E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpallja e pluralizmitNga Luljeta Progni(Pjesë nga libri i autores me titull “Trashëgimtarët. Partia Socialiste midis transformimeve dhe vazhdimësisë”, botuar nga “IDEART”) Nën trysninë e reagimeve kundër PPSH, të cilat sa vinin e shtoheshin,

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Shpallja e pluralizmitNga Luljeta Progni

(Pjesë nga libri i autores me titull “Trashëgimtarët. Partia Socialiste midis transformimeve dhe vazhdimësisë”, botuar nga “IDEART”)

Nën trysninë e reagimeve kundër PPSH, të cilat sa vinin e shtoheshin, më 11 dhjetor 1990, Alia mblodhi plenumin e 13-të të KQ të PPSH, i cili vendosi shpalljen e pluralizmit politik. Menjëherë pas këtij vendimi, më 12 dhjetor u shpall krijimi i Partisë Demokratike nga komisioni i saj nismëtar. Në këtë plenum u vendos që në qershor të vitit 1991 të mblidhej Kongresi X i zakonshëm i PPSH. Më parë parashikohej mbledhja në Tiranë më 26 dhjetor 1990, e aktivit kombëtar të PPSH, për të përcaktuar platformën elektorale të partisë dhe për të aprovuar listën e kandidatëve të saj për deputetë të Kuvendit Popullor në zgjedhjet e afërta. Plenumi mori disa vendime të rëndësishme, të cilat besohej se do të ndikonin në zbutjen e studentëve dhe të forcave të tjera, që ishin ngritur hapur kundër sistemit monist të PPSH. Plenumi vendosi për shkarkimin nga funksioni të anëtarëve të Byrosë Politike, Muho Asllani, Simon Stefani, Lenka Çuko, Foto Çami, Hajredin Çeliku, si dhe shkarkimin e Qirjako Mihalit e Pirro Kondit nga detyra e kandidatit të Byrosë Politike të KQ të PPSH. Njëherësh iu rekomandua Kuvendit Popullor që të kryente ndryshime edhe në qeveri.

Më 11 dhjetor 1990 Ramiz Alia priti përfaqësinë e studentëve, ku u diskutua për problemet e tyre dhe për situatën që po kalonte vendi. Alia u shpreh se plenumi kishte marrë disa vendime të rëndësishme për zhvillimet demokratike në vend. Ai kërkoi nga studentët dialog dhe bashkëpunim, por kërkoi edhe respektim të ligjit, ashtu siç premtoi anasjelltas respektim të ligjit nga policia. “Rruga e demokratizimit nuk është bulevard. Këtë duhet ta dinë të gjithë. Nevojitet kulturë tolerante dhe bashkëpunim, që të ecim përpara”. Më 13 dhjetor, Ramiz Alia iu drejtua popullit me një mesazh në televizionin publik, i vetmi në atë kohë. Në këtë mesazh, ai u përpoq të jepte këndvështrimin e tij për tablonë politike në vend:

“Zhvillimet demokratike janë një orientim afatgjatë për rrugën që duhet të ndjekë vendi. Unë e kuptoj dhe e vlerësoj dëshirën e gjithë atyre që janë për shpejtimin e reformave që ka ndërmarrë partia jonë. Dua t’ju siguroj se edhe ne, iniciatorë të tyre, subjektivisht jemi që të ecim më shpejt. Por vetëm dëshirat nuk mjaftojnë. Ne duam të arrijmë zhvillimet demokratike vetëm me mjete demokratike, me punë kulturë, me mend, jo me dhimbje e me humbje, të çfarëdo lloji qofshin.

Duke dashur të sensibilizonte popullin për të shmangur ekstremizmin, Ramiz Alia u kërkoi komunistëve shqiptarë të vihen në krye të punëve për të udhëhequr vendin drejt zhvillimeve demokratike. Një thirrje në pamje të parë dëshpëruese, pasi ata që nuk do të donin kurrë të ndodhte kjo ishin pikërisht komunistët, ai po forconte pozitat e tij dhe të komunistëve në krye të shtetit, si iniciatorët dhe autorët e vetëm, që mund të sillnin ndryshimin në Shqipëri. Nuk ishte shumë e vështirë që të arrihej synimi i tyre, pasi Shqipëria e fundviteve ‘80, ishte pothuajse e rrënuar tërësisht nga ana ekonomike dhe një pjesë e madhe e atyre që ëndërruan lirinë e fjalës dhe të individit në Shqipëri, tashmë ishin emigrantë. Por më e rëndësishmja ishte se njerëzit ende ishin të frikësuar nga hija e shtetit totalitar në mënyrë ekstreme. Askush nuk guxonte të dilte kundër partisë. Të vetmit që do ta bënin ishin pikërisht ata, PPSH.

