E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një politikan i PASOK, në garë për kreun e Asamblesë së OSBE

Oslo Asambleja Parlamentare voton kreun e ri. Ekuilibrat ndikojnë edhe në menaxhimin e krizës shqiptare

Një përfaqësues i socialistëve grekë ka gjasa të jetë presidenti i ri i Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, ose siç njihet ndryshe OSBE. Petros Efthumiou, aktualisht zv.president i organizatës, ka bërë publike ambicien e tij për të garuar për detyrën që aktualisht mbahet nga politikani portugez, Joao Soares, garë e cila do të zhvillohet ditën e shtunë në Oslo të Norvegjisë, në kuadër të punimeve të sesionit vjetor të AP. Sipas njoftimeve mediatike, bie në sy se zgjedhja e përfaqësuesit të PASOK-ut në detyrën e numrit dy të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në vitin 2009, e ka kuotuar atë si kandidatin më të votuar mes të gjithë rivalëve të tij. Sipas vetë Efthumiou-t, i cili ka dhënë një konferencë për shtyp në Parlamentin grek, kandidatura greke “përbën një nga momentet të diplomacisë greke që merr më shumë rëndësi në këtë kohë jetike për vendin”. Nëse ky citim përcjell rëndësinë e institucionit në fjalë, duhet thënë se ai ruan një konotacion sidoqoftë domethënës edhe për zhvillimet politike në Shqipëri. Kështu, duke iu referuar rëndësisë që ka fjala e përfaqësuesve të huaj në aktualitetin politik shqiptar, atëherë mund të merret me mend se edhe ndryshimi në fjalë priret të hapë një mundësi relative edhe për opozitën shqiptare. E vetartikuluar si aleate e PASOK-ut, me të cilën selia rozë gjithnjë ka pretenduar të prezantojë marrëdhënie preferenciale, kandidatura e Efthumiou me gjasë do të përthyejë disi korin unanim të “përkrahësve” të shumtë të Sali Berishës, që morën rëndësi sidomos gjatë krizës së fundit politike në vend. Mund të kujtohet fare mirë seria e deklaratave apo edhe e prononcimeve të mbërritura nga përfaqësues të Asamblesë Parlamentare të Parlamentit Europian, shumëfishimi mediatik i të cilave krijoi kufij edhe pse virtualë, të izolimit ose jo të kauzës opozitare. Për këtë arsye, edhe marrja e drejtimit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së nga një aleat i opozitës ruan një rëndësi simbolike, që me gjasë fiton terren edhe në aspektin praktik, veçanërisht gjatë miratimit apo diskutimit të rezolutave të ndryshme apo edhe momenteve të vështira krizash. Për ilustrim vjen në ndihmë deklarimi i Presidentit aktual të AP, Soares, në datën 19 shkurt në Vjenë në takim me Kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, dhe kreun socialist, Edi Rama. “Akuzat për vjedhje elektorale të bëra nga opozita, duhet gjithashtu të shihen”, u shpreh presidenti i AP të OSBE, duke bërë një hap anashkalues edhe ndaj raportit përfundimtar të zgjedhjeve. Rrjedhimisht ka arsye të besohet se një ndryshim në forumet ndërkombëtare priret të zgjerojë mirëkuptimin për shqetësimet e opozitës në Shqipëri, por që me optikën e objektivave të OSBE-së do të duhet të paralajmërojnë potenciale shpërthyese. Sesa rëndësi ka kjo, mund të kuptohet gjithashtu mirë edhe nga roli jo i vogël i zv.presidentit tjetër të AP të OSBE-së, ëolfgang Grossruck, i cili drejtoi edhe misionin e vëzhguesve afatshkurtër për zgjedhjet në Shqipëri. Mbi këtë bazë u hartua edhe raporti final, i cili sot afishohet nga shumica e drejtuar prej Berishës si certifikata e zgjedhjeve më të mira që janë zhvilluar ndonjëherë në vendin tonë. Përtej aspektit politik, formalisht zgjedhja e Presidentit të ri të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, në datën 10 korrik, bëhet me votim të fshehtë nga 320 anëtarë prej 56 vendeve, ku përfshihet edhe Shqipëria me 3 përfaqësues.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›