Eksploziv në derë ish-emigrantit
TIRANE
Eksploziv derës së banesës së ish-emigrantit, dëmtohen disa apartamente në pallat pa shkaktuar viktima. Policia dyshon për hakmarrje, ndaj ish-emigrantit, si dhe për një grindje për motive të dobëta. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:25 minuta të mbrëmjes në rrugën "Riza Cuka", në Laprakë kur një shpërthim i menjëhershëm ka shkaktuar panik tek banorët e pallatit. Lënda plasëse ka shpërthyer në derën e apartamentit të Besnik Kamberit rreth 60 vjeç, një ish-shofer i administratës shtetërore, ndërsa i biri Dritan Kamberi, një ish-emigrant i rikthyer në atdhe. Shpërthimi nuk ka sjellë viktima, veçse ka shkaktuar panik dhe dëme materiale të konsiderueshme në tri banesat e katit si dhe në disa banesa të tjera. Policia e cila është lajmëruar për ngjarjen nga një fqinj i familjes Kamberi, ka mbërritur në vendin e shpërthimit, duke nisur menjëherë hetimet. Nga veprimet e kryera, është mësuar se objekt i sulmit me lëndë shpërthyese ka qenë pikërisht familja e ish-emigrantit, Dritan Kamberi. Sipas burimeve të policisë, ai ka qenë në banesë në momentin e shpërthimit, bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes. Ekspertët e policisë që kanë nisur kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, kanë konstatuar se forca shpërthyese e lëndës plasëse ka shkaktuar shkëputjen e dyerve të dy apartamenteve që ndodheshin përballë njëra-tjetrës. Po kështu, është vërejtur njëkohësisht shembje të pjesshme të mureve, suvasë si dhe tërësisht të xhamave të banesave. Nga këqyrja e kryer prej ekspertëve kriminalistë dhe xhenierë, është konkluduar se forca e lëndës shpërthyese ka qenë e një sasie prej rreth 50-70 gramë. Ekspertët kanë administruar në cilësinë e provave materiale mbetje të lëndës shpërthyese, si copëza fitili të djegur dhe mbetje të hedhura nga forca në mur. Ndërkaq, hetuesit kanë marrë deklarimet e pjesëtarëve të familjes, Kamberi, si dhe dëshmi të fqinjëve të saj. Ata kanë pohuar për policinë se shpërthimi, ka ndodhur rreth orës 23:25, ndërsa kanë ndjerë kërcitjen e xhamave apo zhurmën e thyerjes së tyre pas përplasjes në tokë. Nga veprimet paraprake të kryera prej tyre janë ngritur disa versione mbi ngjarjen, që nga ndonjë hakmarrje e mundshme, e deri tek ndonjë konflikt për motive të dobëta mes Dritan Kamberit dhe personave që mund të kenë kryer veprën. Pa ngjarjes, policia ka shoqëruar në ambientet e saj rreth 15 persona, të cilët janë shoqëruar në cilësinë e dëshmitarëve. D.B
Policia shoqëron 10 persona për ngjarjen
Pas ngjarjes së mesnatës së të shtunës, policia e Komisariatit nr.3, dhe Zyra e hetimit të vjedhjeve me armë dhe shkatërrimit të pronës, kanë shoqëruar 10 persona. Verifikimet e tyre, kanë nxjerrë duarbosh specialistët e hetimit të kësaj zyre. Kontrollet dhe marrja në pyetje e personave të ndryshëm prej tyre, nuk ka sjellë asgjë të re në lidhje me hetimin, pavarësisht insistimit të drejtuesve të policisë për zbardhjen e saj.