“Në demokraci nuk janë vetëm liritë dhe të drejtat, por edhe detyrat. Ne po punojmë që shteti juridik të ndërtohet i fuqishëm e i qëndrueshëm, që jeta e çdo qytetari të jetë e sigurt. Pikërisht ky ligj duhet të jetë mbi këdo e mbi të gjitha. Ne kemi hyrë në rrugën e demokracisë dhe jemi të bindur se edhe këtë betejë do ta fitojmë. Por, kohët janë të vështira dhe rrugët e demokracisë nuk janë të mbushura me lule. Unë kam besim të plotë se klasa punëtore, fshatarësia patriote, vajzat dhe djemtë e Shqipërisë, gratë dhe inteligjencia në çdo rast e në çdo situatë do të udhëhiqen nga arsyeja dhe urtësia tradicionale e popullit tonë, nga logjika e shëndoshë e do të kapërcejnë me durim e gjakftohtësi, çdo vështirësi. Do të doja më në fund t’u bëja një thirrje komunistëve shqiptarë, që ashtu si kurdoherë u kanë vënë gjoksin punëve të mëdha, të qëndrojnë edhe tani në ballë të luftës për realizimin e programit të demokratizimit të jetës së vendit, që ka ndërmarrë partia jonë” (1).

Por ideja, për të qëndruar edhe disa vite të tjera nën “kujdesin” e PPSH, ngjalli pakënaqësi dhe revolta. Në Shkodër e Kavajë nisën protesta masive dhe reagime të ashpra të turmave, të cilat iu drejtuan kryesisht godinave të komiteteve të partisë dhe i shkatërruan ato. Revolta e popullit të Shkodrës dhe të Kavajës u cilësuan nga PPSH dhe Alia, si akte vandaliste dhe autorët e këtyre protestave u quajtën rrugaçë. Një qëndrim të distancuar ndaj protestave mbajti edhe komisioni nismëtar i PD, të cilët nëpërmjet një deklarate dëshmuan se s’kishin lidhje me këto protesta.

“Në emër të nismëtarëve për krijimin e PD dhe të lëvizjes demokratike që e tregoi vullnetin e vet në mitingun e pardjeshëm në Tiranë, shprehim shqetësimin dhe indinjatën e thellë për lajmet e hidhura që mësuam nëpërmjet televizionit, për aktet e rënda të thyerjes së ligjshmërisë nga forcat destruktive në Kavajë dhe në Shkodër. Veprime të tilla jo vetëm nuk kanë asgjë të përbashkët me demokracinë që duam të ndërtojmë bashkërisht, por edhe e dëmtojnë atë. Lëvizja jonë, që po shkon në mënyrë paqësore drejt legalizimit të Partisë Demokratike mbi baza ligjore, kundërshton me vendosmëri çdo veprim të kësaj natyre dhe i bën thirrje të gjithë popullit të ruajë qetësinë për të dëshmuar se jemi një komb i qytetëruar. Vetë populli, intelektualët, të rinjtë etj., duhet t’i tregojë vendin cilitdo që vihet në rolin provokator, që kërkon të krijojë përfytyrime të mbrapshta për demokracinë. Demokracia parakupton rregull, qetësi, kulturë, mirëkuptim, punë, dashuri midis njerëzve dhe respektim të rendit publik. Të kujtojmë fjalën e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, shokut Ramiz Alia, në mesazhin e djeshëm. “Në qoftë se demokracinë do ta kërkojmë duke shkelur ligjin, atë nuk do ta arrijmë kurrë”. Pluralizmi politik, kjo fitore e madhe e popullit tonë, është në hapat e parë” (2).

Në shtypin e partisë u hap një rubrikë tjetër për letra nga populli, të cilat sulmonin protestat e Shkodrës dhe Kavajës. Por shumë shpejt protestat u përhapën në të gjithë Shqipërinë. Dufi dhe indinjata e qytetarëve shfryhej mbi institucionet shtetërore dhe komitetet e partisë. Pas protestave në të gjithë vendin u hapën procese gjyqësore për autorët dhe organizatorët e protestave. Disa prej tyre u dënuan me heqje lirie nga 15 deri në 20 vjet. Në një situatë komplekse, ku ngjarjet po rrokulliseshin me shpejtësi dhe dukej se kishte humbur qetësia, Nexhmije Hoxha dha dorëheqjen nga drejtimi i Frontit Demokratik, duke u justifikuar me moshën e shtyrë. Makina propagandistike e partisë-shtet trumbetonte se të rinjtë po kërkojnë masivisht të hyjnë në parti. Por po ndodhte krejt e kundërta. Shumë anëtarë të PPSH kishin nisur të dorëzonin teserat për t’u anëtarësuar në partitë e reja. Një tjetër dekret i Kuvendit Popullor, shkarkoi nga detyra kryetarin e Komisionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Simon Stefanin. Në vend të tij u emërua Ali Kazazi. Hajredin Çeliku u lirua nga funksioni i ministrit të Transporteve dhe në vend të tij u emërua Salvador Franja. Niko Gjyzari u lirua nga funksioni i sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave dhe u emërua drejtor i përgjithshëm i Bankës së Shtetit. Fatos Nano u emërua sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Andrea Nako u lirua nga funksioni i ministrit të Financave dhe në vend të tij u emërua Qemal Disha.

Partia Demokratike nisi aktivizimin masiv me një miting në sheshin e Qytetit Studenti më 23 dhjetor 1990. Më 28 dhjetor, doli për herë të parë në treg gazeta e PD “Rilindja Demokratike”, duke shënuar njëkohësisht edhe tirazhin më të madh të një gazete në vendin tonë prej 120000 kopjesh.

