E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH dhe KEK nënshkruajnë bashkëpunimin

 

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit në mes Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës, mbi shkëmbimin e energjisë elektrike. Dy drejtorët e Përgjithshëm të Korporatave të dy vendeve, Gjergj Bojaxhi dhe Remzi Shahini janë takuar në ambientet e Hidrocentralit të Fierzës, ku edhe u nënshkrua kjo marrëveshje bashkëpunimi. Drejtori i KEK, Remzi Shahini, është shprehur se me këtë marrëveshje të nënshkruar në mes dy korporatave energjetike synohet arritja e një furnizimi më efikas me energji elektrike në mes dy vendeve, duke patur parasysh se Kosova prodhon energji elektrike nga burime termike, ndërsa Shqipëria energji elektrike nga burime hidrike, dhe vënia në eficiencë e këtyre dy mënyrave të prodhimit të energjisë është një hap përpara. Drejtori i Përgjithshëm i KESH, Gjergji Bojaxhi, tha se me këtë marrëveshje arrihet ruajtja e depozitimi i energjisë elektrike dhe synojmë që të bëjmë një investim me fondin shqiptar të zhvillimit për ndërtimin e një TEC-i me qymyr në Kosovë, me qëllim furnizimin me energji elektrike të Shqipërisë. Aktualisht, në kaskadën e Drinit janë në punë të gjitha turbinat dhe kapaciteti prodhues i Korporatës është 12.2 milionë KW/h, ndërkohë që 3.3 milionë të tjera importohen, ndërsa konsumi është 15.5 milionë KW/h. Liqeni i Hidrocentrali të Fierzës është thuajse në kuotën maksimale, e cila është 296 metra, ndërsa tani ka 293 metra ujë. Prurjet janë 190 metër/kub ujë për sekondë, ndërsa rritja e nivelit është 8 centimetër në ditë. Dhe kuotat e liqeneve të dy hidrocentraleve të tjerë mbi lumin Drin, në Koman e Vaun e Dejës, është në nivele të kënaqshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›