E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një shqiptar arrestohet për vrasjen në Uglar

Nga Express më 12 mars 2011 në ora 19:55

Është zgjeruar pista e hetimeve për vrasjen e të riut, katërmbëdhjetëvjeçarit nga Uglari i Gjilanit, Leutrim Musliu. Në paraburgim për 48 orë po mbahet një bashkëfshatar i të vrarit, tek i cili janë zënë armë. Ndalimin e një të dyshuari tjetër e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë së Qarkut në Gjilan, Jetish Maloku.

Kryeprokurori Maloku, vetëm se ka konfirmuar se lidhur me vrasjen e Leutrim Musliut ka edhe një të dyshuar, por burime të gazetës bëjnë me dije se i arrestuari është nga fshati Uglar i komunës së Gjilanit, fshat i banuar me popullatë shqiptare, në të cilin jeton familja Musliu.

Policia po kryen ekspertizën e një arme, e cila është kapur dhe e cila mund të sqarojë shumëçka lidhur me këtë vrasje.

Arrestimit të dyshuarit të fundit i patën paraprirë edhe disa arrestime të tjera në fshatin Pasjan, i banuar me popullatë serbe.

Policia fillimisht pati marrë në pyetje dy serbë nga Pasjani i komunës së Parteshit, Zh. S. (1967) dhe S. A. (1964), por ata janë liruar në mungesë të provave. Një serb tjetër, të cilit i është lënë ftesa për paraqitje në polici, pasi në shtëpinë e tij është gjetur një sasi e konsiderueshme e armatimit, nuk është paraqitur edhe më tej.

Gazeta mëson se nuk janë ndërprerë hetimet ndaj të dyshimtëve të tjerë. Në Policinë Rajonale në Gjilan disa herë patën paralajmëruar që të mos ngutet me kualifikime se kush mund të jetë vrasësi, aq më parë kur hetimet janë në vazhdim. (Zeri)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›