Nisi kështu historia e pluralizmit politik në Shqipëri. Brenda pak ditësh u liruan nga burgu një grup prej 393 të dënuar për arsye politike. Data 10 shkurt 1991 u caktua si dita e zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri. PD kërkoi shtyrjen e tyre, ndërsa PPSH kundërshtoi. PPSH mblodhi me urgjencë aktivin kombëtar, për të miratuar programin e partisë në zgjedhjet e para pluraliste. Ramiz Alia shpalli kandidaturën e tij për deputet në rajonin nr. 3 në Tiranë. Të gjitha partitë politike dhe organizatat që do të kandidonin në zgjedhjet e para pluraliste, dolën në deklaratë të përbashkët dhe kërkuan ndaljen e grevave e demonstratave, në mënyrë që të krijohen kushtet për zgjedhje normale. Më 18 janar 1991 u mor vendimi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Nga dhjetë shkurti, zgjedhjet u vendos të shtyhen më 31 mars 1991. Në atë kohë Shqipëria i ngjante më shumë një ishulli të shkretë me toka djerrë, magazina të vjedhura, pemë të prera, miniera e ndërmarrje të shkatërruara, i ngjante pra më shumë “Ishullit të Pashkës” (3), që u zbulua nga perëndimorët shumë vonë, aq vonë sa nuk kishte mbetur më njeri i gjallë. Për fat të mirë, “zbulimi” i Shqipërisë nuk vonoi aq shumë, por njësoj si në “Ishullin e Pashkëve” kudo mbi tokën e shqiponjave, kishin mbetur të ngulura gjithandej, në forma e metale të ndryshme, buste e piedestale të Stalinit dhe Enver Hoxhës. Të vendosur nëpër qendrat e qyteteve të përhirta, bustet vazhdonin të shtypnin mbi tokën e shqiptarëve dhe mbi vetë ata, vazhdonin t’ju tregonin përrallat e vjetra, duke iu mbajtur peng ëndrrën për liri.

Nëse në Berlin duhej të rrëzohej muri për të prekur ëndrrën, nëse në Rumani duhej djegur pallati i Çausheskut për të prekur ëndrrën, në Shqipëri duhet të ndodhte e njëjta gjë me këto buste diktatorësh. Shqiptarët e kuptuan këtë dhe me litarët që kishin në duar akoma nga robëria 45-vjeçare, vendosën t’i rrëzonin bustet… Por, pas rrëzimit të busteve dhe simbolikës së tyre, mbetej një bust tjetër për t’u rrëzuar, një bust që ndoshta s’ishte prej bronzi, por shumë më i vështirë për t’u rrëzuar: PPSH.

Byroja e PPSH e kuptoi menjëherë situatën dhe nxitoi të parandalonte zhvillimet, të cilat dukej qartë se ku po drejtoheshin. Filluan antimitingjet e PPSH kundër rrëzimit të busteve. Fillimisht ato u organizuan në zonat rurale, nëpër fshatra, aty, ku në të vërtetë, nuk kishte buste. Në disa raste bustet e rrëzuara nga qendrat e qyteteve u vendosën në disa fshatra të vogla, që vazhdonin të derdhnin lot për vdekjen e Enverit, madje edhe atë të Stalinit. Në fakt, u krijua një situatë e polarizuar dhe shqetësimi për kaos u kthye në realitet brenda pak ditësh. “Në Bajram Curri, mitingu i PD u shoqërua me antimiting” (4). Një dekret i Kuvendit Popullor, i datës 23 janar 1991, parashikon respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve që lidhen me historinë kombëtare dhe simboleve shtetërore, ku përfshihej edhe busti i Enver Hoxhës. Sipas dekretit, dënohej me 6 muaj deri në tre vjet burg ai shtetas që dhunonte monumente kulture, siç janë bustet e figurave të shquara, nga Skënderbeu e deri tek Enver Hoxha.

Dekret

Për respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve që lidhen me historinë kombëtare dhe simboleve shtetërore.

Ndër të tjera

Dënohen me 6 muaj deri në tre vjet burg, ata shtetas që dhunojnë monumente kulture siç janë bustet e figurave të shquara që te Skënderbeu e deri tek Enver Hoxha.

Dekreti parashikon se bustet janë monumente kulture, ruhen nga shteti.

Menjëherë pas këtij dekreti, më 1 shkurt 1991, ndodhën disa ndryshime të rëndësishme në Këshillin e Ministrave. U bënë shkarkime në disa prej dikastereve kryesore. Në vend të të shkarkuarve, u emëruan një grup intelektualësh të fushave të ndryshme. Fatos Nano u lirua nga detyra e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave dhe u emërua zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave. Shkëlqim Cani u emërua zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave. Ahmet Kamberi u lirua nga detyra e ministrit të Shëndetësisë. Sabit Brokaj u emërua ministër i Shëndetësisë, Alfred Uçi u shkarkua nga detyra e kryetarit të Komitetit të Kulturës dhe të Arteve. Moikom Zeqo u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve. Aleks Luarasi u emërua sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Ndërkohë, fushata elektorale e dy partive, PPSH e PD, po vazhdonte intensivisht. Fushata e PPSH, sigurisht më e organizuar se partitë e tjera, u bazua mbi sloganin “Atdheu mbi gjithçka” dhe u shoqërua nga ana grafike me posterë të mëdhenj të Ramiz Alisë dhe Enver Hoxhës. Media, gjithashtu, u bënte jehonë klithmave të dëshpëruara propagandistike për ruajtjen e kooperativave bujqësore. Një debat i nisur mbi hapjen e dosjeve të komunizmit u fashit menjëherë. Partitë rivale, sidomos PD-ja, e cila ishte partia më e madhe, që pretendonte të arrinte shumicën në Parlamentin e ri, mund të shfrytëzonin vetëm gazetat e tyre për të realizuar objektivat e fushatës.

