Z. Kryeministër institucionet tallen. Më ndihmoni!
Koço Gjoni/qytetar Nivicë-Sarandë
-Meqenëse gati 4 vjet, nuk gjeta asnjëherë zgjidhje nga institucionet e shtetit që ju drejtoni, përfshirë edhe institucionin e Kryeministrisë, vendosa të drejtohem publikisht me qëllim që të shoh të vërtetën nëse ju jeni vënë në dijeni apo jo, nga ata që punojnë pranë Jush, për këtë problem timin të mbartur prej katër vitesh? Personalisht besoj se nuk ju kanë vënë në dijeni. Po e sqaroj shkurtimisht problemin që kam: Z. Kryeministër kam katër vjet që të shkruaj personalisht për një problem që më ka krijuar firma e ndërtimit “Gjoka”, me administrator Rrok Gjoka; kjo gjatë viteve 2008-2009 kur ndërtohej rruga e bregdetit Sarandë-Qeparo. Është një problem që ua kam bërë juve të qartë me shkrim mbi 20 herë, përveç institucioneve të tjera të shtetit, ndonëse deri më sot nuk gjeta asnjëherë zgjidhje. Z. Kryeministër! Kryeadministratori i firmës “Gjoka”, të cilin sot nuk e di ku ndodhet, në bashkëpunim me disa persona të pushtetit lokal të komunës së Lukovës, pa përjashtuar si bashkëpunëtor edhe kryetarin e Komunës, Vladimir Kumin, duke përfituar nga mungesa ime në shtëpi, pasi ndodhesha në emigracion, këta persona më kanë bllokuar rrugën e kalimit për në shtëpinë time, një rrugicë e vjetër e fshatit. Jo vetëm kaq, por nga punimet e bëra rrezikohet edhe shtëpia e prindërve të mi, pasi për çdo vit konstatohen rrëshqitje dheu. Nuk kam lënë institucion pa trokitur, siç thashë më sipër ju kam shkruar edhe juve, por në vend të zgjidhjes asgjë: kam katër vjet që e kam shtëpinë të bllokuar. Ju kam nisur juve 18 letra, të fundit më 30 maj 2013; i kam shkruajtur edhe drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve, Andi Toma. 15 letra i kam dërguar këtij zyrtari, por po ju them z.Kryeministër: në ka njeri që është tallur me problemin tim, ai është pikërisht ky. Shqetësimin ia kam ngritur edhe ministrit përkatës, z. Sokol Olldashi, madje ky është vënë një dijeni personalisht për atë që ka ndodhur. Keq më vjen, z. Kryeministër, por papërgjegjshmëria e plotë e këtij ministri është vërtetuar plotësisht së fundmi. E ka përcjellë me një indiferentizëm të plotë. Këta janë z. Kryeministër njerëzit që janë në krye të institucioneve të shtetit që ti drejton sot. Ndihem i lodhur nga e gjithë kjo që më ka ndodhur. I jam adresuar edhe Prokurorisë së Përgjithshme dhe titullarëve të saj, por askush nuk e ka bërë qejfin qeder. Lidhur me zyrën tuaj, unë mund të them se që prej katër vjetësh kam në dorë disa përgjigje që më janë kthyer nga zyra juaj. Për kohën që ka kaluar dhe për faktin se problemi nuk është zgjidhur unë kam vetëm një fjalë: Turp. Të flasësh katër vjet në emër të kryeministrit, për të cilat unë kam fakte dhe dokumente dhe sërish të mos gjesh dot zgjidhje të problemit, unë nuk arrij atëherë të kuptoj se çfarë ndodh sot te ne dhe ku ndodhemi?! Me të njëjtën përgjigje tallëse më përcolli para një viti edhe prefekti Eduart Veçani, të cilin e takova personalisht. Flas i indinjuar për faktin se të vish nga emigracioni në vendin tënd, në shtëpinë tënde, me fëmijët për të kaluar pushimet, të shoqëruar madje edhe me miq të huaj dhe të gjesh në mënyrën më të pabesueshme rrugën e shtëpisë të bllokuar, atëherë më thoni ju se çfarë duhet të mendoj. Kujt vallë i kam borxh që më ndodh kjo? Nisur nga e gjithë sa parashtrova më sipër, z. Kryeministër, në emrin tim dhe të familjes sime, në respekt të detyrës suaj si drejtues i qeverisë ju lutemi shumë t’i jepni zgjidhje problemit tonë!