E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu e Thaçi: Fajtorët para drejtësisë, qytetarët të përmbahen

Prishtinë Menjëherë pas ngjarjes, reagojnë Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës

Krerët e Kosovës kanë dënuar incidentin e Mitrovicës, duke bërë thirrje se do të dalin fajtorët para drejtësisë. I pari ka reaguar Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili tha se “institucionet e Republikës së Kosovës janë thellësisht të përkushtuara për krijimin e një mjedisi paqësor, stabël dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim etnie e besimi, prandaj vlerësojmë se aktet e dhunshme si ky janë tërësisht të papranueshme”, tha Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu ripohoi se dhuna cenon interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Presidenti Sejdiu kërkon nga institucionet përgjegjëse vendëse dhe ndërkombëtare, që urgjentisht ta ndriçojnë këtë akt, kurse fajtorët t’i nxjerrin përpara drejtësisë. Pas Sejdiut ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se “fillimisht dua të shpreh keqardhjen time të thellë për ngjarjen fatale që rezultoi me humbjen e jetës së një qytetari të Republikës së Kosovës, si pasojë e shpërthimit të një granate të dorës në veri të Mitrovicës. Me këtë rast i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit. Njëkohësisht i ftoj organet kompetente që të ndriçojnë rrethanat e këtij rasti”.

Më pas në deklaratë Kryeministri i vendit thotë se qeveria e Kosovës në mëngjes ka hapur një qendër-zyrë për shërbime civile në veri të Mitrovicës, e cila do të ofrojë shërbime që janë shumë të nevojshme për të gjithë qytetarët që jetojnë në atë pjesë.

“Në këtë qendër do të punojnë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe të autoriteteve lokale të Komunës së Mitrovicës. Qytetarët e Kosovës të të gjitha komuniteteve do të mund të pajisen me dokumente të ndryshme personale për nevojat e tyre. Kjo qendër u shërben të gjithë qytetarëve që jetojnë në atë pjesë të Mitrovicës dhe nuk paraqet asnjë rrezik për askënd. Përkundrazi, qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që t'u sigurojë shërbime të gjithë qytetarëve të Kosovës kudo që jetojnë ata, pavarësisht përkatësisë etnike”, thuhet në këtë deklaratë. Qeveria i fton të gjithë qytetarët që të përmbahen nga veprimet e dhunshme, të rrinë të qetë dhe pakënaqësitë eventuale t'i shprehin në mënyrë paqësore e demokratike, thuhet në deklaratë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›