Në gazetën zyrtare të PD, “Rilindja Demokratike”, të datës 26 janar 1991, pedagogu i pikturës në Institutin e Lartë të Arteve, i njohur si një ndër figurat antikomuniste më radikale të fillim viteve ’90, Edi Rama, shkroi një artikull kundër dekretit të Kuvendit Popullor, sipas të cilit dënoheshin me burg ata që dhunonin përmendoret e heronjve, ku bashkë me Skënderbeun përfshiheshin edhe bustet e diktatorit Hoxha. Rama shkruan: “Nuk dija ndonjë rast, që populli të sulmojë përmendoret e heronjve të tij”. Në numrin e datës 27 janar 1991, “Zëri i Popullit” botoi një përgjigje për Edi Ramën të titulluar “Pse çuditet Edi Rama?!”.

“Dje”

Zotit Edi Rama duke lexuar gazetën “Zëri i Popullit” i paska bërë shumë përshtypje dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor që mbron përmendoret dhe bustet e personaliteteve të shquara të historisë së popullit tonë. i ka bërë aq përshtypje, saqë është çuditur, pasi në numrin e RD, të ditës së djeshme, shkruan në shkrimin “Dje, sot, nesër”, “Nuk dija ndonjë rast, që populli të sulmojë përmendoret e heronjve të tij”. Së pari, ai s’ka përse çuditet, sepse ligje të tilla kanë edhe vendet e tjera të botës, e ai, po të interesohej, edhe mund ta mësonte këtë që të mos çuditej. Po të interesohej, ai si pedagog që është, do të mësonte gjithashtu se ligje të tilla nuk dalin për t’i mbrojtur monumentet nga populli, por nga keqbërësit, nga ata që nuk kanë asnjë kredo tjetër përveç asaj të dhunës.

“Sot”

Por, me sa duket, ai e ka hallin gjetkë. Ai çuditet që ka lexuar në dekret emrin e Enver Hoxhës, çuditet që pushteti popullor, për të cilin ai është njeriu më i shquar, pra Enver Hoxha, udhëheqësi i shquar i LANÇ dhe themeluesi i shtetit të ri shqiptar, të kishte nevojë për ndihmën e ligjit, që ta mbronte përmendoren e tij. Ai çuditet se ndoshta do t’u shërbejë atyre forcave destruktive, që duan të fshijnë me dhunë gjithçka ka arritur populli me punë e sakrifica në këto dekada me në krye PPSH. Por, ai nuk duhet të harrojë se edhe ndonjë nga liderët e PD ka deklaruar që nën drejtimin e shokut Enver Hoxha, Shqipëria pati arritje në shumë fusha. Askush nuk e ndalon Edi Ramën për të shprehur pikëpamjet e tij, për çfarë të dëshirojë. Kjo tashmë është mundësuar në shtypin e opozitës, por është krejt e natyrshme që aktet e dhunës dhe fyerjet publike, shteti t’i ndalojë me ligj. Sepse ato nuk i shërbejnë demokracisë, madje e frenojnë atë.

Zoti Edi Rama, që i lutet Zotit ta ruajë nga “anarkia patriotike”, do t’i thoshim se më e ndershme do të ishte të shfaqte hapur ndjesitë e tij personale, dhe t’i përgjigjej pyetjes: mos vallë ti je përkrahës i atyre që duan t’i shembin monumentet. Nëse je, thuaje troç dhe populli, pastaj, do të gjykojë më saktë se kush i shërben anarkisë patriotike, ti apo ligjet e shtetit, e ata që i zbatojnë ato.

“Po nesër?!”

I shkreti! E gënjen mendja se historia i ka hapur portat për të, se piedestalin e ka gati dhe… mjafton që të ngjitet mbi të. Por lavdia nuk është si gripi, që t’i ngjitet kujtdo”.

