E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu: KLD, drejt paralizimit

Kuvendi nuk fut në rendin e ditës projektligjin për Konferencën Gjyqësore. Nënkryetari i KLD-së, apel kryegjyqtares, Beçaj

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, i bëri thirrje komunitetit të gjyqtareve të gjejnë zgjidhje për organizimin e Konferencës Gjyqësore. Spahiu deklaron se gjyqtarët mund ta gjejnë një zgjidhje të ligjshme dhe kushtetuese në bashkëpunim edhe me kryetaren e Gjykatës së Lartë.

“Do t’u bëja thirrje të gjithë gjyqtarëve të gjejnë mundësinë për t’u organizuar, si një mundësi për të gjetur mjetet ligjore dhe kushtetuese dhe për t’i dhënë hapësirë KLD-së në zgjedhjen e pesë mandateve të reja. Në këto kushte do të ishte e arsyeshme që gjyqtarët, nëpërmjet organizimit të KLD-së, ose Gjykatës së Lartë dhe të kryetares së kësaj gjykate, të gjendet mundësia për të diskutuar dhe debatuar në lidhje me këto zgjedhje”, tha spahiu për “Top Channel”. Ai shtoi se ligji për Konferencën Gjyqësore është shpallur antikushtetues dy vjet më parë dhe ligji i ri kërkon edhe votat e opozitës në Parlament për t’u miratuar, ndërkohë që mazhoranca ende nuk e ka dërguar në Kuvend. Në këto kushte, kur pesë anëtarëve të KLD u ka mbaruar mandati, këshilli mund të gjendet në probleme serioze.

“Duke qenë se projektligji i ri për Konferencën Gjyqësore ka më se dy vjet që nuk futet në rendin e ditës së Kuvendit dhe ligji aktual i për Konferencën Gjyqësore u shpall antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese, KLD mund të futet në vështirësi në mënyrën e funksionimit dhe organizimit të vet”, tha Spahiu. 
Disa ditë më parë, nënkryetari i KLD-së tha se do të mbledhë të gjithë gjyqtarët për të miratuar propozimet e prokurorisë për heqjen e imunitetit të togave të zeza, të cilat janë bërë shkak për pengimin e veprimeve hetimore, ndërsa gjatë mbledhjes mund të diskutohet edhe plotësimi i vendeve vakante të anëtarëve të KLD-së. Prej muajsh KLD-ja nuk funksionon me organikë të plotë, pasi ka mungesa të anëtarëve, të cilët janë transferuar në gjykatë apo iu ka mbaruar mandati.
Nisma e Gjykatës së Lartë, për të mbledhur gjyqtarët në fund të vitit të kaluar dhe për të zëvendësuar anëtarët që iu ka mbaruar mandati në KLD, nuk u prit mirë nga një shoqatë e gjyqtarëve, si dhe KLD-ja, të cilët deklaruan se gjyqësori duhet të presë ligjin për Konferencën Gjyqësore, pasi ligji i mëparshëm është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. çështja është në ngërç, ndërsa kohët e fundit, duke parë që opozita në Parlamentin e Shqipërisë nuk do të japë konsensusin për miratimin e ligjit për Konferencën Gjyqësore, është parë e udhës të mblidhet trupa e gjyqtarëve që të vendosë vetë për fatin e tyre, një nismë që po mbështetet edhe nga KLD-ja.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›