E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i naftës, grosistët abuzojnë me çmimin

Edhe pas uljeve të herëpashershme të çmimit të naftës në tregun tonë të pakicës, importuesit e karburanteve vazhdojnë ende të abuzojnë me çmimin me të paktën 20 për qind

Edhe pse çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare tashmë ka arritur limite të paparashikuara, tregu shqiptar ende nuk po reagon në nivelin e duhur. Në fakt, duke iu referuar çmimit të naftës në bursa dhe atij në tregun tonë të pakicës, vëmë re se diferenca është shumë më e madhe krahasuar me të njëjtën kohë kur në tregun tonë nafta shitej afro 20 lekë më lirë. Për ta ilustruar më mirë këtë fakt, le t’u referohemi shifrave reale. Kështu, afro dy vite më parë, kur një fuçi me naftë bruto shitej në bursat ndërkombëtare me vetëm 55 dollarë, pra më shtrenjtë se aktualisht, në tregun tonë një litër naftë D2 jepej me një çmim prej 105 lekësh, pra përsëri më lirë se çmimi aktual i pakicës. Logjika e thjeshtë të bën të mendosh pse grosistët po i rëndojnë kaq shumë xhepat e konsumatorëve, pasi përllogaritjeve të mësipërme u shtojmë edhe faktin se, si atëherë, ashtu edhe tani, taksat për biznesin e naftës janë të njëjta. Duke marrë për bazë çmimin e naftës në bursat ndërkombëtare, që tashmë është afro 48 dollarë për fuçi, arrijmë në konkluzionin matematikor, se në tregun tonë një litër “ar i zi” po shitet rreth 20 për qind më shtrenjtë, ose afro 20 lekë më shumë për litër. E themi këtë, duke marrë për bazë edhe fitimin që deklarojnë vetë grosistët e naftës, i cili mban një normë rentabël në tatim-taksa prej vetëm 5 për qindësh.

Ulja e çmimit

Në fakt, grosistët shqiptarë të hidrokarbureve kanë aplikuar ulje çmimi për naftën dhe benzinën deri në nivelin e 20 lekëve në total, kjo që nga koha kur një fuçi me naftë në bursa arriti kufirin maksimal prej rreth 148 dollarësh. Por kjo ulje çmimi mund të konsiderohet si qesharake, duke pasur parasysh se në çfarë kuotash çmimi ka arritur gjatë javës së fundit nafta në tregjet ndërkombëtare. Duke iu referuar vetëm uljes së fundit në bursa të çmimit të naftës me rreth 10 për qind brenda një jave, vëmë re se në tregun tonë kjo ulje nuk është reflektuar aspak.

Grosistët premtojnë ulje çmimi

Duke filluar që sot, çmimi i naftës në tregun tonë të pakicës do të jetë më i lirë me 3 deri 5 lekë për litër. Të paktën ky është premtimi i grosistëve të hidrokarbureve, bërë publik dje nëpërmjet prononcimeve në gazetën “Korrieri”. Sipas tyre, ulja e çmimit të naftës në bursa është shoqëruar me rritje të dollarit dhe kjo e vështirëson uljen e mëtejshme të çmimit. “Me të vërtetë që çmimi është ulur, por paralelisht me të është rritur edhe dollari. Kjo bën që çmimi i bursave të mos reflektohet 100 për qind në tregun shqiptar”, pohon njëri prej importuesve. Një tjetër deklaron se bursat janë me luhatje të mëdha, ndërsa parashikon se çmimi i një fuçie me naftë do të kapë përsëri 100 dollarët. “Nuk duhet të jemi entuziastë për këtë ulje të çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, pasi kjo vjen si pasojë e rënies së ekonomisë globale në krizë. Ju jap fjalën se shumë shpejt çmimi i një fuçie naftë do të arrijë ndoshta edhe më lart seç mund të parashikohet”, pohon një nga grosistët më të vjetër në treg.

Nafta në bursë, situata kthehet 4 vite pas

Parashikimet e disa analistëve janë që çmimi të zbresë shumë shpejt poshtë nivelit 40 dollarë për fuçi. Tregu i karburanteve ka përjetuar një situatë të ngjashme çmimesh me këtë aktualen në gusht të vitit 2004. Në atë kohë, nafta në bursë shitej thuajse me të njëjtin çmim, rreth 47.5 dollarë për fuçi. Në të njëjtën kohë, në tregun vendas çmimi i naftës “Diesel” ishte 85 lekë për litër, ose rreth 40 lekë më pak nga sa është tani, çka hedh dyshime të forta mbi atë nëse çmimi në tregun vendas përcaktohet nga kostoja dhe konkurrenca, apo është rezultat i spekulimeve në kurriz të konsumatorëve. Të dhënat nga dogana tregojnë se importi i karburanteve vazhdon të rritet. Shqipëria plotëson më shumë se 75 për qind të kërkesës për karburant nga importi. Ndaj çmimi në treg diktohet nga shoqëritë e mëdha të importit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›