Këto janë radhët e një prej editorialeve të shpeshta asokohe, në gazetën që çuditërisht vazhdon të mbajë emrin “Zëri i Popullit”, gazetë që mbetet përsëri në treg me financimin e partisë që sot kryesohet nga Edi Rama. Demagogjia e gozhduar që në emrin e gazetës, sepse asnjëherë aty nuk ka folur Zëri i Popullit, u mundua të gozhdonte kryetarin e ardhshëm. Po falë harresës së shqiptarëve, që, për fat të keq, e kanë treguar edhe në raste kritike të historisë së tyre, gazeta e partisë do të vazhdojë ta mbajë këtë emër dhe Edi Rama mund të vazhdojë të jetë kryetar. Kur mori vendimin të pozicionohej radikalisht kundër komunistëve dhe krimeve të tyre, madje edhe kundër Luftës Antifashiste-Nacionalçlirimtare, Edi Rama as që e kishte menduar se 18 vite më vonë, ai do të ishte pikërisht në krye të atyre njerëzve, që kanë dëshirë të të thërrasin akoma “shok”. Po “shokët” e ftuan në gjirin e tyre, madje edhe ata komunistë të devotshëm, që kishin shkruar në gazetën “ZP” të datës 27 janar 1991 (“I shkreti! E gënjen mendja se historia i ka hapur portat për të, se piedestalin e ka gati dhe… mjafton që të ngjitet mbi të. Por lavdia nuk është si gripi që t’i ngjitet kujtdo”).

Plenumi i 15-të i KQ të PPSH

Me ashpërsimin e fushatës elektorale, kushtet ekonomike vështirësoheshin për ditë e më shumë dhe situata politike dukej se po e humbiste qetësinë e nevojshme para zgjedhjeve. Më 12 shkurt nisi eksodi i madh i shqiptarëve drejt Italisë. Turma të mëdha njerëzish nga të gjitha qytetet dhe fshatrat, vërshojnë nëpër rrugët, hekurudhat, duke iu drejtuar qytetit bregdetar të Durrësit, për t’i shpëtuar varfërisë së skajshme. Zyrtarët e PPSH ndjenë të nevojshme të zhvillonin një takim me zyrtarët e PD, me qëllim që të ulej tensioni politik dhe të amortizohej situata e ashpërsuar për shkak të protestave, eksodit dhe antimitingjeve që PPSH kishte nisur të organizonte. Antimitingjet drejtoheshin nga shoqata “Vullnetarët për mbrojtjen e bustit të Enverit”, të kryesuara nga Hysni Milloshi.

Ndërsa PD ishte ende e paqartë, studentët kishin vendosur të vazhdonin betejën me PPSH deri në fund. Më 19 shkurt 1991, 723 studentë e pedagogë të Universitetit të Tiranës hynë në grevë urie. Ata kërkonin ndër të tjera heqjen e emrit “Enver Hoxha” të universitetit të tyre. Kërkesa ishte refuzuar nga pushtetarët. Ramiz Alia gjendej në një situatë, kur nga njëra anë duhet të tregonte besnikërinë ndaj figurës së Enver Hoxhës, ndërsa nga ana tjetër të mbante monopolin e ndryshimeve demokratike në Shqipëri. Në rastin e parë Alia duhej të ishte i kujdesshëm për të dëshmuar besnikëri ndaj figurës së diktatorit dhe këtë lipsej t’ua provonte anëtarëve të Byrosë Politike dhe vejushës së Hoxhës, e cila ishte anëtare e Komitetit Qendror të PPSH. Por Alia po investonte për një tjetër imazh, atë të nismëtarit të zhvillimeve demokratike në Shqipëri, dhe si i tillë, nuk mund të vazhdonte të ishte besnik i Enver Hoxhës. Një ngjarje shumë e rëndësishme e detyroi Ramiz Alinë ta linte mënjanë këtë dyzim.

Kur ishte duke u zhvilluar plenumi i 15-të i KP për Tiranën turma e protestuesve e mbledhur në sheshin “Skënderbej” rrëzoi bustin e Enver Hoxhës. Sapo kishte nisur punimet plenumi, kur Alia po fliste për situatën e vështirë politike, ekonomike e sociale të krijuar në vend, sekretari i tij, Vaskë Çifligu, i solli një copë letër ku lajmërohej për çfarë po ndodhte në shesh. Sipas njërit prej njerëzve të tij më të afërt në atë kohë, sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së Tiranës, Xhelil Gjonit, i cili ishte edhe sekretar i KQ të PPSH, Ramiz Alia e përballoi me finokëri këtë moment.

Xhelil Gjoni thotë se Ramiz Alia e mashtroi Byronë Politike dhe Komitetin Qendror, duke iu deklaruar se kishte urdhëruar ministrin e Brendshëm, Hekuran Isai, që të gjuhej me armë ndaj turmës në mbrojtje të bustit të Enver Hoxhës. Sipas dëshmisë së Xhelil Gjonit, kishte një marrëveshje midis Ramiz Alisë dhe Hekuran Isait. Sipas kësaj marrëveshje, Ramiz Alia ishte i interesuar të dilte i larë para Byrosë, se kishte dhënë urdhër për mbrojtjen e bustit të Hoxhës, ndërsa Hekuran Isai, i cili nuk e kishte këtë përgjegjësi kaq të madhe sa Ramizi, ishte më tepër i interesuar që në të ardhmen të mburrej para opinionit publik se ishte treguar liberal, duke kundërshtuar urdhrin e Ramiz Alisë për të qëlluar me armë mbi turmat. Sipas Xhelil Gjonit, as Ramiz Alia s’kishte dhënë kurrë një urdhër të tillë, dhe as Hekuran Isai nuk e kishte kundërshtuar kurrë këtë urdhër. Xhelil Gjoni e quan një hile të Ramizit dhe të Hekuran Isait, në bashkëpunim dhe në interes të të dyve. Ja si dëshmon Xhelil Gjoni:

