OSBE: Kartat pas regjistrit elektronik
• Shefi i zyrës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch deklaroi dje se procesi i reformës zgjedhore është duke ecur normalisht dhe se partitë politike janë duke bashkëpunuar me njëra-tjetrën për këtë çështje.“Reforma zgjedhore është duke ecur normalisht. Ajo që kam dëgjuar është se ka ekzistuar një atmosferë jo e mirë mes partive politike, por nga fillimi këtij viti situata ka ndryshuar, partitë bashkëpunojnë me njëra-tjetrën ç’ka na bën ta shohim me optimizëm këtë proces”, u shpreh kreu i OSBE-së në Tiranë. Sipas tij, “i gjithë procesi i reformës zgjedhore është i madh dhe kartat e identitetit janë pjesë e tij”. “Para se të lëshohen këto karta, duhet të përfundojë modernizimi i gjendjes civile, i cili pritet të mbarojë në mes të korrikut. Nuk besoj se ka ngut dhe nuk ka arsye për t’u shqetësuar”, tha Bosch. Prezenca e OSBE-së ka marrë përsipër përmes një projekti, modernizimin dhe kompjuterizimin e zyrave të Gjendjes Civile, duke krijuar dhe regjistrin elektronik të shtetasve.