Biznesi në vështirësi, dërgon 14% më pak të ardhura nga tatimi mbi fitiminNga Sektori privat në Shqipëri gjatë pjesës së parë të vitit të tanishëm ka pësuar një rënie të ndjeshme të aktivitetit të tij gjë që ka bërë që edhe fuqia e tij për të pa
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Biznesi në vështirësi, dërgon 14% më pak të ardhura nga tatimi mbi fitiminNgaSektori privat në Shqipëri gjatë pjesës së parë të vitit të tanishëm ka pësuar një rënie të ndjeshme të aktivitetit të tij gjë që ka bërë që edhe fuqia e tij për të paguar taksa të jetë më e vogël. Të dhëna zyrtare të ministrisë së financave bëjnë të ditur se të ardhurat nga zëra që tregojnë drejtpërdrejt aktivitetin e biznesit kanë patur mosrealizimin më të madh gjatë këtyre gjashtë muajve. Kësisoj të ardhurat nga tatimi mbi fitimin, një zë ky që tregon qartë xhiron e biznesit, janë realizuar vetëm 86 përqind dhe duke bërë që në buxhet të mungojnë për këtë shkak rreth 1,1 miliardë lekë ose rreth 11 milionë dollarë. Siç është bërë e ditur të ardhurat kanë patur mosrealizime të qarta edhe në tatimin mbi vlerën e shtuar, akcizë etj. Duhet thënë se edhe tatimi mbi vlerën e shtuar është një tregues në lidhje me xhiron e biznesit por megjithatë fuqinë e biznesit për të rritur investimet, për të zgjeruar aktiviteti apo të vënë në punë të gjithë kapacitetin e etj e tregon më qartë tatimi mbi fitimin në një kohë që tatimi mbi vlerën e shtuar është një tregues më i qartë për konsumin dhe shitjet. Vitin e kaluar në fund të verës Fondi monetar ndërkombëtar tha se ekonomia shqiptare po hyn në një fazë potenciali i biznesit për të paguar taksa po mpaket dhe kërkoi që programimi i të ardhurave të ishte më i kujdesshëm. Qeveria shqiptare nisur edhe nga fakti që kishte mundur të mbledhë të ardhura të konsiderueshme vite më parë vijoi të programonte edhe për vitin 2009 me të njëjtin ritëm ndërkohë që efektet e krizës ekonomike botërore ranë mbi ekonominë shqiptare. Tashmë shihet se biznesi është vënë në vështirësi, se fitimet e tij kanë rënë dhe kjo do të thotë se mundësitë e tij për të çelur vende pune janë duke rrëshqitur nga koordinatat e mëparshme, se ai e ka të pamundur të rrisë investimet. Një mori të dhënash të tjera ia bashkëngjiten treguesit mbi të ardhurat që vijnë nga tatimi mbi fitimin duke e bërë edhe më të pakundërshtueshëm faktin që sektori privat është në rrudhje. Importi i makinerive dhe i pajisjeve ka rënë duke shkuar në arsyetimin se investimet e biznesit janë zvogëluar. Po ashtu disa mijëra vende pune janë humbur dhe konsumi në vend në disa grupe të rëndësishme mallrash ka rënë. Vlera e tatimit mbi fitimin në Shqipëri është ulur ndjeshëm dhe ka shkuar në 10 përqind dhe megjithëkëtë vlerë të ulët të kësaj takse sërish biznesi nënë efektet e krizës ekonomike botërore është në vështirësi. Të dhënat dëshmojnë se ekonomia shqiptare, ndonëse e parënë në recesion por me rritje modeste prej 1 përqindësh, do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë të vuajë këto efekte. Disa prej vendeve të Europës të zhytura në recesion po dalin prej tij dhe treguesit atjepari premtojnë këtë gjë ndërkohë që treguesit në ekonominë tonë ende janë larg këtij premtimi.