“Mbledhja ishte për të vendosur për stiuatën dhe Ramizi pyeti pak ditë më parë se ku janë njerëzit, janë fshehur skutave tha pse s’dalin, e kishte fjalën për njerëzit e partisë. Mblodha plenumin dhe i thashë njerëzit janë në sallë, po të presin dhe duhet të vish t’u flasësh ti. Erdhi Ramizi ishte në presidium, bashkë me Adil Çarçanin, edhe unë isha atje. Ramizi po u fliste njerëzve të plenumit. Në këtë kohë sekretari i Ramizit sjell një letër që na e lexon neve. Na thotë që Hekuran Isai e njofton se është rrëzuar busti i Enver Hoxhës në shesh. Dhe lexoi letrën Ramizi. Ja, tha, se edhe monumenti u përmbys. Pas kësaj Ramizi akuzoi Hekuran Isain se nuk kishte zbatuar urdhrin që i paskësh dhënë Ramizi që të gjuhej turma që prek bustin e Enver Hoxhës. Ai tha se i kishte dhënë urdhër Hekuran Isait që të gjuhej turma, por të gjuhej te këmbët. Por si mund të komandohej ushtari që të gjuajë te këmbët e njerëzve në ato momente në shesh. Ishte një budallallëk i madh dhe situata ishte shumë e tensionuar. Ndërsa Hekurani që të dilte i mirë në të ardhmen me demokratët tha se shoku Ramiz më tha vërtet të qëlloj turmën dhe të mbroj bustin, por unë nuk desha dhe nuk dhashë urdhrin që të qëllohej. Pra njëri kishte problem që të dilte mirë në plenum se situata ishte e keqe dhe mund ta hanin të gjallë, ndaj dhe tha se kishte dhënë urdhër të mbrohej busti i Enverit qoftë edhe duke gjuajtur turmën, dhe tjetri kishte hall të dilte mirë me të ardhmen dhe të mburrej që kishte anuluar urdhrin e Ramiz Alisë për të qëlluar mbi turmën. Pra Ramizi e përdori për kapital para mbledhjes dhe ai tjetri për t’u mbrojtur për të ardhmen. Të dy me hile”.

Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës e trandi nga themelet PPSH. Ishte një miting masiv, sikur e gjithë Shqipëria ishte në atë shesh dhe me një urrejtje të pashembullt u rrëzua busti i diktatorit. Ndërkohë, studentë e pedagogë vazhdonin grevën e urisë në pritje të plotësimit të kërkesave (një prej të cilave ishte edhe heqja e emrit “Enver Hoxha” disa institucioneve, ndër të cilat edhe Universitetit të Tiranës). Paralelisht në të gjithë vendin po zhvilloheshin protesta kundër sistemit komunist në Shqipëri. Në këtë situatë Ramiz Alia vendosi t’i drejtohet popullit me një mesazh në TVSH. Alia foli për PPSH si iniciatore e ndryshimeve që po pësonte vendi dhe deklaroi, se PPSH është e vetmja që mund t’i realizojë ato, foli gjithashtu edhe për situatën e vështirë politike dhe ekonomike të vendit. Ai deklaroi vendimin e tij për të marrë në dorë drejtimin e plotë të shtetit.

“Sot kryeqyteti përjetoi një nga ditët më dramatike e më të rënda në jetën e tij. Turma të irrituarish duke humbur çdo arsye e logjike e kaluan atë në vandalizëm. Ata arritën të rrëzojnë përmendoren e themeluesit të shtetit shqiptar Enver Hoxha. Në situatën e krijuar, kam vendosur të marr vetë drejtimin e punëve të shtetit” (5).

Në të njëjtën ditë u lajmërua edhe vendimi, për heqjen e emrit “Enver Hoxha” universitetit të Tiranës. Greva e urisë të studentëve u ndërpre, por në të gjithë vendin vazhdonin protestat dhe rrëzimi i çdo busti të diktatorit. PPSH organizoi një grup njerëzish që u quajtën “Vullnetarët e Enverit”, të cilët morën përsipër mbrojtjen e busteve të diktatorit. (6)

