E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poliklinikat, 100 pikë për të marrë bonusin

Për të përfituar bonusin prej 5% të buxhetit mjekët e poliklinikave duhet të grumbullojnë 100 pikë. Sistemi i ri i vlerësimit i vendosur nga ISKSH, do të bazohet mbi 6 indikatorë. 

Çdo indikator do të matet proporcionalisht dhe bazuar mbi pikët e marra do të bëhet dhe shpërndarja e buxhetit përkatës. Sa më shumë dhe mirë të kujdesen personeli shëndetësor për popullatën që mbulojnë aq më shumë lekë do të hyjnë në arkën e QSH të cilat do të përdoren për shpërblime dhe rritje rroge. Përcaktimi i  indikatorëve për matjen e cilësisë është bërë duke u nisur nga  praktika të njohura botërore dhe bazohet mbi indikatorë që janë sinjifikativë për sistemin shëndetësor të një vendi. Kujdesi ndaj fëmijëve duke kryer imunizimin e plotë të tyre është një nga treguesit kryesorë për cilësinë e kujdesit në një vend të caktuar, për vetë rëndësinë që ka parandalimi i sëmundjeve të ndryshme me anë të vaksinave. Kujdesi ndaj gruas shtatzënë duke e vizituar që në tremujorin e parë të shtatzënisë ndihmon në parandalimin e shumë sëmundjeve te nena si edhe në formimin e fetusit tek i cili në tremujorin e parë formohen të gjitha organet jetike për organizmin. Parimi i mjekësisë familjare që zbatohet në shërbimin shëndetësor parësor ka si bazë kujdesin shëndetësor për të gjithë popullatën që është e regjistruar te mjeku përkatës, prandaj një nga indikatorët që tregon cilësinë e kujdesit është edhe përqindja e popullatës së regjistruar që vizitohen për  herë të parë. Gjithashtu, tregues i cilësisë së shërbimit  është edhe ndjekja dhe kujdesi ndaj të sëmurëve kronikë të cilët duhet që të vizitohen çdo muaj nga mjeku i familjes në mënyrë që të monitorojë ecurinë e shëndetit të tyre dhe efikasitetin e mjekimit. Një nga elementët më të rëndësishëm të punës së përditshme të mjekut të familjes është edhe menaxhimi i recetës dhe  përshkrimi i saj sipas rregullave të ISKSH, zbatimi korrekt  i së cilës do të shpërblejë mjekun dhe QSH përkatëse me 20% të bonusit për cilësinë e shërbimit. Ky indikator është vendosur edhe për të stimuluar mjekët që të vendosinnjë standard për mjekimin e diagnozave të njëjta brenda territorit e një qarku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›