Një shajni në stinë zgjedhjesh
Tapitë do tua sjellim në shtëpi atyre që kanë aplikuar për legalizim.
Lulzim Basha, në një takim me ata që do të
votojnë.(Gazeta Shqip, dt. 15 qershor)
Pellumb Kulla
Miku im është një avokat kokëkrisur, orator fjalaman, nga ata të pandalshmit, që ngjasin me lumenjtë që pas shirave, vijnë të mbushur buzë më buzë. Ai e ka mahnitur botën e miqve dhe të armiqve me sipërmarrjet e tij ngadhnjyese në mejdanet e sallave gjyqësore.
Po unë nuk do të tregoj për to. Kohët e fundit ai ka patur ca porosi speciale dhe me orë të pjesëshme, po merr përsipër ca punë për qeverinë dhe për komisionin e ligjeve.
Megjithë orën e vonë zyra e tij kishte dritë, dhe unë u ngjita tek ai. Më tregoi se po punonte mbi një projekt ligj dhe me sy që i ndrisnin nga kënaqësia e habisë që priste të më shkaktonte, më zgjati punën e tij ende të pambaruar.
Në këtë orë të vonë edhe në zyrën e një juristi do të gjeja përsëri motivet e fushatës marramendëse që mbyllet të javën që vjen. Detyrën e madhe të punësimit të shqiptarëve, qeveria e ka marrë për zemër dhe kryeministri betohet se do ta ketë prioritet numër një. Të tilla premtime japin edhe parti të tjera, që punësimin e kanë kryefjalën e tyre. I pari i qeverisë ka sigurinë se do të mbetet në pushtet dhe ndryshe nga premtimet e pambajtura për qindra mijëra vende pune në dy fushatat e mëparshme, këtë radhë është më konkret dhe paraqet plane masash të prekshme. Ja pikërisht, ligji që miku im përgatiste edhe me ndihmën e dy konsulentëve ligjorë pakistanezë ishte nisur për tiu bashkuar këtyre planeve.
Ishte një bombë e vërtetë ajo që më vuri në dorë! Ishte një batërdi, që kur e merrje vesh përse ish fjala, duhet të kishe ku të mbaheshe, a të ishe me fat, të kishe pas vetes një kulltuk a tapet, ku të gremiseshe. Rrufe, ore rrufe, në të kthjelltë! Projekti bënte fjalë për ligjërimin e vrasjeve! Ke parë ti?! Një lloj paraamnistie për vrasjet që kryhen me qëllim për të mbajtur me bukë veten dhe familjen! Projekti parashikonte që vrasjet të futeshin në një kanal ligjor ku më pas, si fv në prag fushatash, të legalizoheshin dhe ata që i kishin kryer, pasi të mbushnin një formular të posaçëm, do të prisnin faljen nga Ministria e Drejtësisë.
Më ra tavani përsipër. Thashë që miku im ish i krisur, por nuk e dija që ai mund të ish deri në atë shkallë. Ta kërkuan nga lart? – e pyeta duke mu dredhur buzët.
Edhe autori I projektit priste që unë të habitesha po edhe ai nuk e kish parashikuar shkallën e habisë sime. Ai tha se ideja i kish lindur atij vetë por pat vënë re se në qeveri kish ngjallur interes të madh. Kishte shpresë që do tia vlerësonin dhe ai i qe futur punës me ngut që sido të vinte vallja, ta kishte gati. Pas legalizimit të ndërtimeve pa lejë dhe pas dhënies së tapive në sipërfaqet e zëna me zor, pas çertifikimeve të pronësisë të trojeve, dyqaneve dhe ca ndërtesave, edhe kjo masë e re për legalizim, mikut tim, i ish dukur në radhën dhe logjikën e gjërave. Përfytyronte që ligji do të dërgohej në parlament dhe shpresonte që të kish votim me shumicë të thjeshtë, dhe me siguri ligji do të bënte udhë që në javët e para të legjislaturës së re.