Ramiz Alia dekretoi ngritjen e këshillit presidencial që e drejtonte vetë, në përbërjen e të cilit ishin: Fatos Nano, Kleanthi Koçi, Kiço Blushi, Haxhi Lleshi, Lufter Xhuveli, Rexhep Meidani, Minella Dalani, Xhenet Muço. Anëtarët e këtij këshilli vinin nga bota akademike si të përkëdhelurit e regjimit. Në këshillin presidencial përjashtohej tërësisht ndikimi, edhe formal, i Byrosë Politike dhe KQ të PPSH (7). Hapi i parë pas krijimit të këshillit presidencial, ishte shkarkimi i qeverisë së drejtuar nga kryeministri Adil Çarçani. Ramiz Alia kërkoi dorëheqjen e qeverisë “Çarçani” në bllok. Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi të pranojë dorëheqjen e Këshillit të Ministrave të kryesuar nga Adil Çarçani. Pikë e dytë e dekretit ishte emërimi i qeverisë së re. Në krye të qeverisë u caktua Fatos Nano, i zgjedhur nga Ramiz Alia. Nano ishte ekonomist, i angazhuar nga Ramiz Alia qysh në vitin 1987, kur u dërgua me mision në Gjermaninë Perëndimore, për të marrë eksperiencë në fushën e ekonomisë. Zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave u emërua Shkëlqim Cani, ekonomist, i zgjedhur po nga Ramiz Alia, njeri i besuar i tij. Aleks Luarasi u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Muhamet Kapllani, ministër i Jashtëm, Kiço Mustaqi, ministër i Brendshëm, Dashamir Kore, ministër i Drejtësisë, Leontjev Çuçi kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, Drini Mezini, ministër i Industrisë, Ylli Bufi, ministër i Industrisë së Lehtë dhe Ushqimit, Ahmet Osja, ministër Bujqësie, Qemal Disha, ministër Financash, Altin Ylli, ministër i Tregtisë së Brendshme, Leonard Nano, ministër i Ndërtimit, Salvador Franja, ministër i Transporteve, Kastriot Islami ministër Arsimi, Sabit Brokaj, ministër Shëndetësie dhe Zydi Pepa, kryetar i KLSH. Menjëherë pas krijimit të qeverisë së re, Ministria e Brendshme doli me një deklaratë zyrtare dhe kërcënoi se do të vepronte kundër akteve të dhunës dhe protestave, ritmi i të cilave sa vinte e rritej. Dorëheqja e qeverisë dhe zëvendësimi i tyre me emra të rinj, të cilët s’kishin të bënin drejtpërdrejt me udhëheqjen e lartë të partisë ishte një hap për të cilin Ramiz Alia kërkonte njëfarë “shpërblimi” nga turmat e irrituara dhe nga ata që, sipas tij, e kishin marrë me shumë nxitim procesin e demokratizimit të vendit. Ai pretendonte se me ndryshimet e rëndësishme që u kryen duhet të ulej ritmi i reagimit popullor kundër udhëheqjes së partisë. PPSH doli në konferencën e parë për shtyp më 2 mars 1991. Sekretarët e KQ, Abdyl Backa e Spiro Dede, sqaruan para medieve hapat që po ndërmerrte qeverisja e PPSH në drejtim të kalimit në ekonomi tregu, por në mënyrë graduale. Pavarësisht kësaj, ritmi i reagimit popullor kundër PPSH dhe qeverisjes së saj nuk po pësonte rënie, përkundrazi. Në këto kushte Ramiz Alia kërkoi një takim tjetër me përfaqësues të partive politike, për të ndikuar në stabilizimin e situatës. Në këtë takim që u zhvillua më 5 mars 1991, Ramiz Alia u kërkoi përfaqësuesve të partive më shumë se ç’pritej. Prej tij kërkohej një marrëveshje, e cila të parashikonte ruajtjen e busteve të Enver Hoxhës dhe të mos bëhej propagandë kundër figurës së tij. Kërkesa e Alisë duket se u miratua nga partitë politike, por marrëveshja nuk funksionoi për turmat e irrituara. Ato nuk ndaleshin në rrugën e tyre për rrëzimin e busteve të diktatorit.

Më 12 mars 1991, Ramiz Alia priti në një takim Nënë Terezën, misionare e paqes, e famshme në të gjithë botën, me origjinë shqiptare. Pak ditë më vonë, më 15 mars, u nënshkrua marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA (8). Ndërkohë fushata elektorale e partive politike vazhdonte nën presionin e zhvillimeve të vrullshme në të gjithë vendin. Në listën e kandidatëve për deputetë të PPSH të vitit 1991 ishin kryetari i sotshëm i PSD, Skënder Gjinushi, kryetari i sotshëm i PAA Lufter Xhuveli, dhe shumë figura politike me peshë në PS. Të gjendur në një situatë kritike, më 23 mars 1991, u mblodh aktivi kombëtar i PPSH dhe u vendos, që të zhvilloheshin zgjedhjet në parti dhe të rishikohej statuti e programi i partisë në kushtet e reja politike. Gjatë muajit mars të fushatës elektorale, të të parave zgjedhje pluraliste në Shqipëri, Fatos Nano, një ekonomist i ri, i cili ishte udhëheqës i grupit reformist në PPSH, arriti të bëhej një figurë e rëndësishme politike. Gjatë dy javëve përpara zgjedhjeve të 31 marsit, PPSH u përpoq ta paraqiste veten, si të vetmen forcë të organizuar që mund ta shpëtonte vendin nga kaosi. Fatos Nano luajti një rol të rëndësishëm në fushatën e PPSH, duke prezantuar një paketë të tipit të reformave të Gorbaçovit, si dhe duke u përpjekur të gjeneronte një imazh eksperience dhe kompetence… Ramiz Alia, i ndërgjegjshëm se ishte i kompromentuar nga e shkuara e tij, nuk u shfaq shumë në media gjatë fushatës, duke e lënë Fatos Nanon të prezantonte fytyrën e re të moderuar të PPSH para elektoratit, në një varg mitingjesh në qytetet e mëdha. Në fjalën para zgjedhësve të zonës së tij elektorale në Tiranë, ai tha mes të tjerash: “Partia e Punës ndërtoi platformën e demokracisë shqiptare. Ajo është ruajtësja dhe aplikuesja e standardeve”.

