Një polic burgjesh sulmoi forcat speciale
Drejtuesit e Policisë së Durrësit kanë mbetur të shokuar kur mes protestuesve të dhunshëm kanë konstatuar se një nga më aktivët ka qenë një punonjës i policisë së burgjeve. Ai është ndaluar nga blutë e Durrësit ditën e premte dhe bashkë me të dhe një bashkëfshatar i tij. Ndërkohë, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës ka paralajmëruar edhe arrestime të tjera për pjesëmarrësit në veprimet e dhunshme ndaj forcave speciale të policisë, mëngjesin e së enjtes. Azem Hasanpapaj, 34 vjeç, me banim në Hamallaj, është ndaluar nga blutë e Durrësit. Me një shkop të gjatë në dorë ai ka qenë një nga protestuesit më aktivë në përleshjen me policinë. “Ishte e rëndë të shikoje sesi godiste mbi policët një polic burgjesh”, thanë burime nga grupi hetimor që është ngritur për ngjarjen. Ndërkohë, bashkë me Hasanpapajn është ndaluar edhe Bujar Hysa, 44 vjeç, po me banim në Hamallaj. Ndërkohë, në kërkim është dhe kryeplaku i fshatit Hamallaj për rolin në organizimin e incidentit. Ka shkuar kështu në nëntë numri i të ndaluarve nga policia e Durrësit për ngjarjen në Hidrovor-Hamallaj, ndërsa të tjera arrestime paralajmërohen nga kreu i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, drejtues Aleks Hajdari. Në një deklaratë për shtyp, Hajdari ka konfirmuar dy ndalimet e fundit, mes të cilëve dhe një punonjës i policisë së burgjeve, i cili është pronar i një objekti pa leje në zonën bregdetare ku ishin parashikuar prishjet e ndërtimorëve. Të tjera arrestime priten në orët e ardhshme dhe ditët në vazhdim. Të identifikuar në turmën prej 200-250 vetash dhe të përfshirë në listën policore të ndalimeve janë personat më aktivë në përleshjen me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të dyshuarit si organizatorë të protestës që degjeneroi në dhunë. I pyetur për incidentin me operatorin e “Top Channel” që filmoi hap pas hapi situatën e krijuar dhe dhunimin e tij, Hajdari tha se po hetohet për të zbardhur identitetin e personave të prezantuar si punonjës të Policisë së Shtetit, po për arsye hetimi nuk mund të deklarohet ende asgjë. Kreu i bluve të Durrësit deklaroi se të enjten ndërtimorët do të ndërhynin jo në shtëpi banimi, por në hotele, lokale dhe mure rrethuese. Madje në këtë ditë ishte parashikuar që fadromat të prishnin hotelin trekatësh të një shqiptaro-amerikani dhe një lokal tjetër, ndërsa në ditët e ardhshme do të vijohej me objektet e tjera. Përveç tre efektivave të FNSH-së, në Spitalin Ushtarak janë mjekuar dhe dy nga protestuesit. I pyetur për dhunën e ushtruar nga policia dhe nëse do të vihen para përgjegjësisë dhe ata që ushtruan dhunë mbi civilët, Hajdari tha se policia ka qenë në kushtet e mbrojtjes së nevojshme dhe vlerësoi filmimet e “Top Channel”, të cilat japin mundësi për të vlerësuar rolin e gjithsecilit në atë ngjarje të rëndë, përfshirë dhe faktin nëse policia i tejkaloi apo jo kompetencat e saj.
#