E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një raketë vret pesë persona në Pakistan

Zyrtarë pakistanezë të inteligjencës kanë njoftuar se raketat, të shkrepura nga një fluturake amerikane pa pilot, ka vrarë pesë persona në veriperëndim të Pakistanit, afër brezit kufitar me Afganistanin.

Dy zyrtarë të inteligjencës theksuan se dy raketa janë shkrepur sot në drejtim të një shtëpie në fshatin Naurak, në Vaziristanin Verior, rajon ky i kontrolluar nga grupet militante, të cilat konsiderohen si përgjegjëse për sulmet kundër forcave amerikane në Afganistan.

CIA ka ndërmarrë një seri të sulmeve me raketa kundër shtëpive, bunkerëve dhe qendrave të trajnimit në Pakistan, pasi që një sulmues vetëvrasës vrau shtatë agjentë të kësaj agjencie në Afganistan.

Zyrtarët për inteligjencë theksuan se ende nuk dihet identiteti i personave, të cilët u vranë gjatë sulmeve të sotme.

Në një incident të ndarë, një shpërthim ndodhi sot në jug të Pakistanit, me ç’rast humbën jetën së paku tre persona. Si pasojë e këtij shpërthimi, i cili ndodhi në qytetin Dadu, në provincën Sindh, u plagosën edhe nëntë persona tjerë, njoftoi një zyrtar i spitalit në këtë qytet.

Nëse autoritetet konstatojnë se shpërthimi është shkaktuar nga një bombë, atëherë ky do të ishte një sulm i rrallë në provincën Sindh, e cila deri me tani në pjesën më të madhe është kursyer nga dhuna, e cila ka tronditur pjesët tjera të Pakistanit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›