PPSH i fitoi zgjedhjet e 31 marsit me 64,8 %, duke siguruar 168 deputetë, ose dy të tretat e vendeve në Parlament. Demokratët fituan 75 nga 250 vende. Një fitore e Partisë Demokratike të opozitës do ta rendiste Shqipërinë në radhën e katër vendeve të tjera të Evropës Lindore, si Polonia, Hungaria, Gjermania Lindore dhe Çekosllovakia, ku ishin përmbysur udhëheqësit komunistë. U përsërit rasti i Rumanisë dhe Bullgarisë, të cilat i kishin zhvilluar zgjedhjet e para pluraliste një vit më parë dhe kishin fituar parti që në thelb ishin pasuese të komunistëve. Por kreu i PPSH e humbi betejën në zonën e tij elektorale. E kjo çonte më shumë peshë sesa fitorja e shumicës së Parlamentit nga ana e PPSH. Ramiz Alia ishte paralajmëruar prej bashkëpunëtorëve të tij që, nëse kandidonte në Tiranë, rrezikonte të humbiste. Ata i kishin propozuar të kandidonte në një zonë të sigurt, siç mund të ishte Peza. Ramiz Alia nuk pranoi të largohej nga Tirana si kandidat dhe humbi. Në ato momente një grup deputetësh të PPSH i kërkoi Ramiz Alisë të jepte dorëheqjen, pasi kishte humbur garën elektorale në zonën e tij, kërkesë, të cilën ai e refuzoi. Kjo dëshmohet nga kryetari i grupit Parlamentar të PPSH pas zgjedhjeve të 31 marsit, Ismail Lleshi. Ramiz Alia u bë president i vendit, ndërsa kryeministër u zgjodh sërish Fatos Nano. Qeveria e re ndërmori disa masa të rëndësishme për privatizimin e ekonomisë, u bënë ndryshime në Kushtetutë, ku ndër të tjera garantohej me ligj prona private.

Në zgjedhjet e 31 marsit, Partia Demokratike arriti të fitojë mandate në të gjitha zonat urbane të vendit, por PPSH mori votat e zonave rurale, duke mundur me rezultat të thellë PD. Megjithatë, demokratët nisën shumë shpejt aksionin e ri politik, për të rrëzuar qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 31 marsit, fillimisht duke bojkotuar Parlamentin e më pas me greva në të gjithë sektorët e ekonomisë. Një prej protestave më masive, zhvilluar dy ditë më vonë se e diela e zgjedhjeve, në Shkodër, përfundoi në mënyrë tragjike me vdekjen e tre pjesëmarrësve dhe plagosjen e shumë të tjerëve.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Margaret Tutiler tha: “Zgjedhjet e së dielës ishin hapi i parë në një rrugë të gjatë drejt lirisë në Shqipëri, por vetëm një gur është vendosur në themelet e pluralizmit politik dhe demokracisë. Kandidatët e opozitës, vëzhguesit dhe demonstruesit janë goditur me gurë dhe sende të forta, janë rrahur, madje në disa raste edhe janë kërcënuar me vdekje. Në kryeqytetin e Shqipërisë forcat e sigurimit përdorën shkopinjtë e gomës dhe hapën zjarr në ajër, për të shpërndarë demonstruesit paqësorë. Një bombë e pashpërthyer u gjend në zyrat e PD, në qytetin e Elbasanit”. Lufta politike sa vinte e ashpërsohej, ndërsa PPSH kishte përpara betejën e reformimit të saj. Në qershor të atij viti ishte vendosur të mblidhej Kongresi i dhjetë i PPSH dhe deri atëherë gjithçka duhej të ishte gati për t’u miratuar. Ramiz Alia ngarkoi njerëzit e tij të ndryshonin programin dhe statutin e PPSH, për ta përshtatur atë me kushtet e reja të pluralizmit politik.

_____________

1. Mesazhi i Ramiz Alisë drejtuar popullit në TVSH, 12 dhjetor 1990.

2. Deklaratë e Komisionit Nismëtar për krijimin e PD, 12.12.1990.

3. “Ishulli i Pashkës” (Easter Island) ndodhet në juglindje të Oqeanit Paqësor, pjesë territoriale e Kilit. Ishulli u zbulua nga eksploruesi holandez Jacob Roggeveen, i cili mbërriti aty Ditën e Pashkëve të vitit 1722. Ky ishull është i famshëm për 887 monumentet e rralla, të quajtura “mouai”, të krijuara nga populli i hershëm i Rapanui. Ishulli u përball me shkatërrimin e ekosistemit prej vetë banorëve dhe jeta e çdo lloj forme u zhduk, para zbulimit nga evropianët.

4. “Zëri i Popullit”, 11.01.1991.

5. “Zëri i Popullit”, 21.02. 1991.

6. “Zëri i Popullit”, 22.02.1991.

7. “Zëri i Popullit”, 23.02.1991.

8. “Zëri i Popullit”, 16.03.1991.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›