E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merren në mbrojtje pesë gra, u rrahën nga burrat

 

TIRANE – Pesë gra të dhunuara nga bashkëshortet e tyre kërkuan dje në Gjykatën e Tiranës lëshimin e urdhrave të mbrojtjes. Njëra pas tjetrës, viktimat e dhunës në familje pretenduan në kryesekretarinë e institucionit të togave të zeza se burrat i kishin rrahur, madje njëra prej tyre, 32-vjeçare, V.K., e cila shoqërohej nga nëna e saj, tregoi fytyrën ku dukeshin qartë shenja të dhunës së vazhdueshme. Ajo rrëfeu se i shoqi e dhunonte prej vitesh, por për hir të fëmijëve kishte pranuar në heshtje dhunën. Madje, më tej ajo tha se pak kohë më parë kishte nisur një proces gjyqësor për zgjidhje martese dhe për të njëjtën arsye ishte tërhequr duke e pushuar atë. Po kështu edhe katër gra të tjera pohuan në gjykatë ishin dhunuar nga bashkëshortët e tyre dhe se punonjësit e policisë, pasi i kishin pajisur me një dokument i kishin adresuar në gjykatë. Gjyqtarja e gatshme e kësaj jave, pasi konstatoi gjendjen fizike të kërkueseve, si dhe duke vlerësuar provat e dërguara nga policia vendosi dje të lëshonte urdhrat e mbrojtjes për këto gra. Sipas vendimeve të shpallura dje, bashkëshortët do jetojnë në gjysmën e banesës, duke mos guxuar të shajnë, fyejnë, komunikojnë apo dhunojnë gratë, për një muaj rresht. Në të kundërt ata përfundojnë automatikisht në qeli. Duke iu referuar statistikave të Gjykatës së Tiranës vetëm gjatë muajit gusht, gjyqtarët e gatshëm kanë lëshuar 34 urdhra mbrojtje, për viktima të dhunës në familje, ku pjesa dërmuese janë gra që rrihen nga burrat. Ndërsa gjatë tetë muajve të këtij viti në kryeqytet janë firmosur me tepër se 200 vendime të tilla.             fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›