E Shtunë, 31 Tetor 2026

Triumf i Atletikos, Fulhami dorëzohet në kohën shtesë

HAMBURG-Atletiko e Madridit ka triumfuar 2-1 në finalen e Europa League ndaj Fulhamit, duke marrë trofeun e parë në arenën ndërkombëtare që prej vitit 1962. Takimi i zhvilluar mbrëmë në "Nordbank Arena" të Hamburgut ka kurorëzuar skuadrën spanjolle si fituese të Ligës së Europës, trofeu i dytë për nga rëndësia në kontinent.
Uruguajani Diego Forlan ka qenë heroi i Atletikos, duke realizuar dy golat që vlejnë një trofe tepër të rëndësishëm. Skuadra madrilene e ka dominuar ndeshjen, duke treguar një nivel më të lartë, ndonëse gjithçka është vendosur në minutat shtesë. Fulhami ka dhënë maksimumin në një finale që e niste si jo favorit, megjithatë edhe këtë herë klasi i futbollistëve të Atletikos ka bërë diferencën. Serxhio Aguero shërbeu dy herë për shokun e tij të repartit të sulmit, duke bërë që në Hamburg festa të jetë e gjitha spanjolle. Madrilenët kanë patur një sezon zhgënjyes në kampionat, por në Kupa kanë treguar një tjetër nivel. Atletiko ka mundësi të mbyllë një edicion nga më të mirët në historinë e saj në rast se do të fitojë javën e ardhshme ndaj Seviljes në finalen e Kupës së Mbretit, ndërkohë që anglezët e Fulham do të mbahen mend për një edicion të jashtëzakonshëm në Evropë. Pavarësisht humbjes së mbrëmshme, londinezët modestë arritën të eliminonin në turet paraardhëse skuadra si Shaktjor Donjeck, Juventus, Volfsburg apo Hamburg.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›