E Shtunë, 31 Tetor 2026

KRRT ,”OK” për 18 leje ndërtimi në Tiranë

 

zirina llambro

Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës miratoi dje projektet për 70 objekte. Prej tyre, 24 janë objekte publike, ndërsa pjesa tjetër janë lejë ndërtimi dhe sheshesh nga investitorë privatë. Mes vendimeve të djeshme kaloi edhe kërkesa për vënien në zbatim të banesave sociale, përkatësisht 4 grupe banesash. Sipas vendimit të djeshëm, tashmë objekti në fazën e sheshtë duhet të paraqitet në KRRT me një plan sistemimi, projektin e kanalizimeve të ujërave, si dhe projektin teknik të rrugëve. Gjithashtu, Këshilli i Rregullimit të Territorit i ndezi dritën jeshile rikonstruksionit të konviktit të shkollës elektrike, si dhe godinës së kinema “Dajti”-t (qendra multimediale) hartuar nga Drejtoria e Planifikimit Urban. Një tjetër objekt publik, që pritet të ndërtohet është edhe sistemimi i lulishtes në krah ta bulevardit “Zhan d’Ark”. Anëtarët e KRRT-së miratuan edhe projektin e zbatimit të parkut të madh të Tiranës, i kërkuar nga Drejtoria e Planifikimit Urban, si dhe rikonstruksioni i rrugëve në bllokun nr. 79 dhe nr. 63 në kryeqytet. I pari kufizohet nga bulevardi “Bajram Curri”, rruga e Kavajës, “Irfan Tomini” dhe Unaza e re. Ndërsa blloku i dytë kufizohet nga bulevardi “Bajram Curri” si dhe rruga që lidh “Komunën e Parisit” me “Irfan Tominin”. Sa i përket kërkesave për legalizimin e shtesave, në KRRT u paraqitën 3 të tilla. Ato u diskutuan rast pas rasti dhe u pa e udhës të miratoheshin. Sakaq, në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Tiranës u miratuan edhe 46 leje ndërtimi dhe leje sheshesh nga investitorë privatë. KRRT mblidhet mesatarisht një herë në muaj dhe kalon për shqyrtim çdo objekt publik apo privat, që do të ndërtohet në Tiranë. Në të kundërt ai cilësohet objekt pa leje dhe i paligjshëm. Për projekte të rëndësishme, që i shërbejnë komunitetit Këshilli i Rregullimit të Territorit lejon prezencën e mediave gjatë mbledhjes. Në të kundërt ligjërisht ky institucion ushtron funksionin me dyer të mbyllura.

Lejet e ndertimit te miratuara dje

Kërkesë për leje ndërtimi për 2 objekte kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë
Kërkesë për leje ndërtimi për 5 objekte rruga “Jordan Misja”
Kërkesë për leje ndërtimi për objekt 8 kat rruga “Riza Cerova”
Kërkesë për leje ndërtimi për objekt 5 dhe 7 kat rruga “Dull Keta”
Kërkesë për leje ndërtimi për objekt 6-8 kat rruga “Haxhi Dalliu”
Kërkesë për leje ndërtimi për objekt 5-6 kat rruga “Naim Frashëri”
Kërkesë për leje ndërtimi për objekt 5-6 kat rruga  “Ali Visha”
Kërkesë për leje ndërtimi objekt 9 kat  rruga “Sami Frashëri”
Kërkesë për leje ndërtimi për objekt  7 dhe 9 kat rruga “Petro Nini Luarasi”
Kërkesë për leje ndërtimi për 2 objekte  rruga “Siri Kodra”
Kërkesë për leje ndërtimi për objekt  6-7 kat rruga “Beqir Luga”
Kërkesë për leje ndërtimi për godinë banimi dhe shërbimesh  6-8 kat rruga “Muhamet Gjollesha”
Kërkesë për leje ndërtimi për objekt 5-6 kat rruga “Naim Frashëri”
Kërkesë për lejë ndërtimi për objekt 8 dhe 9 kat  rruga “Bardhok Biba”
Kërkesë për lejë ndërtimi për objekt  rruga “Budi”
Kërkesë për leje ndërtimi për rikonstruksion objekti  rruga “Mihal Grameno”
Kërkesë për leje ndërtimi për vendosje tende për verandë dimërore  rruga “Bul Dëshmorët e kombit”
Kërkesë për leje ndërtimi për kabinë elektrike rruga “Isa Boletini”

Funksionimi i KRRT
Që prej 1 viti Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës vijon normalisht punën. KRRT rinisi funksionimin e saj në shtator të 2007, pas më shumë se dy vjet ndërprerje. Për rrjedhojë, gradualisht po shqyrtohen rreth 1000 dosjet e depozituara në Bashkinë e Tiranës për miratimin e lejeve të ndërtimit. KRRT ka 7 anëtarë, të cilët janë zgjedhur me konsensus nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Këshilli i Rregullimit të Territorit, sipas ligjit, i zhvillon mbledhjet atëherë kur ata thirren nga kryetari. Për të marrë vendimet duhet të jenë të pranishëm në sallë 2/3 e anëtarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›