"Vlora, globalizmi, dhe një shembull indian"
Në fjalimet e politikaneve tanë është shumë e thjeshtë të gjesh fjalë të tilla, si "globalizim" apo "fshat global". Këto shprehje janë shumë të bukura për veshin, kur ne si shoqëri e mendojmë veten si pjesë e këtij "fshati global". Por nga ana tjetër duhet të reflektojmë dhe të shikojmë se si ne hyjmë në "fshatin global" dhe çfarë pasojash kjo ka për ne. Nuk dua të sugjeroj se Shqipëria duhet të qëndrojë e izoluar, sepse pasojat e izolimit po i vuajmë çdo ditë, por dua më tepër të sugjeroj që shoqëria jonë duhet të jetë më vizionare dhe të shikojë edhe për efektet afatgjata të projekteve që parashikon të ndërmarrë. P.sh., ndërtimi i TEC-it në Vlorë mund të parashikohet nga qeveritarët si diçka e domosdoshme për ecjen përpara ekonomikisht, por pasojat për mjedisin janë më të rëndësishme. Dhe të mos harrojmë se po flasim për një zonë turistike, sepse diku tjetër kjo do të ishte thjesht një lajm i zakonshëm për një investim të huaj. Shpresoj që situate të mos precipitojë siç ka ndodhur jo rrallë. Lëvizje shoqërore si kjo që po ndodh tani në Vlorë dhe në brigjet e Brindisit (qytetarët atje kërkojnë që oxhaqet e TEC-it të Vlorës të mos jenë në atë fuqi dhe përmasa sa të dëmtojnë Brindisin), janë mënyra shumë më të efektshme rezistence, që konsolidojnë më tepër edhe rrugën drejt demokracisë në vendin tonë. Me këmbëngulje, njohuri dhe fakte, mund të arrihet të merret vëmendja e institucioneve politike të paralizuara në Shqipëri.
Një pikë tjetër që doja të shtoja, është se shoqëria jonë duhet të edukohet dhe të kuptojë gjithnjë e më shumë se, fuqia politike nuk qëndron vetëm në duart e institucioneve qeveritare. Fuqia politike nuk funksionon vetëm nëpërmjet partive politike, por lëvizjet sociale në mbarë botën po bëhen gjithnjë e më shumë efektive për të arritur qëllimet e shoqërisë. Po jap vetëm një shembull nga miliona të tjerë të kësaj natyre. Lëvizjet sociale të fshatareve në Indi, bënë të mundur rrëzimin e patentës mbi orizin "Basmati" që ishte modifikuar gjenetikisht nga një korporatë amerikane. Orizi "Basmati" është kultivuar brez pas brezi në Indi, por me zhvillimin e teknologjisë gjenetike, korporatat janë në gjendje të vjedhin dijet lokale të civilizimeve shumëvjeçare. Ashtu siç po ndodh edhe me vjedhjen e bregdetit shqiptar. Globalizimi gjithnjë e më shumë po bëhet një emër shumë interesant për qeverisjen e korporatave. Prandaj shoqëria jonë nuk duhet të humbasë pas fjalimeve dhe retorikës së politikanëve tanë. Duhet të informohemi gjithnjë e më shumë se çfarë fshihet pas "globalizimit", interesat e firmave dhe korporatat e fuqishme që janë në gjendje të kontrollojnë politikën e vendeve më të fuqishme në botë.