E Diel, 1 Nëntor 2026

Një rrugë që po shkatërron mrekullitë e natyrës

Rruga e Arbrit e cila kalon në vendbanimet e arbanasve (arbërve), jo pak herë ka qënë në vemendjen e medias duke pasqyruar ecurinë e punimeve të cilat po dëmtojnë në mënyrë progresive Kanionin e lumit të Tiranës, i njohur me emrin Kanioni i Brarit. Kanioni përfaqëson një potencial turistik për vendin dhe është shpallur Monument Natyre i kategorisë III sipas kategorizimit të IUCN.

Duke vlerësuar rendësinë e rrugës, por mbi të gjitha duke vlerësuar rendësinë e këtij kanioni, Qendra EDEN është interesuar më shumë rreth projektit madhor.

Në faqet zyrtare të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit (MPPT), ende sot nuk është pasqyruar Përmbledhja Jotektnike e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe Raporti Teknik i projektit.

Ne kemi dërguar dy letra- kërkesa për marrje informacioni pranë secilit institucion, MMPT dhe MMPAU në datë 04/10/2011 dhe më pas në 21/11/2011. Ndërkohë, nuk ka asnjë reagim nga MMPAU në lidhje me çështjen nëse projekti është i pajisur me lejën mjedisore apo jo. Të vetmen përgjigje e kemi marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në 7/12/2012, e cila na vuri në dispozicion Përmbledhjen Joteknike të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe Raportin Teknik të projektit.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Mjedisit Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave (MMPAU) leja mjedisore nuk është e pasqyruar, sikundërse nuk është e pasqyruar as në faqen zyratre të Qendrës Kombëtare të Licensimeve (QKL).

Në momentin që flasim po zbatohet projekti, është shkatërruar një monument natyre, dhe Leja Mjedisore e Informimi/Konsultimi i Publikut, kushte të parashikuara me ligj, akoma nuk duken.

Duket se qeveria Shqiptare shkel sërish ligjet e saj dhe duket se përsëritet politika menefregiste e ndjekur për projektin e Unazës së Madhe të Tiranës:
- nenet 23, 48 dhe 56 te Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
- nenet 51 – 55 te Kodit të Procedurave Administrative.
- ligji nr. 8672, datë 26.10.2000 Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për tiu drejtuar gjykatës për çeshtjet e mjedisit (Konventa e Aarhus-it).
- ligji nr. 8990, dt. 23.01.2003 Për mbrojtjen e mjedisit.
- ligji nr. 8503, 30.06.1999 Për të drejtën e informimit për dokumentat zyrtare.

Çfarë po ndodh në zonën e punimeve?

Për të vërtetuar nëse punimet, po zhvillohen të paktën në përputhje me masat e parashikuara në VNM dhe projektin teknik, gjendjen e kanionit e kemi shqyrtuar më nga afër duke qenë vetë të pranishëm disa herë në zone.

Në VNM theksohet se vështirësitë e punimeve në këtë zonë janë të shumta për shkak të terrenit dhe të ngushtimeve të shpeshta që ndeshen përgjatë grykës së kanionit. Për zgjerimin e ngushtimeve janë gërmuar skarpatet duke cënuar në këtë mënyrë edhe më tej kanionin.

Gjithashtu asnjë nga masat e përmendura në përmbledhjen teknike të projektit nuk ishte në zbatim, madje mbeturinat e ngurta gjenin rrugën më të shkurtër të transportit drejt e në lumin e Tiranës Rrjedha e këtij të fundit është e ndërprerë në mënyrë të vazhdueshme me blloqe të mëdha gurësh dhe pjesë të faqes anësore të kanionit janë shndërruar në masa të betonizuara.

Kanioni i Lumit të Tiranës, dikur i mahnitshëm dhe zonë rekreative për banorët e Tiranës gjatë sezonit të verës, sot është kthyer në një grumbull betoni.

Qendra EDEN

Shkrime të tjera me interes:

  1. Made in Albania: Një shkollë që shkatërron një park Babëzia nuk njeh kufinj në Shqipëri. Në emër të zgjerimit...
  2. Moti i keq “shkatërron” gjirin e Durrësit Durrës- Erërat e forta dhe reshjet e rrëmbyeshme të shiut...
  3. Shtyllat që “mbijnë” në rrugë Tiranë- Arsyet e aksidenteve automobilistikë janë të shumta. Por në...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›