Një shans historik për të nxjerrë nga politika Trupin e Huaj Rama
Të gjithë e dinë se politika është e pamëshirshme, kur vjen puna për të ndëshkuar humbës profesionistë e politikanë që s’kanë qenë kontributorë për shndërrimin e politikës në një të mirë të përbashkët për të gjithë zgjedhësit. Edi Rama e plotëson në mënyrë ulëritëse praninë e tij si një politikan që ka prishur qetësinë publike, ka shkatërruar traditën pozitive të reformimit e fraksioneve në PS dhe ka risjellë në skenën e parlamentit bojkotin e bllokadën, si mjete që s’ishin përdorur në politikë që nga agimi i mijëvjeçarit.
I klasifikuar si një politikan ndryshe, epiteti që i shkon më shumë në fakt Edi Ramës është ai i një trupi të huaj brenda politikës. Ai zgjodhi denjësisht tiparet e trupit të huaj, kur refuzoi të përballej me kryeministrin si deputet në parlament, kur refuzoi të lëshonte pushtetin si kryebashkiak i Tiranës për t’u shndërruar në stadin moral të liderit të opozitës, dhe mbi të gjitha tronditi opinionin kur i shndërroi deputetët në masë amorfe pa identitet, që pushton bulevardet me çadra greviste apo bllokon rrugët me goma të djegura makinash. Edhe të vetmin akt politik që guxoi të ndërmerrte, aktin revolucionar të rrëzimit të një pushteti me dhunë, 21 janarin e 2011-s, s’e njohu publikisht, s’doli në ballë të turmës e as s’i mbrojti protestuesit, kur pa se skenari dështoi e kryeministria s’u pushtua.
Ky historik është i zbukuruar edhe me plot detaje të tjera që konfirmojnë tëhuajësimin e Edi Ramës nga politika. Izolimi total nga ndërkombëtarët, piruetat ideologjike në kërkim të një fytyre të pranueshme dhe strehimi tek një klan miqsh që po zëvendëson celulat e gjera ish-komuniste e më vonë sockomuniste e socialiste, s’ia fshehin dot identitetin e vërtetë, atë të një anarkisti dhe arrivisti. Anarkistët dhe arrivistët janë trupa të huaj për politikën, siç tradicionalisht njihet në manualet e demokracisë perëndimore. Politikanët kanë bilance dhe gjykohen për to në zgjedhje periodike. Ata mund të regjistrojnë një herë dështime e u jepet mundësia të plasohen në opozitë si një fazë rigjenerimi, por kur dështojnë për herë të dytë, pranojnë rregullat e lojës dhe dalin nga rangu i parë i skakierës. Edhe në mos dalshin, votuesit ia kanë gjetur ilaçin kësaj kryeneçësie, duke i dhënë përqindje elektorale që të çojnë vetvetiu në margjinalizim. Raste të presidentëve që janë katandisur në shifra nën 1 përqindëshe njihen. Dikur qe rasti i Valesës, por shqiptarët mbajnë mend funeralin e vonë të Xhanfranko Finit, i cili nga president i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, humbi edhe mandatin e deputetit, ndërkohë që ata që i shkuan pas në aventurën e tij jopolitike, u gremisën edhe më shumë në harresë.
Edi Rama i ka konsumuar të gjitha llojet e humbjeve elektorale këto 8 vjet të kryetarllëkut të tij në PS. Tashmë ka ardhur pikërisht ai stacion, kur dështimi elektoral shoqërohet me largimin final nga politika, ose në rast kryeneçësie me gremisjen në shifra të papërfillshme përfaqësimi. Nëse Rama do të donte ta vijonte galopin e turpit, shqiptarët s’kanë ç’i bëjnë. Le të rrinë si spektatorë e ta shohin teksa përlahet në përleshje mes bolshevikësh e menshevikësh me Ilir Metën, Fatos Nanon, Arben Malajn a ndonjë ëndërrimtar tjetër që po fërkon duart për betejën që po i vjen e jo për 23 qershorin. Ai është një stacion ekskluziv, i rezervuar veç për falimentin politik të Edi Ramës. Është një shans historik i cili s’duhet humbur. Skenarë si greva e urisë në mes të bulevardit, tamtamet me bilbila në parlament apo përdorimi i deputetëve si mish për top në një kryengritje të armatosur kundër kryeministrisë duhen shmangur domosdo. 23 qershori është një rast për t’i ngushtuar hapësirën një trupi të huaj që rrezikon ta shndërrojë demokracinë shqiptare në një të sëmurë kronike. S’duhet humbur ky shans historik!