E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një roman polemizues i Qosjes

TIRANE-Romani më i fundit i Rexhep Qosjes ka nxitur polemika në Prishtinë. Debati ka mendime pro dhe kundra, të gjitha kundrejt romanit "Bijtë e askujt". Kërshëria të shtyn të marrësh dy volumet e botimit prej 1000 faqesh. Që në fillim duhet thënë se ky libër është një eksperiment postmodern. Romani së pari dallohet për guximin që ka autori për t'i thënë idetë e tij troç. Qosja, përveç guximit letrar ka edhe guximin moral për të sfiduar historinë e letërsisë shqipe dhe historinë e shqiptarëve.
Autori, këto operacione të shumta plastike të shoqërisë shqiptare i ka bërë nëpërmjet fateve tragjike të shqiptarëve në dy kohë: Në fatkeqësinë e Tarik Saraçit në kohën diktaturës komuniste dhe fatkeqësinë tjetër të Delina Dertit, nga demokracia e shpërdoruar shqiptare. Por fatin tragjik të këtyre personazheve, Rexhep Qosja e ruan brenda kontureve të atdheut të tij. Kjo me anën e metaforës së vdekjes së Tarik Saraçit, i cili gjatë kalimit të kufijve komunistë shkel në kufi një minë sovjetike dhe trupi i ndahet në dy pjesë dhe gjysma e trupit bie në tokën shqiptare e gjysma tjetër në pjesën kosovare. Këtu fillon spiritizimi si ironi ndaj komunizmit. Por në fakt, Qosja në këtë roman merret me dy forma të komunizmit, atë shqiptar dhe atë jugosllav, por duke e mbajtur pranë edhe demokracinë e ish-komunistëve, siç e quan ai demokracinë aktuale në Shqipëri. Por, romani ka rrjedhë të papritur dhe kalohet me elegancë nga një episod tek tjetri. Nushi, djali i Tarik Saraçit, i lutet Miran Bushatit që të shkruajë një roman për babain e tij.
Ai është në dilemë pasi nuk e di nëse duhet të shkruajë letërsi apo histori. Nushi ka besim se duke shkruar për babain e tij do të ndriçohet jeta e të vdekurve dhe do të zbardhen krimet e të gjallëve.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›