Mua nuk ma pat zënë syri që kjo ide të përtypej nëpër gazeta, por pas njëfarë kohe nuk e pata zor ta besoja dhe ta shikoja më qetësisht. Më pëlqente a nuk më pëlqente mua, i pëlqente ose jo të tjerëve, ishte e sigurtë që kjo masë do hapte fronte për sigurimin e të ardhurave, do ta ulte vërtet numrin e të papunëve dhe do ta eliminonte bile edhe shtegtimin e njerëzve nëpër vende të tjera. Vrasësit e sprovuar dhe me përvoja të gjata krimesh, nuk kishin arsye të shkonin më, fjala vjen, në Itali, Francë apo Greqi, ku bëmat e tyre kishin pasoja të rënda. Jo or vëlla, tani e tutje ata mund ti kryenin në atdhe, pranë vatrave të tyre të ngrohta familjare. Vrasjet janë akte të dënueshme dhe deri tani nuk janë parë kurrë me sy të mirë. Por as zaptimet e pronave të disave dhe dhënia e tyre disa të tjerëve nuk kanë qenë parë ashtu. Se mos ishte parë me sy të mirë në kohën e Zogut dhe të Hoxhës ndërtimi i një binaje pa pyetur e kujt është toka, ku ti hodhe themelet! Këto nuk janë pranuar në jetë të jetëve, por me përmbysjen e komunizmit, shteti ynë shëmbullor demokratik e realizoi këtë ëndërr të hajdutëve dhe zaptuesve.
Miku im i krisur matej të përgatiste edhe një projektligj për kompensimin e palëve të dëmtuara. Këtë do ta kishte si aneks të këtij të parit, për zbatim nga Ministria e Financave. Pala e të vrarit do të aplikonte dhe do të priste një kohë për dëmshpërblimin. Avash avash do të shpalleshin listat dhe çdo gjë do të shkonte në rrugën e njohur.
Dolla si i përhumbur nga zyra. Ishte natë e thellë, hapat e mia kumbonin mbi trotuar dhe fantazia ime nuk ndalej. Mendoja reagimin e ndërkombëtarëve. Po kush po pyeste për ta! Fundja, ne jemi shtet sovran! Pastaj mendja më shkonte te fëmijët e viktimave, te gratë e tyre Pyetjet, që do tu drejtoheshin për mënyrën e kompensimit. A doni ju zonjë, që shteti tju ndihmojë për një bashkëshort tjetër, për të kompensuar të ndjerin? Këtu ku e kishe, moj zonjë, e kemi të pamundur të ta gjejmë një, por, a e doni në bregdet, apo në zonë malore? Po ju, çuna, babanë e doni të përbashkët? Apo tju ndajmë veç e veç nëpër baballarë të tjerë?
Çfarë ligje idiote projektohen mbi faqe të dheut! Vallë kaq shumë duhet menduar për të pazotët dhe për ata që nuk bëjnë prokopi?! Kaq shumë duhen lehtësuar ata që nuk vrasin mendjen e trupin, për të mirën e tyre, por e kanë syrin tek gjëja e gjitonit?
E shpura mendjen tutje në ShBA dhe përfytyrova që ligje të tilla të aplikoheshin dhe atje. Por pastaj thashë me vete, sa mirë që shtetet e forta ua mbrojnë njësoj të drejtat, si masës që voton, ashtu edhe pasanikëve, miliarderëve, shpikësve të kamur, sportistëve të shquar apo filozofëve, që janë gjithmonë në pakicë. Shtetet e fuqishëm janë pikërisht të fuqishëm ngaqë dinë ta çmojnë këtë pakicë njerëzish që e shpien botën përpara dhe pasuritë dhe kapitalet e tyre, janë edhe kamja e një shoqërie, ku vota ka vendin e vet, por
Nata u bë më e thellë. Zyra me projektligjin e të krisurve kishin mbetur pas. Ishte një shajni? Duhet të ketë qenë një shajni!…
