Një rrëfim për kampet e torturës

“Në emër të të gjithë njerëzve”, quhet eseu me reflektime nga periudha e holokaustit, i rrëfyer nga dëshmitari Martin Gray. Ky ese tani vjen edhe në shqip, nga shtëpia botuese Toena.
Në moshën tetëdhjetëvjeçare, Gray zbardhë ato që nuk janë thënë për atë periudhë, duke u përpjekur kështu që të ndezë shpresën për familjet e të humburve në krematoriumet dhe në kampet shfarosëse naziste, por edhe duke u përpjekur që të ndezë flakadanin e paralajmërimit për të gjithçka që po ndodh anembanë globit.
Duke e trajtuar këtë temë dhe problematikë në formë të një eseu reflektues, autori rrëfen momente nga jeta e tij, torturat çnjerëzore në kampet e përqendrimit, vdekjen e mëpastajme tragjike të bashkëshortes dhe të katër fëmijëve dhe rilindjen e tij në Amerikë me një familje të re, por me brenga të vjetra...
“Dualiteti i së mirës dhe i së keqes, i Kainit dhe Abelit, zë vend brenda secilit prej nesh. Shpeshherë jemi Abelë, por pa dashur smira, ambicia, lufta brenda llojit na kthen në Kainë”, shprehet ai, ndonëse nuk përpiqet të fajësojë njërin apo tjetrin popull. Për të e keqja qëndron brenda individit.