E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i basteve, furtunë arrestimesh në Itali

Autori i Lajmit: Redaksia
Presidenti i ekipit të Potencës (Divizioni i Parë, Grupi B), Xhuzepe Postilione, së bashku me tetë persona të tjerë, u arrestua dje nga karabinierët e provincës së Potencës. Arrestimet janë urdhëruar nga gjykatësi i hetimeve paraprake, Roço Paveze, me kërkesë të prokurorit të Potencës, Françesko Bazentini. Nga personat e arrestuar, njëri konsiderohet eksponent i krimit të organizuar, ndërsa 8 të tjerë gjenden në burg dhe një në arrest shtëpie. Akuzat kanë lidhje me organizim kriminal, grabitje në kompeticionet sportive, një xhiro bastesh të paligjshme dhe akuza të tjera të rënda.

Hetimet

“Mund të them vetëm se bëhet fjalë për një hetim shumë kompleks”, - ka deklaruar koloneli Domeniko Pagano duke iu referuar hetimit. “Nuk po flasim vetëm për baste”, - shtoi zyrtari, duke mos u prononcuar më tej. Pyetjes se kur kanë nisur hetimet, komandanti i karabinierëve u është përgjigur: “Në vitin 2007”.

Ndeshjet

Aktiviteti hetimor dhe krimet e zbuluara kanë lidhje me një ndeshje të Serisë B në sezonin që u luajt më 2007-2008 dhe shtatë garave të kampionatit të divizionit të parë në grupin B të sezonit 2008-2009. Praktikisht bëhet fjalë për baste, të prezantuara si të rregullta, për ndeshje që ata e dinin se si do të mbaronin, pra ishin njohur paraprakisht me rezultatin.

Profili i presidentit

Arrestimi i Xhuzepe Postiliones ka ndërprerë një parabolë që për sipërmarrësin dhe drejtorin sportiv kishte nisur që në 16 qeshor 2006, kur Postilione u bë pronari i ri i shoqërisë në moshën 24-vjeçare, duke u bërë “padroni” më i ri i futbollit italian. Pronari i një grupi editorial që kontrollon disa transmetues radiofonikë dhe tv lokale, u ngjit në krye të klubit të Potencës kur skuadra po merrte pjesë në kampionatin e Serisë C2, Grupi C. Një vit më vonë, Postilione festoi suksesin e tij më të madh: fitoren e C1, kampionat ky në të cilin Potenca kishte marrë pjesë para 15 vitesh, në vitet 1991-1992, pa mundur më të ngjitej sërish aty. Në finalen e play-off-it, Potenca kaloi Benetej. Postilione, tekniku Paskuale Arleo dhe lojtarët u pritën triumfues në Potenca. Postiliones i atribuohet dhe e para “kohë e tretë” e futbollit italian: më 12 dhjetor 2007, pas ndeshjes Potenca-Sambenedettese. Më pas, diçka mes raportit të Postiliones dhe tifozerisë ka nisur të mos shkojë ashtu siç duhet. Dje përgjatë ndeshjes Potenca-Rimini (2-1), Postilione u kundërshtua nga ultrasit dhe u duartrokit nga pjesa tjetër e stadiumit. Të shtunën, presidenti i ishte përgjigjur parullës “Postilione ik”: “Mendoni më mirë ku do të shkoni ju, më pas se ku do të iki unë”.

Shtypi gjerman

Skandali i madh i manipulimit të ndeshjeve në bazë të basteve, që tronditi javën që lamë pas futbollin evropian është në qendër të vëmendjes së shtypit gjerman. Shifrat janë marramendëse, sepse sipas të dhënave të hetuesve, mafia e basteve ka manipuluar në nëntë shtete evropiane rreth 200 ndeshje futbolli. Dhe sipas të dhënave që vazhdojnë të shtohen, kjo është vetëm maja e ajsbergut. "Futbolli është një biznes miliardash me përqindje rritjeje thuajse absurde. Për shkak të strukturave të tij, lidhjeve dhe gërshetimeve të padukshme të funksionarëve, politikanëve, sponsorëve dhe mediave, futbolli është shndërruar në një fushë rreziku thuajse të pakontrollueshme. Që ndeshjet të mos e humbasin krejtësisht magjinë e tyre, sistemi i futbollit ka nevojë për ndihmë profesionale nga jashtë. Duke ndjekur shembullin amerikan, në rrjetin e errët të mashtruesve duhet të depërtojnë edhe më shumë hetues të fshehtë dhe agjentë «undercover», për ta shtuar presionin ndaj së keqes në këtë biznes. Dhe ndoshta një ditë prej ditësh, kur rrjeta e agjentëve të mos funksionojë më ashtu si duhet, duhet menduar edhe për ti ndaluar bastet e sportit në përgjithësi”, - shkruan “Berliner Zeitung”. Ndërsa “Fränkischer Tag” shkruante ditën e djeshme: “Fair ka përparësi: këtë gjë e nënshkruajnë të gjithë lojtarët. Por tifozët dhe madje edhe gazetarët brohorasin për ata që fitojnë pa të drejtë dhe jo për lojtarët e ndershëm, të cilët megjithëse kanë bërë mijëra orë stërvitje, nuk arrijnë të fitojnë. Duhet të mbledhim mendjen, sepse jo vetëm në sport vlen parrulla që ajo që vlen është përfundimi, ndërkohë që se si u arrit ky përfundim, nuk i intereson njeriu".
Ky lajm është publikuar: 24/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›