Sa majtas ka shkuar Partia Demokratike?Nga Fitim ZekthiKëto ditë është duke u zhvilluar një debat i përciptë në lidhje me faktin se sa e majtë është dhe sa duhet të jetë partia socialiste. Partia Demokratike që ka fituar zgjedhjet është në një fushat
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Sa majtas ka shkuar Partia Demokratike?Nga Fitim ZekthiKëto ditë është duke u zhvilluar një debat i përciptë në lidhje me faktin se sa e majtë është dhe sa duhet të jetë partia socialiste. Partia Demokratike që ka fituar zgjedhjet është në një fushatë të përhershme, por jo mbi natyrën e saj si parti e djathtë, jo mbi qasjen apo largimin e saj ndaj të djathtës. Partia Demokratike i është larguar gjithmonë një çështjeje të tillë dhe gjithë këto ditë po dëshmojnë se ajo është duke zënë vend në të majtë të politikës shqiptare, jo thjesht me faktin që është e angazhuar në një fushatë të përhershme, e cila për definicion është një qasje plotësisht e majtë. Në debatin mbi të majtën dhe të djathtën që në krye duhet thënë se një tregues më i vërtetë për bindje të tilla është metoda e argumentimit se sa deklarimi i parimeve. E djathta beson se arsyeja njerëzore ka gjithnjë kapacitet të vogël dhe se eksperienca me dijen e akumuluar janë ato që duhet të sundojnë vendimmarrjen. Ndryshimet rrënjësore janë shkatërruese ose të pamundura. Të djathtët nuk besojnë tek pushteti i planeve 10 pikëshe apo tek programet 100 ditësh. Të majtët besojnë tek ky pushtet, ata janë shumë të dhënë pas zotësisë së arsyes individuale dhe aftësive për ndryshime rrënjësore. Nisur nga ky këndvështrim të djathtët gjithnjë kanë luftuar për qeveri të vogël. James Madison, një prej themeluesve të SHBA-së dhe të kushtetutës së saj, në lidhje me rolin e qeverisë thoshte se “nëse njerëzit do të qeveriseshin nga engjëj atëherë nuk do të kishte nevojë për kontroll të brendshëm të qeverisë, por nëse autoritetet qeverisëse do të ishin engjëj duhet të kishte patjetër kufizim mbi atë se çfarë duhet të bënte dhe çfarë nuk duhet të bënte qeveria.” Tërë mendimi politik mbi të djathtën e ka shumë të rëndësishme këtë fjali e cila ka çuar në programe, teori e kushtetuta të shumë vendeve. Partia Demokratike në Shqipëri është duke folur këto ditë për tokat që nuk punohen dhe për martesat e homoseksualëve.
Një qeveri e djathtë është për natyrë e kufizuar dhe gjërat bazë që e kufizojnë një qeveri të djathtë janë familja, feja, shkolla dhe biznesi. Një prej teoricienëve më të rëndësishëm sot të mendimit politik mbi rolin e qeverive të djathta, Ryan Messmore, thotë se një qeveri e djathtë ka për detyrë të shprehë dhe të artikulojë të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve dhe t’i mbrojë ato kur kërcënohen. Një qeveri nuk ka të drejtë të krijojë të drejta. Partia Demokratike, duke u larguar në skaj nga ky qëndrim themelor për të djathtën, ka krijuar të drejtën e marrjes së tokës kur nuk punohet dhe ka hapur rrugën për të drejtën e martesës së njerëzve me sekse të njëjta. (Rastet kur qeveria ka krijuar të drejta janë shumë më të mëdha e nuk do forconin argumentin duke i numëruar.) Benjamin Franklin thoshte se një popull i virtutshëm është në gjendje të jetojë i lirë dhe kjo është arsyeja pse familja, feja, shkolla dhe biznesi janë kufizuesit themelorë të veprimit të një qeverie të djathtë. Partia Demokratike dhe qeveria e saj janë në sulm për të shkuar gjithnjë e më majtas dhe kjo jo thjesht me fushatën e përhershme si përmasë e majtë apo me artikulimet mbi pronat dhe martesat gay. Partia Demokratike, për shembull, vetëm duke u nisur nga argumente të bazuar mbi kushtet e tashme dhe nga rrethanat mbron të dënuarit nga komunizmi dhe sulmon njerëzit e regjimit të djeshëm. Ajo është duke e thelluar këtë gjë dhe nuk ka artikuluar mendim të bazuar jashtë kushteve dhe rrethanave. Edhe vendimet që janë marrë për këtë gjë janë ndikuar po nga kjo mënyrë argumentimi dhe jo nga ajo që Richard Weaver e quan etikë e fisme. Mendimi i djathtë i artikuluar nga Partia Demokratike në lëmë të uljes së disa taksave nuk ka ardhur bazuar në besimin se qeveria duhet thjesht të artikulojë të drejtat e individit (si edhe përgjegjësitë e tij) dhe jo të krijojë të drejta apo se qeveria duhet të çmojë se duke më e vogël ajo nxit shpresën, besimin dhe pritshmëritë se familja dhe feja, shkolla dhe organizimet vendore kanë më shumë rol në mbrojtjen e virtytit njerëzor. Vendimet e tjera të qeverisë së Partisë Demokratike në lidhje me arsimin dhe shëndetësinë, për shembull, tregojnë qartë se ajo ka shkuar shumë majtas. Qeveria ka marrë përgjegjësitë për të arsimuar gjithkënd duke mos i lënë atij asnjë përgjegjësi, as për të kaluar klasën për shembull. (Argumentet pse shëndetësia dhe arsimi janë moçale të majta janë shumë më të gjëra.) Një muaj pas zgjedhjeve të fundit, Partia Demokratike nuk po shfaqet fare në spektrin e djathtë të politikë shqiptare. Edhe ligjet që po propozon dhe ata që ka bërë më parë i ka bërë nisur nga një pozicion që e beson shoqërinë siç është artikuluar nga mendimi i majtë, si një kontratë rusojane mes qytetarëve dhe qeverisë. E djathta, që nga E Burke e deri tek R Kirk, R Weaver apo E Fuelner, e mendon shoqërinë si një kontratë mes njerëzve dhe Zotit, mes njerëzve që janë sot e atyre që kanë qenë dje dhe me ata që do të vijnë nesër. Në mendimin që artikulon Partia Demokratike e Shqipërisë këto gjëra nuk gjenden askund. Ajo ka miratuar ligje nisur nga arsyetimi majtist se ligji është për të rregulluar një gjendje ekzistuese dhe kësisoj harton rregulla se sa punonjës duhet të ketë një ndërmarrje, se sa duhet të jetë paga minimale, legalizon zënien e pronave, hedh idenë për të legalizuar martesat mes sekseve të njëjta etj. Në mendimin e djathtë një ligj bëhet për të treguar se si duhet të jetë diçka dhe jo për të rregulluar një gjendje ekzistuese. Është e qartë se Partia Demokratike nuk e ka bërë një debat mbi atë se sa e djathtë është, ajo ka vepruar bazuar në argumentet rrethanorë si e djathtë duke shfaqur njëherazi tërë të brendshmen e saj si një e majtë. Ky është një debat shumë i gjerë dhe situata e sotme në vend e ka kufizuar shumë mundësinë e një debati të tillë. Megjithatë debati në partinë socialiste duhet të jetë një shenjë se edhe PD-ja ka nevojë për një tillë. Ndoshta PS në një kohë shumë të shkurtër mund të mos ketë vend më si parti e majtë.