Një shpresë e fundit te socialistët
Klemend Banushi/Qytetar, Londër
-Teksa ndjek nga larg me shumë shqetësim zhvillimet e fundit politike në Shqipërinë time, ndjek "përurimet" elektorale të diktatorit Sali Berisha në të gjithë vendin në prag zgjedhjesh. Mbi të gjitha jam kolonjar dhe po pres me padurim të shikoj Berishën, kryeministrin e vendit tim gjithashtu, të përurojë diçka në Kolonjë. E vërteta është se në Kolonjë nuk ka vend për përurime. Berisha në këto tetë vitet e fundit ka "mbjellë" dhe ka "korrur" vetëm varfëri dhe shkatërrim në Kolonjë. Për Berishën dhe pushtetin e tij diktatorial që të përngjan me atë të Gadafit të Libisë dhe Asadit të Sirisë, krahina e Kolonjës nuk është pjesë e Shqipërisë. Me shumë keqardhje pyes veten: Ku gjendemi ne kolonjarët? Ne nuk jemi as në Greqi dhe as në Shqipëri. Përse kështu? Gjatë gjithë aksit Korçë - Kolonjë, shikon vetëm parulla me simbolet dhe mbishkrime për qeverinë aktuale dhe partinë në pushtet. Rruga komplet e amortizuar në atë terren piktoresk, të ngjall shumë trishtim dhe urrejtje për këtë qeveri të dështuar, shkatërrimtare, hajdute dhe vrasëse. Jo vetëm kaq, por gjithë aksi Korçë - Ura e Leklit në afërsi të Tepelenës është komplet i shkatërruar dhe i padisponueshëm për qarkullim të sigurt në 1/3 e tij.
Qyteti i Ersekës, djepi i kulturës kombëtare, i përngjan një vendi të sapo dalë nga lufta. Me sinqeritet po e krahasoj me vendet e banuara të pasluftës në Bosnje, pasi kam shërbyer aty për dy vjet dhe e kam parë të njëjtin realitet me sytë e mi. Fshatrat e Kolonjës, në mbi 90 % të tyre krejtësisht të braktisur dhe ata shumë pak fshatarë që kanë mbetur dhe po merren me blegtori, janë të pashpresë, pasi nuk kanë treg shitjeje të prodhimeve të tyre blegtorale, pasi qeveria e dështuar e Sali Gadafit, për interesa të veta, importon prodhimet blegtorale nga Kanadaja, etj.. Spitali i qytetit, falë patriotizmit dhe dashurisë për Kolonjën nga disa bashkëfshatarë të mi, doktorë të nderuar, po mbijeton, ndryshe Kolonja mbetet pa doktor, pasi shumica e doktorëve janë në Tiranë e Durrës.
Pra, Kolonja sot, pas tetë vjetëve qeverisjeje berishjane, është e braktisur, e harruar, e varfër, e dënuar nga Saliu. Saliu e dënoi në '97-ën, kur mbushi automjetet ushtarake me mercenarë, po shqiptarë etnikë dhe i dërgoi atje për të shfarosur kolonjarët e urtë, ndërsa sot, në 2013-ën, Saliu e ka ndëshkuar edhe më keq, pasi ka mbjellë vetëm varfëri. Të të vijë turp o Sali Berisha! Mallkimi dhe dënimi i historisë së Kolonjës do të bjerë vetëm mbi ty. Po a është kjo varfëri vetëm si rezultat i ndëshkimit të Saliut? Deputetët e Kolonjës, përfaqësues të së majtës politike në Shqipëri, nuk kanë bërë asgjë për Kolonjën, ata kurrë nuk janë takuar me zgjedhësit e tyre, ata kurrë nuk kanë qenë në gjendje të ngrenë zërin e tyre të së drejtës për Kolonjën dhe kolonjarët e braktisur. Shpresojmë shumë në qeverinë e re socialiste të rinovuar, se përndryshe Kolonjën do ta shpallim të pavarur dhe ta qeverisim vetë ne kolonjarët.