Maturantët , mundësi për të ndryshuar lëndët me zgjedhje
Maturantëve të cilët janë penduar për lëndët me zgjedhje që kanë shënuar në Formularin A1, do t’u jepet mundësia t’i ndryshojnë ato. Kështu, në çdo shkollë të mesme, Drejtoritë Arsimore Rajonale kanë shpërndarë bazën e të dhënave, ku krahas rishikimit të ndonjë gabimi të mundshëm të plotësimit të Formularit A1 maturantët mund të bëjnë kërkesë për të ndryshuar edhe lëndët me zgjedhje. Këtë e pohojnë burime pranë DART, të cilët theksojnë se kjo procedurë duhet të mbyllet brenda datës 2 maj. Ndërkohë drejtori i shkollës së mesme të përgjithshme “Aleks Buda”, Ndue Kolndreu shpjegon për gazetën “Shekulli” të gjitha detajet që do të ndiqen, në rast se mbi bazën e të dhënave të maturantëve do të bëhen ndryshime. Gjithashtu, drejtuesit e shkollave theksuan anët pozitive që sjell rishikimi i bazës së të dhënave dhe sidomos e lëndëve me zgjedhje.
Ndryshimet
Lëndët me zgjedhje të shënuara tashmë në Formularin A1 mund të rishikohen përsëri nga kandidatët për studentë. Kjo do të thotë se nëse ata kanë ndryshuar mendje për ato lëndë që kanë shënuar 1 muaj më parë në Formularin A1, mund t’i ndryshojnë ato. Kështu drejtori i gjimnazit “Aleks Buda”, Ndue Kolndeu shpjegon se maturantët duhet të bëjnë një kërkesë me shkrim për lëndët me zgjedhje që duan të ndryshojnë dhe ta paraqesin pranë Sekretarisë së shkollës. Më pas, është stafi pedagogjik që do të merret me ndërhyrjet në bazën e të dhënave të maturantëve. Pas kësaj procedure, shpjegon Kolndreu, janë vetë drejtuesit e shkollave që do të bëjnë dorëzimet e bazës së të dhënave në DART. “Kjo procedurë duhet të mbarojë brenda datës 2 maj. Pas kësaj date nuk lejohet asnjë ndryshim as për lëndët me zgjedhje dhe as për bazën e të dhënave”,- thekson Kolndreu.
Rishikimi
Rishikimi i lëndëve me zgjedhje nga maturantët është konsideruar si një procedurë tepër pozitive në interes të këtyre të fundit. Kështu shprehen drejtuesit e shkollave të mesme, të cilët e konsiderojnë këtë procedurë si një shans më shumë për të vendosur për degët e universiteteve që do të ndjekin kandidatët për studentë. “Lëndët më zgjedhje kanë të bëjnë pikërisht me degët që do të zgjedhin maturantët, ndaj dhe një rishikim apo rifreskim idesh për këto lëndë do të ishte në favor të kandidatëve”, -pohon Kolndreu. Ndërkohë edhe drejtori i gjimnazit “Sami Frashëri”, Jovan Kristiqi thekson se kjo është pozitive pasi gjatë vitit të kaluar është ndeshur edhe me raste që maturantët kanë ndryshuar mendje për lëndët që kishin zgjedhur, po nuk u është dhënë mundësia që t’i ndryshojnë ato.
Lëndët me zgjedhje
Matematikë
Letërsi
Gjeografi
Histori
Kimi
Biologji
Anglisht
Frëngjisht
Njohuri për shoqërinë
Ekonomi
Sipas DART maturantët do të verifikojnë nëse kanë bërë ndonjë gabim në plotësimin e Formularit A1, për të mos u skualifikuar
Formulari A1, 7 ditë kohë për të korrigjuar gabimet
Të gjithë maturantë do të lexojnë bazën e të dhënave të tyre para fillimit të provimeve të maturës, pasi kjo do t’u japë mundësinë që të korrigjojnë ndonjë të dhënë të tyre të bërë gabim. Për të bërë këtë, maturantë kanë në dispozicion 7 ditë. Kështu, ndryshe nga viti i kaluar, ID (numri i maturantëve që përfaqëson emrin) u vendos që në Formularin A1 dhe një gabim sado i vogël në plotësimin e këtij formulari solli skualifikimin e maturantit. Për të evituar këtë problem, specialistët e Drejtorisë Arsimore të Tiranës shpjegojnë se në këto kushte maturantët, nëse bënin ndonjë gabim, nuk mund të merrnin tjetër formular. Këtë vit, sipas tyre, do të mblidhen të gjitha të dhënat dhe pasi të verifikohen nga maturantë do të vendosen në formular. “Nxënësit do të pajisen me ndihmë përkatëse në mënyrë progresive, duke filluar nga Drejtoritë Arsimore, shkollat dhe me radhë. Ne, tani që e kemi bazën e të dhënave, po i sistemojmë ato dhe do t’i pajisim nxënësit me ID-në përkatëse”,- pohojnë specialistët duke shpjeguar se kjo do të bëhet vetëm pasi maturantët do të verifikojnë të dhënat e tyre përkatëse dhe do t’i korrigjojnë nëse kanë ndonjë gabim, para fillimit të sezonit të provimeve të maturës shtetërore. “Do të ketë një kolonë më vete me numrin e ID-së të çdo nxënësi. Një kolonë ku të evidentohet nëse nxënësi ka vërejtje për mënyrën se si janë hedhur në tabelë të dhënat e Formularit individual A1 dhe një kolonë tjetër ku nxënësi të firmosë”,- thotë drejtori i gjimnazit “Aleks Buda”, Ndue Kolndreu, duke shtuar se këto të dhëna do të printohen dhe do të shpërndahen në çdo shkollë. Kjo procedurë e re, sipas tij, do t’u japë mundësinë çdo nxënësi të bëjë një verifikim të fundit të hedhjes së të dhënave të tij, por do t’u japë mundësinë edhe specialistëve të AVA-s që para fillimit të provimit të parë, të bëjnë korrigjimin e mundshëm dhe të nevojshëm. Dy vitet e kaluara ka patur shumë probleme, pasi po të ishte edhe një gabim sado i vogël në të dhënat e maturantit, nuk dilnin pikët apo të dhënat e tjera të tij, duke iu humbur atyre mundësinë për të vazhduar arsimin e lartë.