajzat ishin me kontrata nëpër duar. Alketa Doçi, Agi Babuli apo të tjera kishin ende të ardhme përpara, madje Doçi ishte krejt e re, por për Ela Tasen ishte vonë. Kryevolejbollistja shqiptare po i mbushte ato ditë 33 vjeç, e çfarë i kishte mbetur për të dhënë ende në fushë.

Kur pyet Panon për këtë temë, ai kthen një përgjigje me pak fjalë: “Gjithçka e arrita në jetë, vetëm kapital nuk vura”. Ai nuk ka pendesa të mëdha në jetë, por e kupton se do të kishte dashur të provonte veten në një nga ligat më të forta të Europës në atë kohë. “I gjithë brezi im, jo vetëm unë apo Skënder Halili, Sabah Bizi, Mexhit Haxhiu, Fatmir Frashëri e të tjerë, po ju them të gjithë, mund të luanim shumë mirë nëpër kampionatet më të fortë të Europës”, - pohon.

Pano e humbi rastin për të luajtur në Turqi me Fenerbahçen dhe për t’u bërë milioner, siç i premtoi më 1961 presidenti turko-shqiptar I atij klubi, Myslym Beu. Edhe Sabah Bizi nuk mundi të luante jashtë, ndonëse më 1971 në Karlsruhe të Gjermanisë e takuan menjëherë disa menaxherë. “Për Sabahin erdhën menaxherë, - thotë ish-trajneri i Dinamos, sot tek Elbasani, Farruk Sejdini, - nuk ishin përfaqësues të një klubi të caktuar, por siç duket do të ndërmjetësonin që ai të luante në një klub në Gjermani”.

Jo çdo shtet ish-socialist, siç e theksova më lart, u jep pensione ish-sportitëve të njohur. Sllovenia, për shembull, nuk e ka këtë politikë, kështu rrëfen legjendari skiator Bojan Krizhaj, një nostalgjik i ish-Jugosllavisë. “Nuk ka pension shtetëror për sportistët, - thotë ai në një intervistë për “skijanje.co.yu”, - përsa kohë janë aktivë, i punësojnë në dogana dhe polici. S’ka asnjë lloj fondi. Asgjë”.

Në ish-Jugosllavi shumë figura të sportit mundën të përfitonin duke u transferuar jashtë, megjithatë në Serbi, ekziston një ligj për pensione shtetërore për sportistët mbi 35 vjeç, që kanë fituar medalje olimpike, botërore, evropiane. Shifrat janë nga 38 000 dinarë (420 euro) në muaj, deri në 114 000 dinarë (1260 euro) në muaj.

Sporti shqiptar, për arsye të një izolimi të skajshëm, nuk arriti në nivelet e medaljeve të tilla, ndonëse Elisabeta Karabolli u bë kampione e Europës në qitje, skuadra e Dinamos në volejboll për femra doli e treta në Kupën e Kampionëve, peshëngritës si Agron Haxhihyseni, Artur Duraj, Ilir Suli apo edhe Luan Shabani morën medalje bronzi evropiane. Shumë më tepër medalje u morën nëpër ballkaniada, por edhe në Lojrat Mesdhetare, me kulmin në Latakia të 1987-ës, por edhe 8 medaljet e 1991-it (4 argjendi).

Haxhihyseni fitoi medalje bronzi në kampionatin evropian të vitit 1987, në Reims të Francës, pesha 52 kg. Suli, medalje bronzi në kampionatin evropian më 2000, pesha 77 kg.  Luan Shabani fitoi medalje bronzi për Shqipërinë më 1989 në kampionatin evropian, pesha 56 kg dhe medalje argjendi më 1990 në Alborg të Danimarkës po në 56 kg. Artur Duraj fitoi medalje bronzi më 1990, në Alborg të Danimarkës në peshën 60 kg.

E Hene, 16 Mars 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›